U ktheva vonë nga Velipoja ku kishte fituar kandidati i PD-së dhe isha i gëzuar se F.Hafizi më kishte telefonuar për humbjen e Ramiz Alisë. Kur hyra në selinë tonë aty afër mesnate, atmosfera ishte disi entuziaste sepse ne kishim fituar në 17 zona elektorale nga 19- të por në rang kombetar rezultatet që kishin dalë deri në këtë orë, nuk ishin të kënaqëshme.
Shkurtimisht diskutuam se duhej të ishim syhapët dhe gjakftohtë, të ruheshim nga provokimet dhe çdo veprim duhej të ishte i koordinuar me parë. Dola në rrugë për në shtëpi dhe dëgjova krisma të zgjatura automatikësh që vinin nga Dega e Punëve të Brendëshme. Kuptova se ky ishte dhe një paralajmërim për Shkodrën që i kishte dhënë një goditje befasuese regjimit gjakatar komunist si asnjëherë më parë gjatë 50 viteve tësundimit! Krismat dëgjoheshin edhe deri aty nga ora 2 e natës që më zuri gjumi.
Të nesërmen u nisa si zakonisht në orën e caktuar për në selinë tonë. Në rrugë kishte shumë njerëz që flisnin të revoltuar e të zhgënjyer dhe më ndaluan për ndonjë “lajm të mirë” sepse ata kishin pritur rrëzimin e komunizmit në këto zgjedhje. Kur arrita tek selia, ishin grumbulluar shumë njerëz qëe dhe lëshonin parulla të ndryshme antikomuniste!
Sali Berisha thirri në telefon dhe krejt shkurt më tha: Ne i njohim zgjedhjet! Kaq ishte komunikimi me të, asgjë më shumë. Këtë u’ a transmetova verbalisht atyre anëtarëve që ndodheshin prezent aty në seli. Në vlerësimin tonë nuk kishte shumë rëndësi si i vleresonte Sali Berisha zgjedhjet. Ne kishim fituar në Shkodër dhe instinkti jonë politik na bënte që të ishim të matur dhe mos të shkaktonim situata që mund të shfrytëzoheshin për të ushtruar dhunë dhe reprezalje në Shkoder nga një regjim që tashmë duke dhënë shpirt, ishte vërtetë i rrezikshëm.
Ne vërtetë kemi mbajtur një linjë politike me qendrën por kemi qenë vërtetë të pavarur në vendimet dhe zgjidhjet që kemi bërë së bashku si Komitet Drejtues i PD- së së Shkodrës. Ne dijeni time, as kemi kërkuar ndonjë këshillë (sepse s’ e kemi patur të nevojshme) dhe të gjithe kemi patur një start…askush nuk ka patur eksperienca në politikë dhe nuk kemi patur asnjë ndikim sepse kemi patur vërtetë një qartësi politike për atë kohë dhe në ato rrethana. Për këte ndihëm krenar sepse kemi përfaqësuar Shkodrën denjësisht!
Aty nga ora 10:30 arriti në zyrat tona shefi i Policisë Dilaver Papare me zëvendësin e tij Gjek Çelaj, të cilët na kërkuan që të largonim protestuesit. Azem Hajdari nga kati i dytë bënte thirrje për qetësi dhe të prisnin rezultatet përfundimtare në rang kombëtar…në radio! Të lodhur e të paduruar protesuesit u zhvendosën para Komitetit të Partisë dhe u ulën në shesh duke lëshuar parulla antikomuniste. Ne e vlerësuam situatën të rrezikshme dhe bëmë përpjekje për të shmangur konfrontimet me forcat e policisë që ishin në hollet e Komitetit të Partisë të armatosur me automatikë.
Mbasdreke me Pjetër Arbnorin dhe Ali Spahinë shkuam tek Komiteti i Partisë për të qetësuar demonstruesit. Nga shkallët ku ne u vendosëm dhe dera e jashtme e xhamtë e godinës, dukeshin forca të shumta policore me automatike të varur në gjoks dhe me shkopinj gome në duar ashtu gati për një urdher për t’u lëshuar mbi protestuesit! Të ndërgjegjshëm për këtë situatë organizuam një prezencë permanente nga ne me protestuesit deri nga ora 9- të e darkës që u shpërndanë për tu mbledhur të nesërmen.
Me 2 prill në mëngjes u nisa për tek selia jonë dhe arrita në orën 07:55. Pjeter Arbnori me tha se “na kërkon kryetarja e Komitetit Ekzekutiv Terezina Marubi të dyve në orën 8:20”. U nisëm dhe rrugës pothuajse nuk folëm dhe kur arritëm në shkallët e Komitetit Ekzekutiv dukeshin demonstruesit të ulur në shesh paqësisht duke lëshuar parulla antikomuniste dhe një skalion tjetër protestuesish në këmbë pas atyre që ishin ulur.
U ngjitëm në zyrë dhe u përshendëm ftohtë me kryetaren. Pas 2 minutash hyri me vrull shefi i Policisë Dilaver Papare dhe me egërsi na tha: Ju përsëri i keni dërguar protestuesit edhe sot…biles më të shumtë në numër. Tani keni çuar edhe studentët e shkollave. Ju kemi duruar shumë tha dhe u ul. Jo i thamë! Ne nuk kemi dërguar askënd për të protestuar! Por ata janë njerëzit tuaj, vazhdoi Papare, dhe ju duhet ti largoni menjëherë!
U grindëm edhe pas ndërhyrjes së T. Marubit, në këtë situatë propozova: “Le të dalë një përfaqësi nga protestuesit dhe të vijne këtu. Le ti dëgjojmë çfarë thonë e çfarë duan!”. Dilaver Papare s’ u durua! U ngrit në këmbë, u afrua tek dritarja dhe dha urdhërin ne radio: Veproni! Menjëherë u ngrita dhe unë dhe shkova tek dritarja. Policët të armatosur që ishin të rreshtuar përgjatë godinës së Komitetit të Partisë në formacion luftimi, u lëshuan me vrap mbi studentët protestues duke i goditur me shkopinjtë e gomës.
Disa mbetën në tokë, të tjerë vrapuan për të ikur. Në shesh dukeshin çanta shkolle, kepucë dhe libra. E ndoqa skenën e dhunës mbi protestuesit paqësore aq sa nuk mund të dallohej gjë nga dritarja. Nuk vonuan më shumë se 2 minuta kur pashë policët duke ikur me vrap sa u hanin këmbët në drejtim të Komitetit të Partisë, të ndjekur nga protestuesit tashmë.
Policët, kur arritën përpara Komitetit të Partisë, u rreshtuan në formacion luftimi dhe breshërisë së gurëve dhe sendeve të tjera të forta të lëshuara në drejtim të tyre, i’ u përgjigjën me zjarr. Mendova se po qëllonin me fishekë manovre. Kur pashë se njerëz po rrezoheshin në tokë, i bërtita Papares me gjithë fuqinë e zërit që të ndalonte zjarrin. Hapi radion dhe tha: Ndaloni zjarrin!
Në çast u dëgjua përgjigjja e Gjek Çelës, zëvendesit: Policët nuk mund të përmbahen më! Pjetri i revoltuar i’u drejtua T. Marubit që të ndalohej zjarri. Shihja njerëz që përsëri rrëzoheshin dhe të tjerë që vraponin t’ i ndihmonin. Dolem të tre jashtë, Paparja u nis në drejtim të Komitetit të Partisë. Poshtë na thanë si ishte vrarë Arben Broci dhe e kishin nisur për në spital.
U nisa menjëherë dhe kur arrita më thanë se ishte në sallën e operacionit që po bënte kqyrjen e kufomës Ferit Hoti. Nuk vonoi 2 minuta dhe F. Hoti doli duke shtyrë karrocën e operacionit. Mbi të pashë Arbenin shtrirë në shpinë me kokën të hedhur prapa, gojën hapur ashtu siç kishte dhënë shpirt me sytë e hapur jashtë mase. U trondita nga një pamje e tillë rrënqethëse. Se kisha menduar se do ta takoja Arbenin në lulen e jetës së tij në këto rrethana, të shtrirë i vdekur nga plumbat e policisë. U perkula mbi të! Feriti me tha se ka një plagë hyrëse të madhe prapa mbi legen dhe një plagë dalje të stërmadhe sa kam futur grushtin!
Atë ditë ishin qëlluar për vdekje Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu që do vdiste më vonë. Kur u ktheva në seli nuk vonoi dhe më thanë të kërkojnë në telefon. Ngrita receptorin! “Jam Fadil Cani tha me zë të larte, komandanti i përgjithshëm i Policisë. Largojini menjëherë njerëzit tuaj nga godina e Komitetit të Partisë ose do ti hedh në erë me gjithë godinën!”. I revoltuar po me zë të lartë i’ u përgjigja: “Ata nuk janë njerëzit tanë, ne nuk kemi derguar njerëz atje. Ata janë qytetarë të Shkodrës. Ti mund t’i hedhësh në erë i thashë..por mbaje mend se një ditë do të përgjigjesh për atë që do bësh!”, dhe mbylla telefonin.
Të nesërmen do organizonim varrimin e djemve të vrare pas asnjë shkak por vetëm si demonstrim i dhunës dhe terrorit të sistemit komunist gjakatar që ka qenë gjithmonë prezent në Shkodër! Për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit do vinte Sali Berisha, Arben Imami dhe Genc Pollo. Mitingun do e hapja unë dhe ndërsa po prisnim të silleshin arkivolet dhe Sali Berisha pasi nxorri fjalimin më pyeti për emrat dhe i shënoi në hapësirën bosh që kishte lënë. Aty kishte shenuar emrin Arben Bruci dhe i thashë se mbiemri është Broci! Pasi e korrigjoi me tha që ta prezantoja si Profesor Doktor Sali Berisha! Ashtu bëra kur hapa mitingun!
Në lartësitë e godinave përballë dukeshin haptas snajperistat gati për të qëlluar! Shkodra atë ditë ishte në shesh…por në heshtje…për të nderuar djemtë e saj të vrare nga dora gjakatare e një pushteti që ishte në grahmat e fundit! Aty në shesh mund të kenë qenë mbi 30 mijë veta dhe nja 10 mijë u nisën në këmbë në varreza për lamtumirën e fundit!
Me datën 4 prill u thirrëm në një takim në Komitetin Ekzekutiv. Partinë Demokratike në Shkodër e përfaqësonim Ali Spahia dhe unë. Kishin ardhur përveç kryetares dhe sekretares së Komitetit Ekzekutiv të Rrethit dhe dy përfaqësues të Partise së Punes. Zëvendësministri i Brendshëm për Sigurimin Vehip Proda, shefi i Policisë Dilaver Papare, kryetari i Hetuesisë së rrethit, Kryeprokurori i rrethit dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë Fadil Cani me të cilin isha ndeshur në telefon, i cili sa më pa më mati me sy dhe ashtu i veshur në “Grand Uniform” vërtetë dukej një gangster, te cilin e shikova direkt në sy dhe unë! Aty erdhi dhe Azem Hajdari!
Kryetarja shprehu “hidhërimin” për vrasjet dhe ashtu e pikëlluar kërkoi durim, qetësi e mirëkuptim midis forcave politike dhe organeve të shtetit e të tjera pallavra. Fjalën e mori zëvendësministri dhe me dinakëri tha se mund të ishin tejkaluar kompetencat nga ndonjë polic i veçantë dhe kanë ndodhur vrasjet por derisa të sqarohet gjithçka, ne duam qetësi dhe mirëkuptim. “Ju të Partisë Demokratike duhet të na ndihmoni më shumë sidomos tani që ju keni fituar zgjedhjet dhe ndikimi i juaj nëe popull është shumë i madh”. Azem Hajdari “hodhi bombën”: “Le të dalim Partia Demokratike e Partia e Punes me një thirrje të përbashkët për paqe e qetësi sepse të gjithe kemi nevojë për të tejkaluar këtë situatë të rëndë”.
Ali Spahia u ngrit në këmbë dhe me një lëvizje të krahut përfshiu të gjithë dhe i revoltuar tha: “Në asnjë mënyrë! Në asnjë mënyrë jo për thirrje të përbashkëta por për asnjë farëe bashkëpunimi me vrasësit, me ata që urdhëruan vrasjet dhe dhunën mbi studentët e qytetarët paqësore aty në shesh!”.
U ngrita dhe unë dhe drejtova gishtin tek Dilaver Papare dhe thashë: “Ju dhatë urdhërin por t’ i duhet të tregosh kush të ka urdhëruar ty në hierarkinë tuaj! Ja ku është dhe personi që kërcënoi se do hedhë në erë njerëz krejt të pafajshëm vetëm se ishin kuriozë të shifnin çfarë kishte mbetur nga ajo godinë e frikshme e misterioze që ka renduar mbi Shkodrën”.
Aty pra kishte ardhur një pjesë e frikshme e pushtetit të dhunshem komunist për të na zhantazhuar e frikësuar që të bëheshim pjesë e lojës së tyre për të fshehur vrasësit dhe urdhërdhënësit. Azemit i dhamë të kuptojë se nuk përfaqësonte ai Partinë Demokratike në Shkodër dhe heshti. Me datën 12 prill përsëri u thirrëm në një takim tjetër në Komitetin Ekzekutiv në ate që u quajt “Takim me forcat politike”.
Takimi filloi në orën 12.00 me pjesëmarrjen dhe kronistave të TVSH- së dhe të një televizioni polak. Ne takim erdhën: Aleks Luarasi- sekretari i përgjithshëm i Keshillit të Ministave, një antar i KQ të Partisë së Punës, dy ministra, prokurori i përgjithshëm i Republikës Rrapi Mino, Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame, zëvendësministri i Brendshëm Aredin Shyti, shefi i Policisë Dilaver Papare, kryetari i Hetuesisë Shkodër, hetues dhe prokurorë.Gjithashtu Terezina Marubi dhe Esma Ulqinaku. Partinë Demokratike Shkodër e përfaqësonim Ali Spahia dhe unë.
Pas 5 orë debat së bashku me Ali Spahinë, ia dolëm t’i hidhnim poshtë me radhë të gjitha raportimet, hetimet dhe konkluzionet që na servireshin në këtë mbledhje për të na frikësuar dhe futur në lojën e tyre. Siç thotë vetë Qemal Lame në librin e tij: “Niveli politik dhe kultura e komunikimit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike ndikonte që argumentet e tyre të ishin më të plota në krahasim me shpjegimet thjesht juridike të Hetuesisë dhe Prokurorisë”.
Përfundimisht tashti pas kësaj mbledhje të ideuar nga Ramiz Alia (siç pohon vetë Q.Lame në libër) ne ia dolëm që çeshtja e vrasjeve të Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Besnik Cekës dhe Nazmi Kryeziut të mos mbyllej deri në gjetjen e fajtorëve dhe ekzekutorëve! Jam krenar që me deshmitë tona, si të Pjetër Arbnorit dhe timen që ishin themeltare, u arrit që të arrestohen e të dënohen Aredin Shyti, Çapajev Taçi, Gjek Çelaj.
Të ndërgjegjshëm se kishte dhe të tjere që kishin gisht në këto vrasje, në këto 25 vjet nuk u arrit që autorët e masakrës së 2 prillit në Shkodër, të silleshin përpara drejtësisë! Lavdi katër Heronjve të Demokracisë: Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu. Shpirti i’u prehtë në paqe në amshim! /Publikuar në Facebook në vitin 2016 nga Xhemal URUÇI, ish- drejtues i PD Shkodër, përgatitur pët botim nga ShkodraWeb/