Prej disa vitesh pushonte në qytetin e Durrësit, i sistemuar në hotel-restorant “Kështjella”, buzë deti te “Bërryli”, humoristi i madh shqiptar, Gjosho Vasia. Edhe pse mbi shpatulla kishte mbi shtatë dekada, Vasia i veshur sportiv, së bashku me të shoqen, Blerina, me të cilën kishte mbi 60 vite gëzime e vuajtje, mbahej mjaft mirë. Në vitin 1991, ai emigroi në Itali në mënyrë klandestine, por kishte dëshirë të kthehej, për të ngritur një grup humori. Vasia, thoshte se ka blerë një apartament në Durrës dhe sapo të përfundonte ai, do t’i linte lamtumirën Triestes, vendit ku jetonte prej 16 vitesh. Një qëndrim buzë deti për të parë peizazhin te “Kështjella” dhe ftesa e pronarit të lokalit, për të pirë një kafe me parodistin e “plagosur e të vrarë” nga regjimi komunist, i dha shtysë intervistës sonë me të, kjo, edhe për të risjellë në kujtesën e artëdashësve të shumë që ai kishte jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe anë e kënd Shqipërisë, si një aktor i madh i përmasave kombëtare.
Z. Vasia, keni nisur herët të krijoni e të luani në kitarë?
Internimi më mësoi shumë gjëra. Pasioni im për kitarën ka qenë pasioni, jeta, vuajtja dhe gëzimi im. Kitara, humori, parodia, skeçet, krijimet e ndryshme, loja në skenë, improvizimet dhe imitimet më kanë krijuar personalitetin, më kanë dhënë mundësi të shfaq dëshirat e popullit tim dhe të luftoj veset e shoqërisë. Për të mos thënë pastaj që humori më internoi e më “plagosi”, por edhe më gëzoi e lumturoi, pasi njoha dashurinë time me të cilën gëzoj më shumë se 60 vite.
Doja të vdisja për kitarën. I’a mora një shoku tim këtë vegël dhe pasi mësova 6 akorde, shkova në “Piacë” të Shkodrës ku mbahej një koncert dhe i’u luta regjisorit Paulin Sekuj, të më jepte mundësi të interpretoja. Këmbëngulja ime e bindi. Dola në skenën e improvizuar në shesh, m’u në mes të “Piacës”, atje ku shkodranët kryejnë edhe sot e kësaj dite xhiron e mbrëmjes, në ritualin e tyre të vjetër e të trashëguar me fanatizëm. Sekuj nuk më njihte, por pasi pa këmbënguljen time pranoi. Nuk i tregova emrin dhe as që isha vëllai i Kolec Vasiajt, që ishte arratisur në vitin 1948 për në Kanada.
Ai ishte një nga nxënësit që mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Imzot Monsinjor Gaspër Thaçit, në vitin 1947 mesa më kujtohet. Policia kishte vënë një kamion për të bllokuar rrugën. Nxënësit e studentët e Shkodrës e kapën peshë kamionin dhe i hapën rrugë karrocës me trupin e të ndjerit Imzot Thaçi. Këtu nisi persekutimi. Disa pjesëmarrës të varrimit i vrau Sigurimi i Shtetit, kurse vëllai im, u arratis fillimisht në Lusën të Kukësit e, që aty kapërceu kufirin për të përfunduar në Kanada.
Sapo isha kthyer nga internimi dhe pak moshatarë të lagjes më njihnin, por atyre u rrija larg për të mos rënë në sy që dikush më pas të interesohej për biografinë time. Kështu u ngjita si papritur në skenë. Unë luajta një pjesë të krijuar nga i madhi Pjetër Gjini. “Pjaca”, shpërtheu dhe kërkoi të më rikthente në skenë për të kënduar përsëri. Nuk dija këngë tjetër dhe u detyrova të përsëris dy vargjet e para të këngës së kënduar. Njerëzit më mësuan emrin dhe fillova të kërkohesha në mbrëmje e darka, kurse Sigurimi i Shtetit më përgjonte.
Si vazhdoi më pas karriera juaj si muzikant?
Një natë tjetër ftohem në tek “Kafja e Madhe”. Shkodranët e dinë mirë këtë vend si dhe të tjerë që e kanë vizituar vendin ku unë u linda. Vjen kamerieri e më pyet nëse unë do të pija raki, vodka, fërnet, verë, apo diçka tjetër. Nuk pija kurrë alkool. I them atij të më linte rehat, por pa rendiment kjo kërkesë. Ai më thotë se ka edhe pije grash. Quhet liker dhe është me bojë pjepri.
Desha nuk desha e pranova. Pasi e piva njerëzit filluan të më dukeshin dy e tre bashkë. Edhe goja nisi të më merrej. Isha dehur me një gotë 20 gramëshe. Sapo nisi mbrëmja nuk prita dhe fillova nga humori. Sajova në vend bejte e melodi, i bija kitarës dhe e qeshura nuk mbaronte aq sa dikush, ulej galuc nga karrigia apo vendoste duart diku për t’u mbajtur. Me kitarë isha në gjendje të bëja 12 zëra.
Mund të kujtoni disa episode që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen tuaj?
Karriera ime e vërtetë nisi në burg në Durrës, ku u dënova pse isha shpallur fitues i një Spartakiade Kombëtare. Jam ndoshta i vetmi njeri në botë, që dënohet pse shpallet fitues kombëtar. Isha ushtarë në Durrës dhe aty u federova në garat e kërcimit së larti. Ishte viti 1959, pesë vite pasi isha kthyer nga internimi. Komandant kisha një zotëri burrë nga Skrapari. Emri nuk më kujtohet nga që e thërrisja gjithmonë “komandant”. Më thërret dhe me shumë mirëbesim më thotë se, Sigurimi i Shtetit, nuk do të më lejonte të shkoja në takimin kombëtar në Tiranë.
Rezultatet i kisha mjaft pozitive. I tregova komandantit se do të gjeja një rrugë e do të shkoja. Kështu bëra. Spartakiada zgjati disa ditë. Hipa në një kamion dhe sapo arrita afër Aeroportit në Tiranë, kërceva në tokë. Me vrap arrita te stadiumi e u futa vjedhurazi në pistë pranë gropës ku do niste gara. Një grua po regjistronte emrat e pjesëmarrësve. U afrova dhe i thash: Quhem Gjon Vërria.
Gruaja që më njihte nga që rezultatet e mia ishin të njohura më tha se quhem Gjosho Vasia, por unë përsëri këmbëngula tek emri i parë. Nisi gara. U shpalla fitues dhe filluan edhe të më bëjnë foto. Për të mos u dalluar, kurorën me dafina në kokë, e ula shumë poshtë dhe shtrembërova fytyrën për të deformuar mimikën e pamjen e vërtetë. Të nesërmen, gazetat shkruajnë: “Gjon Vërria nga Durrësi, shpallet fitues në kërcimin së larti”.
Në gazetë dola edhe me kordelen e ulur të dafinës si dhe me fytyrë të deformuar. Por një gjë e tillë nuk i shpëtoi Sigurimit të Shtetit. Një ditë më pas u korrigjua emri në gazetë, kurse mua më thërriti një agjent i Sigurimit Ai m’i mori dekoratat dhe më dënuan me 20 ditë burg në repart, pse unë kisha marrë pjesë në spartakiadë e isha shpallur fitues!
Po karriera juaj e humorit si dhe kur nisi?
Karriera si humorist nisi këtu, në Garnizonin e Durrësit, ku nisa të organizojë edhe Estradën me ato krijime e orkestrime që “gatuaja” pa ndihmën e të tjerëve. Duke qenë se estrada nisi t’u pëlqejë eprorëve, ata vendosën të më dënojnë edhe disa ditë të tjera, për të më mbajtur për numra të tjerë, por ndërhyri komandanti im, i cili më kërkoi të rikthehem në repartin tim, nga ku isha nisur për Spartakiadë. Kam shumë kujtime, siç u thashë të hidhura e të gëzuara.
Pasi jeni liruar nga ushtria ju keni ngritur e drejtuar shumë grupe estrade dhe keni ndikuar në krijimin e personalitetit të shumë artistëve të rinj. Ç’kujtoni nga kjo periudhë?
U ktheva në Shkodër dhe më sistemuan me punë në Fermën “Perlat Rexhepi”, ku dhe aty ngrita grupin e estradës. Gjeta talente shumë të rrallë, si: Elez Kadria e Mërgim Muhja. Morëm edhe shumë të tjerë dhe fituam në takimin zonal në Shkodër vendin e parë. Sa për dijeni, gjithmonë kam fituar vendin e parë në çdo konkurrim. Po deshe, shkruaje një herë këtë fakt, po deshe përsërite sa herë që unë pohojë pjesëmarrjen në gara. (Qesh). Nga këtu shkova në Fabrikën e Cigareve në Shkodër me emra të tjerë të pasionuar, si: Muharrem Nurja, Tonin Tërshana, Fatmira Puka, Omer Osmani etj. Paroditë tona, interpretimet, imitimet, libreti, regjizura dhe gjithçka u pëlqyen nga juritë që gjithnjë na stimulonin me trofeun e vendit të parë çdo vit.
Pse ikët nga Shkodra, apo doli në skenë biografia juaj?
Në vitin 1967 në vendin tonë kishte nisur fushata e “gjuetisë së egër” dhe fillimisht në art e kulturë. Më vonë kuptova se edhe në Kinë, kishte nisur Revolucioni Kulturor. Në Shkodër erdhi Feçor Shehu dhe në rrugën e “pastrimit të skenave” nga element “antiparti”, para artistëve dhe anëtarëve të partisë së mbledhur enkas për takim, përmendi emrin tim. Feçori më kujtoi para të tjerëve se, kisha një vëlla të arratisur. Këtu nisi tatëpjeta tjetër. U transferova në Hidrocentralin e Vaut të Dejës.
Kishte vetëm një javë kohë dhe do të mbahej Festivali i Estradave në rreth. I kërkova drejtorit të kantierit të më lejojë të ngre grupin e estradës. E kisha me pasion dhe nuk u trondita as nga fjalët e Feçor Shehut e, as nga transferimi si dënim. Drejtori, një burrë zotni, më dha makinën e kështu shëtita nëpër kantier e mblodha 15 të rinj e burra, me të cilët nisa provat me orë të gjata gjatë gjithë natës. Ishin të pasionuar dhe fituan edhe talent. Shpejt e shpejt shkuam dhe në Shkodër, pas një jave. Edhe këtë herë fitova vendin e parë e sigurova të drejtën për të konkurruar në Festivalin Kombëtar në Tiranë.
Në Vaun e Dejës, mora me vete edhe Zef Dedën. E kisha parë një ditë në rrugët e Shkodrës. Ishte diku tek 16-17 vjeç dhe ne njiheshim familjarisht. Vinte nga një familje shumë e varfër. I ati ishte në gen artist, por vdiq shpejt dhe i la të vegjël. Kështu Zefi u detyrua të punojë. Sapo e pashë në rrugë, e pyeta se ç’kishte ndodhur. Më thotë se e kishin përjashtuar nga puna, nga që e kishin zënë në turnin e tretë, duke fjetur gjumë në një raft. Drejtori i kantierit në Vaun e Dejës, Napolon Qendro, e pranoi kërkesën time dhe e regjistroi përsëri në një vend pune. Zefi u bë talent i vërtetë.
E kisha këtë besim, pasi shfaqte dukshëm elementët e një artisti të vërtetë. Ai më ndihmo jashtëzakonisht dhe kjo na dha mundësi të merrnim “Medaljen e Artë” në konkurrimin ku morëm pjesë. Në afishen e vënë në Tiranë për estradën e Vaut të Dejës, ishte hequr emri im dhe ishte shkruar si regjisor e drejtues grupi, emri Himnit Ukaj. Në fund të konkurrimit, grupi ynë mori “Medaljen e Artë”. Ministri i atëhershëm i Arsimit dhe Kulturës, Thoma Deljana, që e kishte ndjekur nga afër persekutimin tim, më kërkoi, më hodhi krahun dhe ashtu kaluam në rrugët kryesore të Tiranës.
Qëllimi i tij ishte të më rehabilitonte mua dhe të bindte të tjerët në aftësitë që unë kisha. Por nuk zgjati shumë kënaqësia. Fadil Paçrami në vitin 1971, më tërhoqi në Tiranë, për të ngritur estradën në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” dhe në Tiranë mora edhe shtëpi. Me Plenumin e IV-të, vetëm 3 vite pasi isha sistemuar edhe me shtëpi në Tiranë, nisi sërish godita ndaj meje. Nga Shkodra kishin mbërritur shumë ankesa pse unë isha transferuar, ndërsa Paçrami, mes të tjerash u ndëshkua edhe pse më kishte përkrahur mua. Kështu u ktheva në Shkodër, në Fabrikën e Cigareve.
Në vitin 1991 ju jeni larguar nga Shqipëria. Ç’u shtyu të largoheshit dhe të sakrifikonit jo pak?
Unë kam lënë vendin tim më 27 mars 1991. E bisedova me bashkëshorten, Blerinën dhe vendosëm që të shisnim shtëpinë për të fituar paratë që duheshin për udhëtim. Do të ikja nga Shqipëria, por se ku do të përfundoja, nuk e dija saktësisht. U largova nga Shkodra dhe u vendosa disa ditë në Tiranë. Një i afërt më thotë se një vajzë që banonte pranë apartamentit ku u vendosa, kishte të atin punonjës Sigurimi dhe ai mund të më ndihmonte të arratisesha.
Pas tundimeve, nga frika e arrestimit pranova, por nuk ishim takuar pasi punën e bënte ndërmjetësi. Më kërkoi dollarë dhe pranova për dy bileta nga Rinasi në Itali. Punonjësi i Sigurimit të Shtetit, u mor vet me të gjitha, nga pasaporta deri te bileta e hipja në avion në Rinas. Erdhi dita e ikjes. Kur u futa në Rinas, ma treguan me gisht. Unë e pyeta për emrin, por ai më tha se nuk më duhej gjë dhe se ishte personi që unë kërkoja. Filloi të rriste pazarin, pasi më kërkoi para shtesë.
Në fillim 100 dollarë, më pas 100 të tjera, edhe 50 dollarë. Më pas më pohoi se nuk do nisesha më atë ditë. Kërceva në këmbë dhe këmbëngula. Atëherë ai më kërkoi edhe 100 dollarë. U ula në fund të sallës në një karrige. Për të mos u vënë re mora një gazetë dhe e vendosa në sy për të mos u diktuar, por për t’u dhënë të kuptojnë se po lexoja. Pas 30 minutash pashë se gazetën e kisha mbrapsht. Ajo që më shty të ikja, ishte mungesa e lirisë. Këtë ia thashë edhe punonjësit të Sigurimit në kohën që u përshëndetëm.
Pra, ju u ndihmuat për t’u arratisur nga një punonjës i Sigurimit të Shtetit…?
Atij i interesonte paraja, kurse mua dhe Blerinës, na interesonte vetëm liria. Në kohën që po ngjitesha për në avion, u ndala diku në mes të shkallëve. Ktheva kokën dhe pashë punonjësin e Sigurimit të shoqëruar nga ndërmjetësi. Ishin të shumtë ata që më njihnin në aeroport dhe kur më pyesnin u thoja se po përcillja dike, e do kthehesha menjëherë. Më ndanin nga liria vetëm tre-katër shkallë dhe nuk ikja dot pa falënderuar atë që më ndihmoi, të fitoja lirinë. Sapo ndesha në sytë e tij u afrova dhe i them me plot gojën: “Faleminderit”!
Në dy anët e shkallëve kishte ushtarë dhe biseda nuk duhej të merrej vesh, ndryshe përfundoja në hekura. Punonjësi i Sigurimit ma ktheu menjëherë: “E ke paguar”. Unë reagova dhe nën emocione të forta ia ktheva duke i thënë: “Liria nuk paguhet”! Kaq dhe gjithçka u mbyll për 15 vite. U vendosa në Trieste dhe kam shkelur në Shqipëri vitin e kaluar. Jetoj shumë mirë në Itali. Djali Luçiano, ka kryer studimet dhe është i punësuar në një qendër studimore e kërkimore në Kanada, kurse vajza, Anxhela në Trieste, me familjen e saj.
Unë e Blerina, do kthehemi për të jetuar në Durrës, shumë shpejt. Synoj të krijoj grupin e estradës dhe do i’a arrijë. Unë e dua artin, skenën, estradën dhe nuk mund të jetoj pa të. Në Itali kam shkruar shumë pjesë. Janë me qindra e mijëra. Kam bërë edhe një libër me parodi titulluar “Epopeja e llumit kombëtar”, si dhe kam shkruar shumë pjesë komike e satirike të botuara në shtypin e huaj, kryesisht atë amerikan.
Njohja në internim me bashkëshorten
Vasia: “Çdo përvjetor njohje, i shkruaj letër gruas, deri tani janë bërë 55 të tilla”!
Një pjesë të jetës Gjosho Vasia e ka kaluar në internim, një pjesë në Tepelenë dhe një pjesë në Skrapar. Madje atje, në Skrapar, është njohur edhe me gruan e tij të ardhshme. Sot pas më shumë se gjashtë dekadash, ai jo vetëm që e mban mend ditën e parë të njohjes, por edhe e kujton sipas mënyrës së tij, pse jo origjinale…!
Lidhur me këtë, Gjosho kujton: “Pas arratisë së vëllait tim Kolec Vasia, nuk vonoi edhe ndëshkimi. Një vit më pas, në vitin 1949, ne u internuam në Tepelenë që asokohe quhej “Aushvici shqiptar”. Torturë e vërtetë të jetoje atje dhe në ato kushte barbare, skllavëruese. Qëndruam deri më 1954 dhe kam shumë kujtime të hidhura. Por, dua të kujtoj atë që më dha kënaqësi të jetoj e, të jem edhe sot krenar. Pasi qëndruam disa vite në Tepelenë, u transferuam në Skrapar. Ishte 21 mars 1952, ditë pranvere.
Dola në Çorovodë, qendër e rrethit. Isha i ri dhe po vëreja vajzat që kalonin në qytezën e vogël. Sytë më shkuan te vajza e bukur që më pas u bë gruaja ime. Quhej Blerina. Dukej nga veshja që nuk ishte e asaj ane. U afrova dhe pa drojë i them se; jam i internuar e më quajnë Gjovalin Vasia. Edhe ajo ishte e internuar. I ati saj ishte Jonuz Kaceli, intelektuali i dënuar pa gjyq dhe i pushkatuar së bashku me 21 intelektualët e tjerë për çështjen e të ashtuquajturës ‘Bomba në ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë’.
U dashuruam dhe vendosëm të lidheshim bashkë. Sajuam një kod më vete për të mos rënë në sy. Një ditë u futa nën tela dhe pasi kalova pa u vënë re nga rojet, shkova te burimi ku takoheshim fshehurazi. Lashë një letër në njëvjetorin e njohjes. I shkrova që e kam puthur në faqe edhe pse ende nuk e kisha puthur. Që atëherë unë i shkruaj do vit gruas nga një letër dashurie. Sivjet ishte letra e 55-së dhe Blerina i ruan të gjitha me fanatizëm”, kujton Gjosho Vasia.
Plenumi IV i PPSh-së, 27 qershor 1973: “Udhëheqja”, merret edhe me Gjosho Vasinë…!
Muho Asllani: Gjosho Vasian që ka qenë i internuar në Lushnjë, pse e kanë përkrahur?
Mehmet Shehu: Ky është Gjergj Gaberi, për të cilin unë kam tërhequr vërejtjen në telefon. Është ai diversanti që ka ardhur që andej!
Mihallaq Ziçishti: Të na i sqarojë mirë këto Todi, se ai po thotë se: “jam dakord me të gjitha ato që u thanë”. Por të na i sqarojë, nëse këto kanë qenë pikëpamje apo edhe grupime.
Enver Hoxha: Tani ai do t’u përgjigjet pyetjeve.
Todi Lubonja: Unë mendoj se këtu grupime nuk ka. Marrëdhëniet e mia me Fadil Paçramin, pavarësisht se ndodhi kjo, që u lidh një krushqi midis nesh, e cila nuk varej nga vullneti e dëshira ime, nuk kanë qenë marrëdhënie të lidhura. Për këtë edhe shokët mund të flasin. /Memorie.al/