Në konferencën e sotme për shtyp, përkrah trajnerit Thomas Brdariç, në prag të ndeshjes, Vllaznia-Teuta, ka qenë edhe mesfushori i kuqebluve, Fjoart Jonuzi. Ai foli rreth ndeshjes së nesërme, teksa u ndal të fliste edhe për formën e tij sportive që po kalon me Vllazninë.
“Normalisht që, është një ndeshje e fortë pavarësisht se Teuta nuk është në gjendjen e saj më të mirë, por mund të them që duhet ta vlerësojmë shumë, sepse ka momente që Teuta është shumë cinike. Eshtë e fortë në mbrojtje, është e vërtetë që vrapojnë shumë, janë agresivë, kështu që edhe ne duhet të jemi në të njëjtën mënyrë, sepse luajmë edhe në fushën tonë. Shpresoj që edhe tifozët t’i kemi me vete dhe të hyjmë për tre pikë.
Besoj se e kam kaluar dëmtimin, ka qenë thjesht një dëmtim dhe së bashku me trajnerin Brdariç vendosëm të pushoj në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Jam gati 100% për të dhënë maksimumin për ekipin dhe shpresojmë që të marrim tre pikët.
Shiko, në qoftë se luajmë me të njëjtën mënyrë, siç kemi luajtur deri tani, duke krijuar volum loje dhe raste, ai ngërçi kalohet, pasi është një moment. Unë kam besim se në qoftë se sulmuesit do të zhbllokohen nga kjo pjesa e shënimit të golave, besoj që nuk do të ndalemi, thjesht duhet që ta kalojmë këtë periudhën gjithë bashkë. Duhet t’i mbështesim edhe sulmuesit të gjithë ne dhe pastaj nuk ka rëndësi kush shënon. E rëndësishme është të marrim tre pikët dhe të ecim përpara.
Normalisht, kupa është shumë e rëndësishme, sepse kap edhe Europën, pastaj në qoftë se do e marrim do ishte mirë, ashtu sikur vjet. Kemi edhe grupin edhe cilësinë e ekipit që të luftojmë në dy frontet. Kështu që, me kupën duhet të sigurojmë Europën, pastaj në kampionat duhet të marrim çdo ndeshje një e nga një dhe të fitojmë, sepse më të vërtetë Tirana është larguar shumë pikë, por derisa na e lejon matematika, duhet të luftojmë deri në fund.
Kampionati është më i fortë, sepse luftojnë shumë ekipe për Europën dhe plus tani është edhe kupa që është me ekipe të forta. Vjet ndoshta kishim pak më shumë fat në kupë. Kampionati është më i fortë, pasi edhe ekipet që luftojnë për mbijetesë janë goxha mirë. Çdo ekip të hap probleme, kështu që duhet të shohim deri në fund ku do shkojmë.
Normalisht, deri tani jam i kënaqur me atë çfarë kam dhënë për Vllazninë. Të them të drejtën, jam ambientuar mirë në Shkodër. Më kanë mbështetur edhe njerëzit, tifozët dhe stafi të gjithë. Për të ardhmen nuk e di, duhet të flas me drejtuesit, por njëherë jam i përqëndruar për këtë sezon, sepse është goxha i fortë dhe duhet ta vlerësojmë shumë.
Sidomos sepse lufta është bërë edhe për Europën shumë e fortë. Jam i përqëndruar njëherë për këtë vit, pastaj do flasim për vitet tjera”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi. /Nga Maringlen ZHIVANI/