Filipi, ishte djali i shtatë i familjes së Logorecve, që sapo mbaroi gjimnazin ra viktimë e sigurimit komunist, tuj e burgosë për ndёshkim të asaj çka i vëllai, Antoni fliste çdo natë në Radio Londra kundër regjimit. Çdo ditë e ma shumë ia shtërngonin prangat djaloshit të ri, tuj i kujtue “trillimet” e të vёllaut kundër partisë derisa gjymtyrët ju gangrenizuan dhe doktori i burgut “u detyrue” me ja kёput cung, tuj e lanë pa krahë, e pa njenёn kambë që ja “griu” tuberkulozi i kocave.
…Kur kapterri i burgut hapi derёn, terri i birucёs sikur u thinj nga nji rreze e zbehtë drite. Të gjithë sa ishin aty lёvizën frigshëm mbi shtrojet e zhelueme të vendosuna mbi dyshemenё e lagun. Heshtje. Ndigjohej vetëm ndonji dihatje e randë e mbytun në erë urine e djerse, që ishin të përhershme si terri…
-Cili është Filipi, ulëriti gardiani me ton brutal prej komunisti fanatik jugor. Ngrehu të marrësh ushqimin që tё solli familja…
-Ai nuk mund të ngrihet, zotni komandant, u ndigjue nji za qi dridhej… Ai asht shumë i smunë e ka ra në kllapi prej ethesh… Kapterri hodhi mbi çimento me zhurmë tasat e ushqimit tuj mallkue e sha me bezdi…
Zef Staku, nji djalë rinok shkodran, qi i madhi Zot ja kishte “dёrgue” të smunit 23 vjeçar, tue i shёrbye si vllaut, u mundue me i vue në buzё pak lang mishi sjellë me sakrifica prej familjes. Edhe pse ishin 13 vetë, në qeli zotnonte nji heshteje mortore. Kërkush nuk bzante tue respektue orët e fundit të jetës të shokut të vuejtjeve. Në shpi t’Filipit, t’amёs Marijes, e cila rrinte me orë të tana mbas dyerve të randa të burgut me marrё ndoj lajm për të birin, kishte fillue me ja pushtue shpirtin nji ndjenjë shkretnimi, e zemra në krahnor po i rrahte si e tёrbueme.
-Qyqja unë, filloj me mendue drithshëm, tue qitë nji psherëtim të randë prej shpirtit… A thu m’ka gjetё gja djalin… Kumbona i kishës së fretenve lajmroj orёn tre, por tingllima e saj, nanës iu duk vajtueshëm.
-Zef, nanës, mi ço fjalë! – pёrshpёriti nga buzët e shpirti i plasun, ndër grahma i burgosuni… – I thuej qi e du shumë… nanës!
Tue lshue nji pikë loti dhe kryet rrzue në prehnin e vllaut të vuejtjeve qi e shtërngonte në gji… Larg u ndien kumbonët, ndërsa Zefi përshpёriti në heshtje lutjen e fundit për shpirtin e shokut tё vet.
Dera u hap furishëm e heshtjen e përmortshme të qelisë e prishi ardhja e kapterrit, i cili tuj mbështjell me thasё trupin e pajetë të Filipit ju kërcnue me urrejtje të tjerve:
-Njikshtu si “ky”, keni me dalë edhe ju t’tjerët prej ktu…
Njё histori reale e ndodhun ndёr birucat famkeqe tё burgut tё Shkodrёs, nga kujtimet e mia pёr axhёn tem Pjetёr Logoreci. /Marrë nga Facebook i Agustin Mirakës/