Kjo eshte historia e panjohur e “Vajzave me kordele të kuqe” e cila vjen nëpërmjet dëshmive të rralla, të 90 vjeçarit Tomorr Dosti, i biri i Hasan Dostit, ish-Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Mustafa Krujës nën pushtimin Italian dhe kreu i Komitetit për Shpëtimin Kombëtar i dalë nga Konferenca e Mukjes. Ai në ’44-ën u largua nga Shqipëria bashkë me Mithat Frashërin dhe u vendosën në SHBA, ku pas vdekjes së Mithatit në 1949-ën, ai drejtoi për shumë vite Komitetin “Shqipëria e Lirë” që mbështetej nga qeveria e SHBA-ve, duke përfaqësuar Shqipërinë në të gjitha Kongreset e “Popujve të robëruar” që mbaheshin në Europë dhe SHBA.
E gjithë historia tragjike e familjes së Hasan Dostit, njeriun që mori me vete Enver Hoxhën në vitn 1936 në Shkodër për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit e Muço Qullit, duke i dhënë të lexonte edhe fjalimin e tij nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës, dhe për afro shtatë vjet nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe ajo e pushtimit të vëndit, mbajti në shtëpinë e tij në Tiranë, Nexhmije Hoxhën, Nefo Puto Myftiun e Naxhije Dumen, shoqe klase të bijës së tij, Shanisha Dostit, për të cilat vite më vonë u realizua filmi “Vajzat me kordele të kuqe”!
Si vuajtën në burgje dhe internime të gjithë fëmijët e Hasan Dostit (pesë vëllezër e tre motra), që nga viti 1944 e deri në 1991-in, duke filluar nga Shanishaja, e cila pasi kishte studiuar dy vite universitet në Itali në degën Farmaci, u internua në vitin 1945, duke punuar me kazëm në kanalet e ndërrmarjes Komunale të Durrësit, për të përfunduar më pas në burgun e Kosovës së Lushnjes për pesë vjet për “agjitacion e propagandë”! Përse ajo dhe vëllezërit e motrat e saj nuk pranuan kurrë që të kërkonin ndihmën e Nexhmije Hoxhës, e cila në vitin 1945, kur një shoqja e klasës, pa dijeninë e tyre i shkoi në zyrë dhe i kërkoi që të bënte diçka për Shanon, duke i thënë se po vdisnin për bukë, ajo i përgjigj: “Akoma nuk ka ngordhur”?! dhe i la ata në burgje e internime deri në vitin 1991?!
Nga mesi i viteve ’70-të, ish-krerët kryesorë të udhëhqjes së lartë të PPSH-së, filluan të mendonin që “luftrat, bëmat dhe heroizmat” e tyre gjatë “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, të cilat deri në atë kohë i kishin bërë publike vetëm në libra me temë historike apo në ndonjë vepër letrare, tashmë t’i evokonin dhe përjetësonin në ato kinematografike, pasi e dinin dhe e njihnin mirë magjinë e kinemasë dhe impaktin që ajo kishte në popull. Nxitje për këtë u bë një nga “shokët e vjetër” të Luftës, me origjinë nga Kurveleshi, që në një bisedë në shtëpinë e Partisë pasi kishin parë një film me tematikë nga Lufta, për një nga “Heronjtë e popullit”, i ngrysur në fytyrë dhe si me të qeshur, i kishte thënë Enverit: “Edhe na kemi lëftuar, jo vetëm këta…”?! Kaq u desh dhe pas “Njësiti gueril” e “I teti në Bronx”, që ishin realizuar tashmë dhe kishin ngjallur xhelozinë te disa “shokë të udhëheqjes”, fillimisht u realizua filmi “Shtigje lufte”, për historinë e Pezës, ku thuhet se Enver Hoxha kishte mbetur i pakënaqur, pasi “nuk dilte mirë roli i Partisë”, dhe për të mos ndaluar filmin, u mendua që të realizohej një tjetër dhe u bë filmi “Vendimi”. Ndërkaq ishte realizuar dhe “Në fillim të verës” ku i bëhej jehonë aktivitetit dhe veprimtarisë së Hysni Kapos në Qarkorin e Vlorës, dhe po përgatitej një film për kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, i cili nuk u realizua kurrë për arsye të ngjarjes që ndodhi me të.
Ndërkaq, tematika historike në Kinematografinë shqiptare vazhdoi me “Besa e kuqe” (1982) dhe “Militanti”, (1984), ku sadopak dilte në pah edhe veprimtaria e “shokut Ramiz”, gjatë Luftës Antifashiste. Në këtë “konkurencë”, të fortë, nuk kishte mbetur pas as Nexhmije Hoxha, e cila prej kohësh kishte menduar dhe nën kujdesin e “skenarin” e saj, në vitin 1975, u realizua “Vajzat me kordele të kuqe”, në të cilën evokohej aktiviteti dhe veprimtaria e disa “shoqeve”, (bashkëshorte të udhëhqësëve të lartë), të cilat nga periudha e Monarkisë së Mbretit Zog dhe në atë të pushtimit nazi-fashist të vëndit, kishin qenë studente konviktore në Institutin Femnor, “Nana Mbretneshë”, dhe nën “udhëheqjen” e shoqes Nexhmije Xhunglini, kishin organizuar demonstratat dhe aksionet e para në krye të Rinisë Komuniste. Por ndryshe nga disa prej filmave si “Njësiti gueril”, “I teti në bronx”, “Në fillim të verës”, “Vendimi”, “Militanti”, “Besa e kuqe”, etj., ku kishte disa të vërteta rreth rolit të “shokëve të udhëheqjes” gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, te “Vajzat me kordele të kuqe”, duket se historia është kthyer me “kokë poshtë”, duke u shtrembëruar dhe manipuluar gjithçka!
Së pari, Nexhmije Hoxha para se të ishte “vajza me kordele të kuqe”, kishte qenë me “kordele të zezë” si anëtare e Partisë Fashiste, gjë e cila ka dalë dhe është bërë publike vetëm pas viteve ’90-të (nga ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Rendit, historiani i njohur, Kastriot Dervishi”), dhe së dyti, “Zonjusha Gajtani” personazhi negativ te “Vajzat me kordele të kuqe”, nuk ka qenë një vajzë spiune ashtu siç ka dashur dhe ka baltosur, Nexhmije Hoxha, por një nga shoqet e veta më të ngushta, për gjatë gjithë kohës që ato kanë qenë bashkë në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” në Tiranë, dhe krejt e kundërta e asaj ç’ka paraqitet në atë film! Madje ajo, jo vetëm që nuk i ka spiunuar kurrë shoqet e saja, “vajzat me kordele të kuqe”, por i ka mbajtur ato me bukë në shtëpinë e saj, si gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ashtu dhe gjatë pushtimit të vëndit, ku edhe pse ato ishin “të reja komuniste”, i priste në shtëpinë e saj ku dhe bënin mbledhje, ndërsa babaj, ishte Ministër i Drejtësisë në qeverinë e asaj kohe. Po kush është “Zonjusha Gajtani”, cila është historia e saj, ku ka jetuar ajo dhe përse e kaluara e saj e trishtë është mbajtur e fshehtë dhe e mbuluar me mister për afro tetë dekada me rradhë?!
Lidhur me këtë dhe gjithë historinë e saj, na njeh në këtë intervistë ekskluzive për Memorie.al, z. Tomorr Dosti, i biri i Hasan Dostit, ish-kreut të Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të dalë nga Konferenca e Mukjes në vitin 1943, dhe eksponent kryesor i organizatës nacionaliste, “Balli Kombëtar”, i cili në fundin e vitit 1944, u detyrua të largohej nga Shqipëria prej hakmarrjes së Enver Hoxhës, dhe të vendosej në SHBA, ku për shumë vite drejtoi “Komitetin Shqipëria e Lirë” që e financonin dhe e mbështeste qeveria e SHBA-vë.
Ndërsa z. Hasan Dosti ndodhej në emigrim si azilant politik së bashku me një nga djemtë, shtatë fëmijët e tjerë, mbetën në internime dhe në burgje nga viti 1944 deri në 1991-in, edhe pse ata duhet të ishin “Familje dëshmori”, pasi nënën e tyre dhe njëkohësisht bashkëshorten e Hasan Dostit, e pushkatuan gjermanët më 16 nëntor të vitit 1944, bashkë me vëllanë e tij, Kutbi Dostin.
Lidhur me këtë histori të trishtë dhe tragjike të familjes së tyre, me z.Tomorr Dosti që është vëllai i Shanisha Dostit, “vajzës me kordele të kuqe”, ish-shoqes së ngushtë të Nexhmijes në Institutin Femnor, “Nana Mbretneshë”, kemi biseduar që nga fillimi i viteve ’90-të kur ai ish-kryetar i Partisë Demokratike dhe deputet i Parlamentit shqiptar, dhe më pas, por ai nuk ka dashur kurrë që ta bëja publike në shtyp.
Zoti Dosti tashmë në moshën 90-vjeçare, por me një shëndet dhe memorie për t’u pasur zili, ka preferuar që të qëndrojë në heshtje ashtu siç ka qëndruar prej këtyre tre dekadave e gjithë familja e tyre, e cila ka qenë dhe vazhdonë të jetë “meka” ku “falen” të gjithë ish-të përndjekurit dhe burgosurit politikë të Shqipërisë që nga shëmbja e regjimit komunist.
Kjo intervistë u bë e mundur vetëm pas insistimit tonë të gjatë, dhe pas disa takimeve me z. Dosti, këto ditë që atij i’u nda nga jeta edhe i vëllai, Ernesti, (i fundmit që jetonte ende), dhe kjo duke marrë shkas edhe nga libri i fundit i Nexhmije Hoxhës, që prej ditësh po përcillet pothuaj nga i gjithë shtypi i shkruar dhe media të ndryshme onlie.
Z. Dosti, para se t’ju pyesim për historinë dhe rrethanat që ju personalisht dhe familja juaj është njohur me Nexhmije Hoxhën, a mund të na thoni dy fjalë shkurtimisht, cila është origjina e familjes suaj?
Ne si origjinë jemi nga fshati Kardhiq i Gjirokastrës ku dhe ka lindur babai në 7 tetor të vitit 1895. I pari i familjes, Dosti, ka qenë prifti, Papa Kostandini, i cili ka jetuar diku në gjysmën e dytë të shekullit të XV-të. Më vonë pasardhësit e këtij fisi u konvertuan në myslymanë, duke u ndarë në dy degë: njëra ishte ajo e Delvinës – Dosti – Hajdaraga – Delvina; dhe tjetra ajo e Kardhiqit, nga e kemi ne prejardhjen prej babait, Hasan Dosti. Kjo është historia e origjinës së familjes sonë nga babaj.
Ku është shkolluar babaj juaj, Hasani?
Ai fillimisht është shkolluar në Greqi, në Filipiadhe dhe më pas është kthyer në fshatin e lindjes, Kardhiq, ku në vitin 1907 mbaroi shkollën fillore. Këto që po ju them, babai i ka lënë të shkruara me dorën e tij dhe fatëmirësisht janë ruajtur, pasi babait i është djegur tri herë biblioteka me qindra volume libra dhe dokumente gjithashtu.
Çfarë shkruan babai në ato kujtime lidhur me shkollimin e tij?
Ja po ua lexoj kujtimet e tij: “Kur ndiqja shkollën greke, gjatë muajve të verës, vija në Kardhiq. Atë vit dhe më pas, sipas zakonit, këndoja me shokët e fshatit këngët heroike të Gjolekës, të Luftës së Lëkursit, të Abdyl Frashërit, të Ismail Qemalit etj. Këngët heroike të Labërisë, janë histori. Në 1907-ën ndiqja mësimet, herë në gjimnazin turk të Gjirokastrës dhe herë në atë të Janinës, sipas gjëndjes financiare të tim eti. Aty në vitet 1907-1908, mësova prej Mihal Gramenos, (kur ky vinte në Kardhiq me Çerçiz Topullin), shkrimin shqip, sipas alfabetit të kohës. Në vitin 1912, fitova një bursë shteti me konkurs dhe ndoqa mësimet në gjuhën frënge në kolegjin “Alliance Universlle Izraelit” të Janinës. Më 1914, pikërisht kur po përgatitesha për provimet e vitit të fundit, detyrohem të largohem prej Janinës, pasi mësova prej disa gjirokastritëve se Kardhiqi ishte djegur. Këtë fat kishin pësuar fshatrat myslymane të Gjirokastrës dhe Korçës, prej bandave të qeverisë së Epirit, të shpallur më 2 mars. Në Vlorë arrita në maj 1914”.
Si vijoi më tej shkollimi i tij?
Është histori e gjatë, por po i bie shkurt: Në vitin 1915, babai vazhdoi një shkollë xhandarmërie që u hap në Vlorë, ku fitoi disa grada deri në kapiten i parë dhe falë disa gjuhëve të huaja që ai zotëronte, si: turqisht, greqisht, frengjisht, italisht dhe anglisht, punoi përkthyes deri në vitin 1917 dhe si arkëtar i Prefekturës së Vlorës deri në 1919-ën. Nga viti 1918, babai ishte në rolin e arkëtarit të shoqërisë “Lidhja Djelmoshe” që kryesohej nga Petro Korçari si kryetar dhe Avni Rustemi, si sekretar. Në 1919-ën kthehet në Gjirokastër si arkëtar i Prefekturës dhe në 1920-ën, Qeveria e Sulejman Delvinës, e emëron kryesekretar të Prefekturës, me prefekt, Kol Tromarën.
Sa kohë punoi aty?
Në atë detyrë babai punoi deri në vitin 1922 kur dha dorëheqjen, pasi ishte i martuar e me fëmijë (kishte lindur motra e madhe, Shanishaja), dhe në atë kohë iku në Francë për të plotësuar studimet që i kishte ndërprerë në vitin 1914.
Dhe ku u diplomua…?
Me një bursë të fituar, pasi mori provimet e maturës franceze, (Bachelier) babai, për pesë vite ndoqi studimet e larta në Drejtësi dhe për Shkenca Politike në degën, Ekonomi dhe Financë, ku dhe u diplomua në vitin 1928. Gjatë asaj kohe që ndiqte studimet në Francë, ai kishte kontakte me emigranët shqiptarë që ikën nga Shqipëria pas ngjarjeve të fundit të vitit 1924, pra pas rikthimit të Zogut në pushtet, dhe kur vinte në Shqipëri për pushime, i dyshuar për këto kontakte, nga ana e autoriteteve shtetërore ai mbahej disa kohë nën vëzhgim. Në përfundim të studimeve, babai përgatiti një tezë mbi Marksizmin, të cilën ai e kritikonte në përgjithësi, por nuk arriti ta mbronte tezën, pasi iu ndërpre bursa dhe nuk u lejua më që të vazhdonte. Por gjatë qëndrimit në Paris, ai pati rastin të njihej me shumë emigrantë rusë, ku prej tyre dëgjonte dëshmi për tmerret e Revolucionit Bolshevik dhe të luftës civile, gjë të cilën atëhere as nuk do e mendonte kurrën e kurrës, se e ardhmja do t’i rezervonte të nëjtin fat.
Kur u kthye babai në Shqipëri dhe ku punoi?
Pasi mbaroi studimet, babai u kthye në Shqipëri në vitin 1928 dhe fillimisht punoi si avokat në Gjirokastër dhe po atë vit, në atë qytet u krijua Shoqëria “Dele”, me kryetar Bajo Topullin dhe sekretar, babain, Hasan Dostin. Qëllimi krijimit të asaj shoqate ishte të ndihmonin për zhvillimin e blegtorisë, aktivitet i cili në atë kohë ishte me shumë rëndësi për ekonominë kombëtare. Një vit më vonë, më 1929-ën, babai u emërua gjykatës në Berat dhe më 1931-in, emërohet ndihmës-anëtar i Gjykatës së Diktimit (Gjykata e Lartë) në Tiranë. Aty shërbeu deri në vitin 1932, kur kjo gjykatë nën drejtimin e Thoma Orollogait, u përfshi në një konflikt me autoritetet e larta shtetërore, për shkak se kjo gjykatë, rrëzoi si të bazë një vendim të gjykatës së Shkodrës, në dëm të pretenduesëve të pasurive të Vezirit të Shkodrës (Bushatllijve). Kjo gjë morri karakter politik dhe me propozim të Këshillit të Ministrave, Mbreti Zog, dekretoi pushimin nga puna të gjithë trupit gjykues të Diktimit, nga ku siç thashë u largua dhe babai
Ku punoi babai pasi u largua nga Gjykata e Lartë?
Babai u kthye në Berat për të ushtruar profesionin e avokatit, por pas pak muajve punë, po në vitin 1932, u arrestua duke u akuzuar si i implikuar në një organizatë të fshehtë kundër regjimit. Bëhet fjalë për “Lëvizjen e Vlorës”, ku u arrestuan dhe u dënuan me gjyq një numër i madh personalitetesh, si: Qazim Kokoshi, Skënder Muço, Myqerem Hamzarai, Hysni Lepenica, Dr. Seit Bilali, Dr. Tare Libohova, Murat Terbaçi etj., e deri biri i Ismail Qemalit, Seit Qemali.
Ç’farë ishte ajo organizatë dhe a ishte i implikuar vërtetë babai juaj, Hasan Dosti?
“Lëvizja e Vlorës”, është një histori e gjatë që nuk është vëndi të ndalemi këtu, por unë po u tregoj atë çka ka shkruar Dr. Tare Libohova, miku i ngushtë i babait, në një letër që ai i bënte Mbretit Zog nga Stambolli ku shkoi në emigrim pas daljes nga burgu, (fillimisht ishte i dënuar me vdekje), ku ndërmjet të tjerash, në analizën që ai i bënte asaj ngjarje që nga fillimi dhe deri te proçesi gjyqësor, i thoshte se: “Ajo “Lëvizje”, ishte më shumë si një pjellë e një fryt e fantazisë së Ministrit të Brendshëm, Musa Juka, një zell i tepruar i tij, për të fituar simpatinë dhe për të forcuar pozitën e tij personale tek Mbreti Zog”.
Sa vite u dënua babai dhe kur u lirua nga burgu?
Hasani u dënua me 15 vite burg, por vuajti vetëm rreth pesë vite, pasi ai u lirua në fundin e vitit 1935, me rastin e amnistisë që dha Mbreti Zog për nder të festës së 28 nëntorit, shpalljesë së Pavarësisë, ku u liruan dhe ata që ishin dënuar me vdekje.
Pas daljes nga burgu, ku punoi Hasani?
Babai u rikthye përsëri në Berat duke ushtruar profesionin e avokatit dhe në vitin 1937, me ndërhyrjen e Thoma Orollogait, (në atë kohë ministër i Drejtësisë), u emërua kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë dhe pa mbushur një vit punë në atë detyrë, emërohet si anëtar i Gjykatës së Diktimit, në Tiranë (Gjykata e Lartë), dega penale, ku si kryetar ishte emëruar, Agjah Libohova.
Të kthehemi tek ajo që iu pyeta që në fillim, në ç’rrethana jeni njohur ju si familje për herë të parë me Nexhmije Hoxhën?
Nexhmije Xhuglinin, ne si familje e kemi njohur për herë të parë diku nga viti 1937-të kur ishim vendosur me banim në Tiranë, pasi ajo ishte shoqe e ngushte dhe në një klasë me motrën tonë të madhe, Shanon (Shanisha Dosti), dhe të dyja ishin nxënëse në Institutin Femëror, “Nëna Mbretëreshë” këtu në Tiranë. Kurse Shano me Nexhmijen njihej më herët, që nga viti 1935-’36, kur ne ishim ende me shtëpi në Berat, pasi ato të dyja ishin konviktore në Tiranë te Instituti Femëror “Nana Mbretneshë”. Dhe nisur nga kjo, Nexhmija bashkë me Nefo Puton, (motrën e Arben Putos, gruan e Manush Myftiut), e disa vajza të tjera shoqe klase dhe shkolle me to, vinin rregullisht pothuaj çdo fund javë në shtëpinë tonë, pasi ato të ishin konviktore.
Po me Nefo Puton, prej Nexhmijes jeni njohur?
Jo, Nexhmija është njohur me motrën tonë prej Nefos, pasi me familjen e babait të saj, Qazim Puto, nga Gjirokastra, babai kishte miqësi të vjetër. Nisur nga ky fakt, gjatë periudhës që kemi qenë në Korçë, ne kemi mbajtur në shtëpi, Arben Puton, i cili ishte student siç i thonin atëhere, në Liceun Francez të Korçës, dhe ligji i kohës së Monarkisë së Zogut, kushtëzonte që një nxënës apo student konviktor, duhet të kishte një familje në atë qytet ku mësonte që të dilte garant dhe ta kishte nën kujdestari. Dhe këto gjëra bëheshin me dokumenta të rregullta, ku familja që e merrte në kujdestari një nxënës, firmoste dhe mbante përgjegjësi për të, kryesisht për fundjavat që e merrte në shtëpi. Jua thashë këtë, pasi kur do vinim më pas me banim në Tiranë, familja jonë, pra babai, Hasani, mori nën kujdestari, motrën e Arben Putos, Nefo Puton, (më pas gruaja e Manush Myftiut), e cila siç ju thashë ishte edhe në një klasë dhe shoqe të ngushta me motrën tonë të madhe, Shanon.
Po për Nexhmijen, kishte firmosur babai juaj, Hasani, ashtu si dhe për Nefo Puton?
Këtë nuk di ta them të saktë, por mendoj se pa një garanci, qoftë dhe me gojë dhe jo të shkruar siç e kishim me Nefo Puton, nuk lejohej në mënyrë kategorike që një nxënëse konviktore, të dilte pa leje nga konvikti dhe të shkonte te një familje. Kjo gjë, nuk lejohej as në ciklin e lartë dhe jo më në ciklin e ulët të Institutit “Nana Mbretneshë”, ku kishin qenë që nga fillimi, motra jonë, Shano me Nefo Puton e Nexhmijen. Kishte rregullta shumë strikte arsimi në atë kohë, që ishin implementuar nga Perëndimi.
Ku keni banuar ju në atë kohë, pra ku ishte shtëpia juaj që vinte Nexhmija me Nefo Puton?
Në atë kohë ne kemi banuar te një shtëpi që ndodhet dhe sot diku në mes Rrugës Kavajës dhe Rrugës së Durrësit, fare pranë Ministrisë së Arsimit, nga ana e mbrapme e saj, te Rruga “Kont Urani” siç quhej atëhere, përballë shtëpisë së Dr. Harxhit. Apo të jem më i saktë, shtëpia ku banonim ndodhet diku prapa ish-Gjykatës së Tiranës, ku sot ka disa studio ligjore, zyra avokatie, noterë etj. Ajo ishte një shtëpi qerpiçi dy katëshe dhe ne ishim qeraxhinj aty.
Kush vinte tjetër në shtëpinë tuaj nga shoqet e motrës suaj, përveç Nefo Putos dhe Nexhmije Hoxhës?
Vinin edhe disa vajza të tjerë, si: Naxhije Dume (gruaja e Nesti Kerenxhit, zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendëshme në vitet 1945-‘49), Xhorxhina Hodges, një vajzë nga Saranda, Polikseni quhej, mbiemri s’më kujtohet tani, etj.
Në atë kohë, prej sa personash përbëhej familja juaj?
Në ishim shumë: Babai, nëna (që ne i thërrisnim Ane), pesë vëllezër dhe tre motra. (Shanishaja, motra e madhe, dt. lindja, 1922, Tefta, 1923, Viktori, 1925, Luani, 1927, Veronika 1929, unë, Tomorri, 1930, Leka 1931 dhe Ernesti 1936. Bashkë me ne në një shtëpi jetonte dhe xhaxhai, Kutbiu, që ishte mësues.
Sa shpesh vinte Nexhmija te shtëpia juaj dhe për sa kohë?
Nexhmija me shoqet e tjera që përmënda më sipër, vinin pothuaj çdo fund jave, por ndonjë herë edhe ditë të tjera të javës, pasi ne e kishim shtëpinë jo shumë larg me shkollën e tyre, Institutin “Nana Mbretneshë” dhe ato përfitonin nga rasti e vinin kollaj aty. Pra, nga shkolla te shtëpia jonë, as 10 minuta rrugë nuk ishte, pasi atyre u duhej të kalonin vetëm sheshin “Skënderbej” dhe vinin ose nga rruga e Kavajës, ose nga Rruga e Durrësit.
Ju e mbani mënd Nexhmijen dhe shoqet e tjera që vinin në shtëpinë tuaj?
Posi nuk i mbaj mënd, si tani. Madje unë shkoja dhe i merrja në fund-javë të shkolla, ose vëllaj, Viktori, i cili ishte pesë vite më i madh se unë dhe ai ishte caktuar nga babai që të shkonte dhe t’i merrte shoqet e motrës te konvikti. Por kur ai ishte duke mësuar, apo duke luajtur me shokët, shpesh më dërgonte dhe mua.
Po pse nuk vinin vetë ato?!
Jo, sepse ishte rregull që po mos të shkonte një person nga familja që ishte garant për to, për t’i marrë në fund-javë, nuk lejohej që të dilnin nga konvikti. Madje, jo vetëm duhej të shkonim që t’i merrnim të shtunën pasi mbaronte mësimi, por edhe t’i përcillnim prap të dielën në darkë apo të hënën në mëngjez, deri tek dera e konviktit. Kjo bëhej që vajzat konviktore që të ishin nën kontroll dhe të sigurta për çdo gjë.
A kujtoni ndonjë bisedë me Nexhmijen kur shkonit për t’i marrë dhe për t’i përcjellë përsëri për në shkollë?
Unë kam qenë më i vogël dhe pak kujtoj, por Viktori që ka qenë pesë vite para meje, ishte “familjarizuar” shumë me to dhe kujtonte shumë biseda. Viktori na tregonte se pasi i percillte vajzat, kryesisht, Nefon me Nexhmijen, se ato të dyja vinin për të fjetur të shtunave dhe të dielave te ne, kur ndaheshin te porta e konviktit, Nexhmija i thoshte: “Tori, mos harro të vish të na marrësh të shtunën që vjen”.
Te shoqet e motrës suaj, përveç Nefos dhe Nexhmijes, përmëndët edhe Xhorxhina Hodges. Nga mbiemri duket e huaj…?!
Jo, edhe Xhorxhina shqiptare ishte, por mbante atë mbiemër pasi atë e kishin adoptuar një familje angleze që ishte asokohe në Shqipëri. Edhe emrin në mos gaboj, ia kishin modifikuar. Në mos gaboj, Xhorxhina, ishte e motra e Zoica Haxhos, balerinës së famëshme të Operas e Baletit, që ka qenë e “Heroinë e Punës Socialiste”. Nuk e disa sa i saktë jam për këtë dhe ma merrni me rezerva, pasi kanë kaluar gati më shumë se 75 vjet që nga ajo kohë.
Sa kohë zgjati ai “ritual”, pra për sa vite vazhdoi Nexhmija me Nefon të vinin në shtëpinë tuaj?
Po afro shtatë vjet, që nga viti 1937 kur ne erdhëm në Tiranë e deri nga viti 1942-’43, pasi ato vazhduan të vinin edhe pas mbarimit të Institutit “Nana Mbretneshë”, pasi motra, Shano, e ruajti miqësinë me to.
Si shpjegohet, pasi në vitin 1942, babai juaj, Hasan Dosti, ishte ministër i Drejtësisë në qeverinë e asaj kohe nën pushtimin Italian, ndërsa ato, Nexhmija me Nefon e Naxhije Dumen, ndërkohë ishin angazhuar në Lëvizjen Antifashiste dhe Rininë Komuniste. Si mund të vinin ato në shtëpinë tuaj…?!
Duket e pabesueshme, por është shumë e vërtetë që ata kanë ardhur, pasi dhe motra jonë bënte pjesë me Grupet Antifashiste, ku pjesa më e madhe e tyre ishin bashkuar apo ishin me Rininë Komuniste. Dhe për këtë arsye, sapo babai, Hasani, e morri vesh për motrën tonë, Shanon, që merrej me ato gjëra, pra që bashkëpunonte, apo më saktë ishte pjesë e atij grupi vajzash me ideale komuniste, e hoqi dhe e dërgoi për studime të larta në Itali, në degën e Farmacisë. (Nuk qëndronte atje, por shkonte dhe vinte kur kishte provimet). Po ju them edhe faktin tjetër, jo vetëm kaq, por Xhorxhina Hodges, ka ardhur në shtëpinë tonë me uniformën e partizanes me armë ne brez dhe ne e kemi pritur e përcjellë njësoj sikur të kishte qenë motra, jonë, Shano. Faktin që ato vajza, pra shoqet e motrës vinin në shtëpinë tonë, e ka pranuar vetë Naxhije Dume, në kujtimet e saj të bërë publike tashmë prej vitesh, ku midis të tjerash ka shkruar: “Ne, me Nexhmije Xhunglinin, Nefo Puton etj., i bënim mbledhjet tek shtëpia e ministrit, Hasan Dosti, pasi kishim shoqe të ngushtë, Shanishanë, vajzën e tij…”. Por desha të shtoj se në atë kohë nuk shikoheshin këto gjëra, pra ndarja; komuniste-balliste, me atë sy që u panë pas mbarimit të Luftës. Vetë Enver Hoxha, rrinte tek shtëpia e kunatit të tij, Bahri Omarit, që ishte ministër i Punëve të Jashtëme dhe eksponent i lartë i Organizatës nacionaliste, Balli Kombëtar. /Nga Dashnor KALOÇI, Memorie.al/