Vllaznia ka zhvilluar sot pasdite të parën ndeshje miqësore në përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Ajo është mundur 0-1 ndaj Teutës me një autogol të shënuar nga mbrojtësi Isufi në pjesën e dytë të takimit.
Kuptohet që kjo miqësore ndoshta ka qenë “e nxituar” për t’u zhvilluar sepse skuadra ka vetëm një javë stërvitje, ndryshe nga Teuta që është në përgatitjet e fundit për sfidat europiane të saj. Përpos kësaj, kuqeblutë ende nuk janë plotësuar në organikë, megjithatë trajneri Brdariç ka pranuar ta luajë këtë miqësore ndaj Teutës.
Pas përfundimit të saj ndërkohë, në një prononcim të shkurtër për mediat, gjermano- kroati i pankinës shkodrane është shprehur: “Përgjithësisht jam i kënaqur me atë çfarë dha skuadra në fushën e lojës sepse siç dihet lojtarët ende nuk janë në gjendjen e duhur fizike.
Vllaznia funksionoi mirë në shumicën e kohës dhe i vetmi repart për të cilin nuk jam shumë i kënaqur, është ai i sulmit. Nuk funksionoi siç duhet dhe për këtë arsye, duhet të punojmë shumë për ta rregulluar në vijim”. /ShkodraSport/