Nga Pëllumb VREKA
Është folur shumë për vizitën e parë që shenjtorja Nënë Tereza, fituese e çmimit Nobel për Paqe në vitin 1979, bëri në Shqipëri në vitin 1989, por ende nuk janë thënë të gjitha të vërtetat rreth kësaj vizite. Unë po tregoj një episod që flet shumë për personalitetin e kësaj shenjtoreje me famë botërore…
Pak histori
Pas disa refuzimesh për dhënie vize hyrjeje në Shqipëri dekada më parë, për të marrë pjesë në ngjarjet e hidhura të familjes së saj që jetonte në Shqipëri, Nëne Tereza nuk i ndërpreu asnjëherë përpjekjet për të vizituar atdheun e saj, varret e nënës dhe motrës në ceremonitë mortore të të cilave nuk ishte lejuar të merrte pjesë.
Brenda kornizës së një hapjeje të kontrolluar të Shqipërisë në marrëdhëniet me jashtë pas vitit 1985, në kuadrin e përgjithshëm të një “ere të re” në marrëdhëniet ndërkombëtare për të zbutur tensionet midis blloqeve, vizita e saj e parë në atdhe u mundësua më në fund në gusht të vitit 1989. Dëshira e saj u përcoll në mënyrë formale pranë ambasadës shqiptare në Romë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë, në maj 1989, si dëshirë “ …për të puthur tokën shqiptare përpara se të vdesë”.
Strukturat shtetërore të kohës e panë këtë vizitë edhe si një mundësi të mirë për t’u përdorur politikisht si argument i respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.”.. Përpos të tjerave, kjo do t’i japë dorë gjithashtu miqve të vendit tonë të na mbrojnë me argumenta në organizmat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në të cilat nuk merr pjesë vendi ynë”, u argumentua atëherë.
Vizita u realizua në 14-17 gusht 1989. Pavarësisht se ishte një vizitë private, gjatë saj Nënë Tereza u takua me drejtues të lartë të shtetit shqiptar të asaj kohe. Atë e priti në aeroport Nexhmije Hoxha, më vonë ajo u takua me Ramiz Alinë, bëri edhe homazhe te varri i Enver Hoxhës. Pasi vizitoi varrin e Hoxhës, ajo vizitoi varrin e nënës dhe motrës që saj, që kishin vdekur në vitin 1971.
Gjatë këtyre takimeve ajo shprehu dëshirën që të sillte në Shqipëri motrat e saj të Misionit të Bamirësisë për të dhënë pasuri shpirtërore e kujdes tek të moshuarit dhe të vetmuarit. Kjo kërkesë u refuzua me argumentin se këtë mision e kryenin falas strukturat shtetërore të arsimit dhe përkujdesjes në Shqipëri. Në intervistën e dhënë për gazetaren e televizionit shtetëror shqiptar pyetjes lidhur me përshtypjet nga vizita e saj e parë në Shqipëri, ku rëndom dëgjoheshin vetëm vlerësime pozitive, Nënë Tereza do përgjigjej “ Nuk kam ditur më parë ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”.
Vizita e Nënë Terezës u prezantua me lajme të kontrolluara, duke i ofruar popullit vetëm takimet me zyrtarët e regjimit, vizitën në Varrezat e Dëshmoreve, njoftuan shkurt vizitën në varret e nënës Drane dhe motrës Age, në varrezat e Tiranës, ku e shoqëroi Marie Kraja dhe vizitën ne Spitalin Onkologjik, e shoqëruar nga Dr. Adelina Mazreku.
Në Tiranë Nënë Tereza, veç të tjerëve, kërkoi te dinte se ku e kishte varrin, shoqja e saj e bankës në shkollën fillore. Ku e kishte varrin mikja e fëmijërisë, Justina Shkupi.
Kush e njihte Justina Shkupin, ish pjesëmarrësen në brigadat internacionaliste në Luftën e Spanjës?
Ku e ka varrin, këmbëngulte Nënë Tereza?
Dikur të dyja gocat nga Shkupi, Gonxhja dhe Justina, ishin ndare për të mos u parë më. Më tej ato ishin bërë internacionaliste. Secila në mënyrën e vet.
Petro Marko e ka personazhe të romanit “Hasta la Vista” infermieren shqiptare “motrën Justina Shkupi”, luftëtaren në brigadat internacionaliste të Luftës së Spanjes.
Pas Spanjës Justina shërbeu si infermiere ne Tiranë. Si infermiere beqare kështu e shtyu jetën deri nga fundi i viteve ’80 të shekullit që shkoi.
Petro Marko, si vëllai i saj i Spanjës, me lekët nga honorari i romanit “Nata e Ustikës”, i bëri një pllakë betoni, i vuri dhe emrin mbi varr, asaj Justina Shkupit, që vdiq pa njeri.
Pas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Haver Perez De Kuelar në Shqipëri në maj 1990 dhe ngjarjeve të korrikut në 1990, në tetor 1990 Alia përgjigjet se së shpejti do kishte një përgjigje pozitive për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri. Po në tetor 1990, në Tiranë kopshtit të fëmijëve që u vizitua nga Nënë Tereza gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri i vihet emri i nobelistes per paqe “Kopshti Nënë Tereza”. Në këtë periudhë pati zhvillime të reja politike në Shqipëri dhe po flitej zyrtarisht për lirinë e praktikimit të besimit dhe për veprimtarinë e institucioneve fetare. Këto rrethana lehtësonin edhe hapjen e Misionit të Nënë Terezës në Shqipëri. Por, le të kthehemi te vizita e parë e Nënë Terezës dhe të pathënat rreth asaj vizite.
Historia e kartëmonedhës me portretin e Nënë Terezës që nuk u emetua asnjëherë
Në Qershor të vitit 1989, Haki Toska, ish-anëtar i Byrosë Politike të asaj kohe, kishte vite që ishte deleguar nga Byroja Politike në Bankën e Shqipërisë, sepse dikur ai kish qenë dhe Ministër i Financave. Arsyeja e ardhjes së Hakiut në bankë ishte për të kontrolluar me rigorozitet punën e bankës por, edhe të Ministrisë së Financave, sepse dihet që në ato vite, situata financiare nuk ishte aspak e këndshme. Nejse, një ditë më njoftuan për një takim të rëndësishëm. Futem në zyrën e Hakiut dhe gjej aty dy tipa me kostum e kravatë.
-Ulu, piktor, – tha Hakiu.
Zura vend në krahun e djathtë të Hakiut, në tavolinën në formë T-je, dmth përballë atyre të dyve.
Nuk më prezanton fare me ata dy tipat kush ishin e nga vinin, por më vonë u dha një emërtesë….
Hakiu kaloi direkt në temë:
– Shoku Pëllumb, besoj, ke dëgjuar, pasi edhe është shkruar, për Nënë Tërëzën e cila ka origjinë shqiptare dhe është një emër i madh në botë.
– Po, i thashë, kam lexuar në gazetë.
– Atëherë, dëgjo këtu. – Kjo Nënë Tereza ose Gonxhe Bojaxhiu me emrin që i ka vënë vetë nëna, ka bërë kërkesë për të ardhur në vendin tonë për vizitë. Ajo do të pritet nga Shoku Ramiz por, do të dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si dhe do t’i japim një pasaportë shqiptare. Kupton ti ore, piktor?
– Po, po, shoku Haki, po ju dëgjoj.
– Meqenëse ne vetë kemi përgatitur disa modele të kartëmonedhave me figurat tona të shquara, të vendit tonë, (për këtë do shkruajmë më poshtë), kam propozuar që edhe ne si bankë të përgatisim një model kartëmonedhe me portretin e saj. Si thua?
Kot më pyeste, se e kish ndarë mendjen, “… që kështu të japim edhe ne kontributin tonë si bankë, si grua e shquar që është.”
– Pa diskutim, u përgjigja, si të urdhëroni ju.
– Shumë mirë.
– Këta shokët nga ATSH, – dhe u drejtua nga ata të dy, – kanë sjellë nja katër a pesë fotografi të Nënë Terezës, të zgjedhim njërën prej tyre, a dy a, si ta shohim. Shikoji këto fotot dhe të zgjedhim.
Bashkë me fotot njëri nga tipat zgjati edhe një letër të bardhë ku shkruhej datëlindja dhe emri i plotë i Nënë Terezës: Anjezë Gonxhe Bojaxhi. I pashë më kërshëri fotot, se unë kisha lexuar në gazeta për të, por foto me ngjyra të saj nuk kisha parë ndonjëherë.
– Epo, kjo është shumë e bukur, mbi të gjitha është edhe buzëqeshur, – të tjerat ua ktheva të ardhurve.
Hakiu, me një ton, pothuajse urdhërues, me ata sy zhbirues nën ato vetullat e trasha (nuk i shkurtonte te berberi), u kthye nga ata dhe u tha:
– Ikni ju tani, mbaruam punë. Ata u larguan pa e kthyer kokën pas.
– Dëgjo këtu, ti, më tha Hakiu, të shkrish talentin, more vesh, në gusht ajo është këtu, prandaj ke kohë plot, që në fund të korrikut t’i kesh gati nja dy a tri modele nga të cilat të zgjedhim një dhe t’ia çojmë shokut Ramiz.
Siç urdhëroi, në fund të korrikut i çova Hakiut tre modele, në dy për variacion vendosa simbole të Kishës Katolikë, pasi Nënë Tereza, aktivitetin, dihet që e kish nën petkun e Vatikanit.
Por, Hakiu me të parë kryqet simbolike, u vrenjt dhe të dy modelet i grisi më një mllef të madh, sikur të ishin foto nudo. Më vinte për të qeshur, se pak a shumë e kisha parashikuar reagimin.
I hodhi në koshin poshtë tavolinës dhe me një pamje pak a shumë të qetë, mu kthye:
-Atëherë shoku piktor, kjo është shumë e bukur, besoj do na e pëlqejnë andej nga Byroja, të shohim.
***
Më vonë, pasi Nënë Tereza ishte larguar nga vendi ynë, Hakiu më thërret në zyrë dhe paksa i mërzitur më thotë:
– Bëj dy kafe Pëllumb dhe ulu.
Poqa dy kafe, ashtu siç isha mësuar t’ia piqja kur mungonte Bedriu, shoqëruesi, djalë i shkëlqyer dhe u ula. Duke rrufitur kafenë më zgjati nja dy kapakë (si ato që mbulonin veprat e Enverit) dhe pasi e hapi ma zgjati duke shtuar:
– Merri, nuk pranoi.
– Kush nuk pranoi?- e pyeta- Shoku Ramiz?
– Jo mor jo, Nënë Tereza. Shoku Ramiz e pëlqeu shumë.
– Ju falënderoj shumë, tha ajo, për respektin që tregoni ndaj meje, por, nuk dëshiroj të vendoset portreti im në kartëmonedhat. Edhe në Kalkutë ma kanë bërë një propozim por, e refuzova. Bile, do t’ju lutesha që edhe pas vdekjes të mos vendoset.
– Në fakt, o Pëllumb, njëfarë të drejte edhe e kish, në dorë të kujt nuk bie paraja. Me erë djathi e peshku, në pisllëqe të papara. (Faktikisht ne të dy e dinim që në ato kohë dëmtuesit më të mëdhenj të parasë në Europë ishim NE. Kamioni i ngarkuar me thasë me kartëmonedha shkonte aso kohe në furrat e Fabrikës së Tullave ku digjeshin).
Këta fetarët janë edhe strikt në besimin e tyre. Më kanë treguar se Nënë Tereza ishte shprehur se me fotografinë e saj në kartëmonedha mund të spekulonin trafikantët dhe kriminelët.
Pasi kanë kaluar më shumë se tridhjetë nga ajo vizitë që unë do ta quaja historike, kur kemi dëgjuar dhe parë krime nga më të përbindshmit gjatë këtyre viteve, mendoj se Nënë Tereza ka patur plotësisht të drejtë…
Nejse. Kështu u mbyll ngjarja me Nënë Terezën ose Anjezë Gonxhë Bojaxhiun në vitin 1989.
***
Megjithatë, Hakiu ishte shumë i kënaqur që krahas ndereve që iu bënë Nënë Tërëzës, ai dha kontributin e tij, lavdet i mori nga udhëheqja.
Siç e përmenda më lartë, në modelet e vitit 1988, u propozua që të hiqen pamjet e zhvillimit ekonomik, arsimor e shkencor, që dihet ekonomia po rrudhej, pas prishjes me Kinën.
Me pretekstin se ishin modele kineze, nga të cilat duhej të ndaheshim përgjithmonë, u propozua që të vendoseshin figura të shquara të vendit tonë.
Kështu mu dha një listë me emra e foto, si të Skënderbeut , Ismail Qemalit, Naim Frashërit, Dora D’istria, Shotë Galica (Luftëtarë), Partizani i Panjohur, Luftëtari i Lirisë.
Disa foto ishin të dubluara psh : Naim Frashëri ishte edhe bust edhe foto; Skënderbeu, dy-tri buste dhe monument me kalë; Ismail Qemali, foto me flokë të bardhë dhe foto me feste vishnjë, etj etj.
Më vonë, kur nga viti 1992 u emetuan kartëmonedhat moderne me njëmijë, pesëqind, dyqind e njëqind lekëshi, u përzgjodhën, Naim Frashëri -bust, Ismail Qemali- pa feste, Luftëtari i Lirisë -bust , Skënderbeu –bust.
Fatkeqësisht, që pas daljes së pesëqind lekëshit së gruas me lule- dielli, që shkëlqeu ca vjet, nga atëherë e deri më sot e në vazhdim, gruaja shqiptare u zhduk nga kartëmonedhat. Kjo është për të ardhur keq, pasi kemi gra të shquara në vendin tonë por, mendjengushtësia dhe mungesa e një vizioni atdhetar nuk ka mundur të propozojë një grua të famshme në kartëmonedha.
Katër kartëmonedha vazhduan të qarkullonin derisa një shtet fqinj i yni i falsifikoi, kjo u zbulua kur Q.K. u kap në Sarandë me njëqind milionë lekë të falsifikuara.
Menjëherë shteti shqiptar (që për këto raste duhet seri kartëmonedhash rezervë e që ne nuk i kishim), u detyrua të ngarkonte kartëmonedhat e futura nëpër arka e t’i dërgonte në M. për të shtuar dy elementë të vegjël sigurie derisa të shtypeshin kartëmonedhat e reja me shirit mbi banën Gjermane.
Në të ardhmen do kemi histori të tjera për ish-kartëmonedhat tona por, edhe për ato që po dalin tani në qarkullim. Kanë një histori të bukur dhe të çuditshme ato… /Marrë nga Gazeta Dita/