Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ka zhvilluar një takim me drejtorët vendorë të Policisë, shefat e Komisariateve dhe të stacioneve policore, si dhe me drejtorët rajonalë të kufirit dhe migracionit. Çako ka shprehur vlerësim për të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit për realizimin e detyrave të planit në kuadër të ruajtjes së rendit dhe qetësisë gjatë sezonit turistik dhe rezultateve të arritura në drejtim të parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të saj.
Drejtori Çako theksoi se krahas punës së bërë për goditjen e paligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit ende ka disa mangësi, shqetësime nëpërmjet përcjelljes së mesazheve dhe ankesave të qytetarëve në të gjithë vendin. Shqetësime dhe porosi të cilat vijnë direkt nga kryeministri nëpërmjet përcjelljes së mesazheve dhe ankesave të qytetarëve në të gjithë vendin.
“Krahas punës së mirë që është bërë, përsëri vihet re se në drejtim të goditjes së fenomeneve të paligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit ka mangësi dhe për këtë qëllim jemi mbledhur sot për të përcjellë disa mesazhe, porosi dhe shqetësime të cilat kanë të bëjnë me këtë fenomen.
Vihet re një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e fenomenit të veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës të tilla si ndërtimet e paligjshme, pushtimet e tokës, pronës si publike dhe private, ambienteve publike etj. Rasti i fundit i ditës së djeshme në Tirane tek Parku i Liqenit”. tha Drejtori.
Ai shtoi se për disa vepra penale kundër mjedisit si: prerja e paligjshme e pyjeve, drurëve frutore, peshkimi i ndaluar, shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe mjedisit, ndotja e ujërave etj., apo vjedhja e energjisë elektrike ka një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e tyre.
“Duke filluar që sot për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit lufta kundër paligjshmërisë në territor, për veprat penale të mësipërme do trajtohen nga Policia e Shtetit njësoj si po parandalohet dhe goditet fenomeni i kultivimit të lëndëve narkotike.
Për këtë qëllim do të hartohet një plan masash i ngjashëm me atë të kultivimit të bimëve narkotike ku do të parashikohen një sërë detyrash si kontrolli me përgjegjësi i gjithë territorit. Për këtë kontroll përgjegjësit kryesore do të jenë punonjësit e policisë, patrulla e përgjithshme, ndihmës specialisti i policimit në komunitet, specialisti për hetimin e krimeve. Edhe në këtë rast qëndrimi në punë do të vlerësohet nga kontrolli mbi këtë territor dhe në rastin më të keq edhe marrja në përgjegjësi penale. Kjo përgjegjësi do të jetë edhe për zinxhirin komandues.
Detyrë tjetër e rëndësishme është kryerja e hetimeve dhe vënia përpara përgjegjësisë e nëpunësve të agjencive të ndryshme shtetërore, të cilat kanë për detyrë të mbikëqyrin territorin dhe parandalojnë veprat penale të mësipërme”, deklaroi Çako.
Drejtori vlerësoi rezultatet e deritanishme kundër kultivimit si shumë të mira.