[…] Muri rrethues ishte shumë i lartë, rreth 5 metra. Dera përsëri shumë e madhe dhe e punuar me mjeshtëri. Qemeret e derës dhe harku i sipërm i saj ishin prej guri të latuar; në harkun e derës gjendej e skalitur data e ndërtimit. Në dy krahët e derës gjendeshin dritare qorre, të cilat shërbenin për vendosjen e kandilëve të vajit për ndriçim.
Pranë derës, në një jerevi banonte rojtari i shtëpisë. Në mes të oborrit gjendej një manjolia e mbjellë që nga ndërtimi i shtëpisë dhe rrotull saj shumë hurma dhe lule gjithfarësh. Në oborr gjendej dhe pusi i madh prej guri plot dekoracione dhe pranë tij lugu i gurtë për larje. Në fund të oborrit gjendej edhe kulla. Shkallët e hyrjes përsëri janë të gurta dhe me parmakë të punuar.
Çardaku prej druri ka vetëm një derë mesatare prej ku hyn në një dhomë shumë të madhe. Tavani i saj paraqet një thurje në formë rombesh që përmbajnë lule pesëgjethëshe të daltuara. Trapazani i mbyllur me gelqere ka dritare romboidale dhe në mes kafazlije. Oxhaku i dhomës është me të vërtetë madhështor. Shumë më i madh se në shtëpinë e Zef Sumës. Sipër ka dy rosona dhe është i punuar me allçi në të dyja anët.
Në dy anët e oxhakut gjenden figura antike të punuara në pelhurë. Ka punime në dru me alto e basorelieve në arka, kapakë dritaresh etj. Një dhomë e kësaj shtëpie i rezervohej të huajve dhe miqve. Për këtë flet edhe Edith Durham në librin “Brenga e Ballkanit” […] /Pjesë nga libri “Familja Suma”, i autores Terezina Suma, fotografi nga ekspozita “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno” kuruar nga Luçjan Bedeni/