Një studim i fundit tregon se avulli i cigareve elektronike mund të dëmtojë qeliza jetike të sistemit imunitar, e për këtë arsye mund të jenë më të dëmshme nga sa mendohej më parë.
Sipas studiuesve, avulli i këtyre pajisjeve paaftëson qeliza të rëndësishme të sistemit imunitar në mushkëri, duke nxitur kështu inflamacionet. Ata paralajmërojnë për më shumë vëmendje, kundrejt opinionit se cigaret elektronike janë të sigurta.
Gjithsesi, Departamenti i Shëndetit Publik në Angli këshillon se, ato janë shumë më pak të dëmshme krahasuar me duhanpirjen, ndaj njerëzit nuk duhet të hezitojnë t’i përdorin, si një mundësi që u vjen në ndihmë për të hequr dorë nga cigaret.
Studimi eksperimental i udhëhequr nga profesor David Thickett i Universitetit të Birminghamit është publikuar “online” në revistën “Thorax”. Studime të mëhershme ishin fokusuar te përmbajtja kimike e lëngut të cigareve elektronike, përpara se ai të kthehet në avull.
Në studimin e fundit, shkencëtarët krijuan një procedurë mekanike për të imituar avullin në laborator, duke përdorur mostra të indeve të mushkërive të ofruara nga 8 persona joduhanpirës.
Ata zbuluan se, avulli shkakton inflamacion dhe dëmtim të aktivitetit të makrofagut alveolar, qeliza që luftojnë grimcat potencialisht të dëmshme të pluhurit, bakteret apo alergjenet. Ata thonë se, disa prej efekteve ishin të ngjashme me ato që janë vërejtur te duhanpirësit e rregullt dhe njerëzit me sëmundje kronike të mushkërive.
Megjithatë, ata bëjnë thirrje për kujdes, pasi rezultatet janë thjesht në kushte laboratorike, ndaj këshillojnë që studime të mëtejshme janë të nevojshme për të kuptuar më mirë ndikimin afatgjatë në shëndetin e njeriut. Një studim tjetër i pavarur mbi provat e fundit kundrejt cigareve elektronike ishte publikuar gjatë shkurtit nga Departamenti i Shëndetit Publik të Anglisë.