“Mësuesi i popullit” Hamdi Bushati (1896-1983), që rrjedh nga nji ndër familjet e nderueme dhe ma të njohtuna shkodrane, ka ba me shumë përkushtim, kambëngulje dhe me ndershmenì shkencore e punë të palodhun, tue konzultue mijra dokumenta dhe libra si dhe tue mbledhë të dhana direkt nga goja e popullit, librin dyvolumsh me vlerë të madhe historike “Shkodra dhe motet – Traditë, Ngjarje, Njerëz” – të botuar (mbas vdekjes së Tij) në Shkodër në vitin 1999, me rreth 1200 faqe dhe me nji aneks 120 faqesh me titull “Pamje gjenealigjike familjesh shkodrane”.
I biri i Tij, mësuesi i njohtun z. Nexhmi Hamdi Bushati në “Dy fjalë për botuesin” ndër të tjera shkruan: “Për botimin e kësaj vepre kanë treguar interesim të veçantë punonjësit e Muzeut Historik të Shkodrës dhe ata të Fototekës Kombëtare “Marubi” me në krye drejtorin Z. Mentor Quku që angazhoi dhe të ndjerin Vehbi Troshani për daktilografimin me cilësi të lartë të këtij dorëshkrimi. Po kështu meritojnë mirenjohje Z. Ali Kazazi e Visar Baia që arritën të sensibilizojnë dashamirësit e nismave kulturore duke mundësuar sponsorizimin e botimit të kësaj vepre. Me këtë rast e ndjej për detyrë të falenderoj Z. Prof. Dr. Zija Shkodra, Menduh Derguti, që me përgatitjen e tyre profesionale dhe me sugjerimet e tyre të kualifikuara ndihmuan që ky punim të dilte sa me serioz”.
Në kapitullin e VI “Familjet shkodrane me prejardhje të huej” (faqe 283-312) të volumit të dytë studiuesi i njohur shkodran Hamdi Bushati shkruan si më poshtë vijon:
Siç dihet historikisht, kur Sulltan Mehmeti II e pushtoi Shkodrën, shumë familje kristjane e lanë vendin dhe u larguan nga qyteti. Shtëpitë që lanë kristjant ua dhanë myslimanëve. Nga kjo kuptohet mirë se ata mysliman, të cilve iu dorëzuan shtëpitë e kristjanëve të ikur nuk ishin të gjithë shqiptarë të konvertuar në islam, ndër ato vitet e okupacionit, ata ishin turq ose me kombësi të tjera jo shqiptare. Instalime myslimanësh me prejardhje të huaj kanë vazhduar të vertetohen deri në kohët e fundit të pushtimit osman të Shkodrës. Krahas myslimanëve erdhen edhe kristjanët.
Nga pikpamja etnografike dhe historike duhet ditur prejardhja e familjeve të shqiptarizuara si myslimane ashtu kristjane. Me gjithë gjurmimet tona mbi këto familje që ekzistojnë sot në Shkodër, duhet të kenë mbetur pa u përmendur edhe të tjera, por shpresojmë t’i zbulojmë me vonë. Njëkohësisht kjo është një çështje politiko-komplekse, që meriton për t’u studjuar. Krahas interesit historik ky proçes paraqet edhe vlerë shoqërore, sepse evidenton psikologjinë e shkodranit, bujarinë e tolerancën e tij ndaj “jabanxhinjëve”. Duhet dijtur se në Shkodër ka edhe familje të shuara, sidomos në periudhën e sëmundjeve epidemike, sikurse murtaja, kolera, etj. të shekujve 18, 19. Me rast edhe këto familje do të mundohemi t’i zbulojmë deri ku mundemi.
Për prejardhjen e familjeve që jemi duke i përshkruar nuk kemi dokumenta konkrete, përveç të dhënave tradicionale të vetë pjestarëve të atyre familjeve, të cilët kanë dëgjuar nga pleqtë e tyre.
1) Të ardhur nga Turqia, Egjypti, Arabia, Dardanelet, Maroku, Tunizia, Algjeria, Siria, Dagistani, Sudani etj:
Familjet e ardhura nga këto vende përbëjnë numrin më të madh të familjeve të ardhura në Shkodër. Në këtë studim nuk përmenden të gjitha familjet e ardhuna nga këto vende, por vetëm ato familje që janë ma të njohtunat si: familja Raxhimi (imam nga Egjypti), familja Djepaxhija (tregtar nga Konje e Anadollit), familja Berdicaj (të ardhun nga Anadolli qyshe në fillim të invazionit osman dhe të vendosun në fshatin Berdicë), familja Derguti (nga Vilajeti i Ajdinit në Anadoll të vendosun në lagjen Dergut), Çukejt (artilier nga Turqia), Çakejt (përsonalitet zyrtar nga Çanak-Kalaja-Dardanele), Kashejt (nga Spanja mbas zhgatrrimit të dinastisë islame), Sheh Muhamet Magribi (imam nga Maroku), Dilaverit (ushtarak nga Turkia), Bilanet (përgatitës ilaçesh nga krahina Bilan e Anadollit), Kalajajt (oficer jeniçersh të ardhun që në kohët e para të invazionit osman), Abdurrahmanet (oficier turk nga Egjipti), Rust (nëpunës), familja Kalact, familja Shehi (shehler me origjine arabe), familja e Nelit te Molla Dautit (origjinë egjiptjane), familja Dizdart (dizdar në kalà i ardhun nga Izniku i Bruzes së Anadollit), fisi i Sheh Qazim Hoxhës (ushtarak nga qyteti i Kastamonit të Anadollit), familja Axhemi (ushtarak nga Trabzuni i Azisë së Vogël), familja Boksejt (ushtarakë nga Anadolli), familja Muhamet Shehu (hoxhë nga viset e Azisë së Vogël), familja Jenishehri (nga qyteti i vilajetit Hudaveqindar të sanxhakut Ortugal), familja Hysejt (oficier nga Izmiri i Anadollit), familja Xhemil Tulejmani (tekstilist nga qyteti Humus i Sirisë), familja Mexhidi (me prejardhje nga Degistani), familja Behrej (ushtarakë që nga fillimi i pushtimit osman), familja Allajbegve (kolonel me origjinë turke), familja Hadrejt (mytevli-administrator kujdestar), familja Sala-Isuft (grekë i bamë musliman). – Zezakët e shqiptarizuar (të mbiquejtunit “Harapet”) në Shkodër, që formojnë nji numër të vogël, janë përgjithësisht me origjinë nga Sudani egjiptian. Janë të sjellur si skllevër nga tregtarët, sidomos nga detarët ulqinakë. Këto janë blerë ndër tregjet e Algjerisë, Tunizisë, Sirise etj. Këto përmenden veçanërisht pranë vezirëve Bushatllinj. Familjet katolike dhe orthodhokse nuk kan mbajtur kurr harapë ose harapesha. Këto kanë shërbyer vetëm ndër familjet borgjeze e aristokrate myslimane, të cilët i kanë trajtuar si bashkëfamiljarë në shtëpitë ku kanë jetuar.
2) Familjet të ardhura nga Armenia, Greqia, Austria, Italia.
Nga Armenia: të dëbuar prej turqve nga Mustafa Qemal Ataturkut, si familja Johanexhan (punonjës zorrësh bagtishë), familja Hagopi (teknik dhe përpunues mëndafshi), familja Muzali (mjek).
Nga Greqia: familja Kacarosi (nëpunës depoje duhani), familja Ronkali (rrobaqepës), familja Idromeno (arkitekt e piktor).
Nga Austria, Vjena: familja Ingriz (këpucar dhe nji nga sindikalistat e parë në Shkodër).
Nga Italia: familja Scanietti (artistë), familja Zamputti (mjek), familja Tedeschini (mjek që nga 1760), familja Benussi (farmacist).
Edhe rreth këtyre familjeve jepen të dhëna të vlefshme historike. Numuri i tyre nuk është i ndjeshëm.
3) Të ardhur nga Mali i Zi:
Emigrantët Podgoriçan u dynden drejt Shkodrës në katër periudha:
Periudha e parë: Gjate sundimit të Bushatlinjve,
Periudha e dytë: Mbas Kongresit të Berlinit,
Periudha e tretë: Gjatë Luftës së I Botërore,
Periudha e katërt: Gjatë Luftës së II Botërore.
Podgoriçajt janë sllav musliman nga Podgorica, Shpuza, Nikshiqi o në përgjithësi nga Mali i Zi. Familjet podgoriçane ma të hershme, sidomos ato të dyndjes së parë, e ndjejnë veten shqipëtar dhe mjaft prej tyre kanë bërë shqiptarizimin e emrave duke hjekur mbrapashtesen sllave “iq”. Familja më e hershme dhe më e përmendura në këtë studim asht familja Alivoda (Alivodoviq), prej nga rrjedh sot familja Podgorica, familja Bajri e cila dikur quhej Muxhiq, familja Mandia (Mandiq), familja Osmani (Osmanagiq), familja Haveri (Haveriq), familja Uruçi (Uruçeviq), familja Bebeziq, familja Sykaj (Sykniq), Juka (Jukniq), Llukaqi (Llukaqeviq), Halluni (Hallunoviq), familja Striniq. Familja Boshnjaku nga Bosnja, etj.
4) Të ardhur nga tokat shqiptare, Ulqini, Tuzi, Kraja.
Ka pasë emigracion shqiptarësh në Shkodër edhe nga tokat shqiptare në Mal të Zi si, Ulqini, Tuzi, Kraja. Duhet të them se emigracioni i podgoriçajve, i ulqinakve, etj, i ka dhënë shkas ndryshimit të disa zakoneve tradicionale shkodrane.
***
Në fund të pjesës së dytë jepen kumtesat vlerësuese të kësaj vepre nga:
Prof. Dr. Jup Kastrati, Prof. Dr. Gazmend Shpuza të cilën e quen “Enciklopedi Albanologjike për Shkodrën dhe shkodranët”, As. Prof. Dr. Artan Haxhi, As. Prof. Dr. Simon Pepa, Islam Dizdari, Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës As. Prof. Dr. Mahir Hoti, Mentor Kopliku, shkrimtari i njohtun Fadil Kraja, Nikolla Spathari, Ahmet Osja, Artes Llazani si dhe Nexhmi Hamdi Bushati. Ka pasë nji jehone jo të vogël në shtypin shqiptarë: “Gazeta Shqiptare” me 11.10.1998; “Rilindja Demokratike” më 20.10.1998; “Rimbkambja” më 20.10.1998; “Drita Islame” në tetor 1998; “Albania” më 21.10.1998; “Drita e Dijes” në shtator dhe tetor 1998; “Perla” në nr. 4, 1998; “Klan” në nr. 84, 1998.
Paul Tedeschini prej librit “Shkodra dhe motet” të Hamdi Bushatit