Një burim në ministrinë e Jashtme ruse i tha të dielën agjencisë së lajmeve Interfax se vizita e ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov në Serbi është anuluar, pasi vendet përreth Serbisë mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionin e tij.
Burimi konfirmoi raportimet se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kishin mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionin me të cilin do të shefi i diplomacisë ruse do të udhëtonte për në Beograd të hënën.
“Diplomacia jonë ende nuk e ka shpikur teleportimin”, tha burimi.
Të premten ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se ministri Lavrov do të qëndrojë në Beograd me 6 dhe 7 qershor. Paralajmërimi pasoi dakordimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç me presidentin rus Vladimir Putin, për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin me gaz nga Rusia. Presidenti serb thotë se synon anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian, por me vite ka punuar për forcimin e lidhjeve me Rusinë.
Serbia, ka refuzuar deri tani t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. /VoA/