11 Shtator 2001! Dita kur rrjedha e historisë së njerëzimit ndryshoi plotësisht. Edhe sot pas 23 viteve, ata që kanë lindur pas kësaj date apo që kanë qenë të vegjël, sot e kuptojnë lehtë ndryshimin para dhe pas datës 11 shtator 2001. Mjafton një lundrim i thjeshtë në internet dhe çdo gjë është e qartë.
“Kullat Binjake” nuk u zgjodhën rastësisht. Ato ishin simboli jo vetëm i SHBA- ve por edhe i tregtisë së lirë dhe ekonomisë globale. E gjithçka ndodhi në atë që mund të konsiderohet “zemra” e këtij vendi por edhe e njerëzimit. Rreth 3 mijë jetë u shtuan, mbi 25 mijë të tjerë u dëmtuan apo vūājtën pasojat e kësaj ngjarje, mbi 10 miliardë USD ishte dëmi ekonomik i shkaktuar.
Nga 11 shtatori 2001, njerëzimi hyri në një përballje frontale. Jo se nuk kishte ekzistuar më herët, por nga kjo datë e mira dhe e keqja do të viheshin përballë në një betejë që vetëm sa kishte nisur. Betejë që vazhdon akoma edhe sot dhe shenjat janë se nuk do t’ia shohim fundin shpejt. Kombet u ftuan dhe janë të ftuara edhe sot, të bëjnë rreshtimin, të gjejnë vendin që duan të kenë në këtë përballje.
SHBA- të mund të kenë humbur ndonjë betejë në historinë e tyre. Por ajo që na ka mësuar historia, asnjëherë nuk kanë humbur luftën. Prandaj në krah të tyre, u rreshtuan kombet më të civilizuara, më të zhvilluara, më demokratike e më paqedashëse të globit. E prandaj, nga 11 shtator 2001, SHBA- të dhe aleatët e tyre, kanë fituar të gjitha betejat e kësaj lufte.
Sot, 23 vjet pas kësaj date që ndryshoi rrjedhën e historisë së njerëzimit, secili nga ne dhe jo vetëm shtetet e kombet, duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre. Në krah të së mirës apo të së keqes? Shumë njerëz, për arsye të ndryshme, vazhdojnë ta kenë këtë dilemë. Edhe pse në vitin 2024, qartësisht çdokush duhej të kishte bërë zgjedhjen e duhur! /Shënim i ShkodraWeb/