Kreu i bandës së gjobëvënësve, Emiljano Shullazi, mund t’i thotë “lamtumirë” qelisë, së bashku me shumë të burgosur të tjerë të rrezikshëm. Kështu deklaroi gazetarja Klodiana Lala, e cila ka ndjekur procesin ndaj Shullazit, që vijon në dyert e gjykatave prej rreth një viti.
Gazetarja Lala tha se procesi ndaj Shullazit po zvarritet prej disa kohësh, për shkak se nuk është vendosur ende nëse dy anëtarët e trupës gjykuese, Etleva Temo dhe Artur Kalaja, do të shqyrtojnë këtë dosje.
Sipas gazetares, pasi Gjykata e Apelit për Kr.i.met e Rënda ndryshoi emrin në Gjykatën e Posaçme të Apelit, kjo e fundit iu drejtua Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke e pyetur nëse dy gjyqtarët Temo dhe Kalaja mund të ishin pjesë e procesit të Shullazit.
Por, prej disa muajsh KLGJ nuk ka kthyer asnjë përgjigje, duke bërë që procesi të futet në ngërç. Lidhur me këtë ngërç, vetë gazetarja Lala iu drejtua KLGJ për ta pyetur për ngecjen e një procesi kaq të rëndësishëm, ku në përgjigjen e tij, ky institucion sqaron se çështja po trajtohet me seriozitet.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetares, KLGJ lë të nënkuptojë se i është drejtuar Kuvendit me një shkresë për t’i kërkuar mendim. Ndërsa, sipas gazetares, të gjitha gjasat janë se do kërkohen ndryshime ligjore, pasi nëse nuk merret një vendim i shpejtë nga KLGJ, çështja mund të shkojë drejt dështimit.