Për socialistët që kërkojnë mandatin e 4 qeverisës, në këto zgjedhje, sfidë për ta duket se do të jetë vota e diasporës. Në 1 orë e 15 minuta që kryeministri Rama mblodhi kryetarët e bashkive socialiste dhe drejtuesit e qarqeve ky ishte mesazhi kryesor i tij.
Fokus tek vota e diasporës, maksimizim i pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje dhe identifikim nga çdo bashki i qytetarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Jo vetëm! Duhet bindur elektorati gri.
Bazuar në rezultatete sondazheve brenda PS shefi i qeverisë është shfaqur i shqetësuar nga rritja e numrit të votuesve që bëjnë pjesë në grupin asnjëanës. Prandaj ka kërkuar që vëmendja e lufta të përqëndrohet këtu për të mos lënë që vota e elektoratit gri të shkojë te PD e as te partitë e reja që kanë dalë në skenën politike.
Kjo nuk është hera e parë që përsëritet kjo kërkesë. Edhe në retreat-in që u zhvillua të premten e kaluar në Elbasan u është bërë me dije deputetëve socialistë se sondazhet e 10 viteve të fundit nga 2014 në 2024, tregojnë se elektorati i PS ka rënë.
Analiza e PS-së në pushtet prej 2013, tregon po ashtu se votuesit e humbur nuk kanë shkuar te kundërshtari politik, por janë tek elektorati gri.
Për këtë arsye fokusi i socialistëve është që të bindin elektoratin gri që të votojë për ta në zgjedhjet e 2025 dhe programi i tyre mban emrin: “beteja votë më votë”.
Vota e diasporës
Të sprovuar me terrenin dhe me 11 vite qeverisje mbi supe, socialistët kalë beteje në këto zgjedhje do të kenë edhe votën e emigrantëve shqiptarë që për herë të parë do të kenë mundësinë të zgjedhin për qeverisjen e vendit të tyre.
Së shpejti Taulant Balla që kryeministri Rama e ka sfiduar me një detyrë jo fortë të lehtë pritet të nisë takimet me diasporën, në mënyrë që deri në pranverë, kur të mbahen zgjedhjet parlamentare të ketë siguruar për partinë e tij rezultate të kënaqshme.
Si për herë të parë, kryeministri Rama nuk ka nxituar të kërkojë nga skuadra e diasporës një numër votash, si objektiv që ia ka vendosur ekipit të tij para çdo palë zgjedhjesh, por është mjaftuar vetëm me angazhimin maksimal.
Regjistrimi i emigrantëve që do të duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 2025-ës do të nisë në janar dhe do të përfundojë në mars, ndërsa vota e tyre, e cila do të dërgohet me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të përllogaritet në qarkun ku këta shtetas shqiptarë kanë patur vendbanimin e fundit. /Shqiptarja.com/