Kastrioti ka bërë dje një përmbysje spekta kolare në “Loro Boriçi”, duke mposhtur Vllazninë me shifrat 1-2 falë dopietës së mesfushorit shkodran, Edon Hasani, i cili vulosi fitoren pas një goli fantastik me goditje nga jashtë zone.
Humbja në shtëpi ka zhytur në krizë skuadrën kuqeblu, pasi hera e fundit që ka marrë tri pikë në kampionat, ka qenë kundër Dinamos më 3 mars në Shkodër, ku fitoi 2-1 nën drejtimin e Tomas Brdariçit.
Ky ishte takimi i pestë radhazi që Vllaznia nuk arrin të triumfojë, duke acaruar jo pak tifozët shkodranë, të cilët kanë shpërthyer pas ndeshjes në faqen zyrtare të klubit në “Facebook”. Ata kanë shprehur në një masë të madhe përkrahjen ndaj trajnerit gjerman, që u shkarkua nga klubi pasi humbi me Tiranën më 12 mars.
Nisur nga kjo situatë, “Panorama Sport” kontaktoi dje në mbrëmje vetë Brdariçin, duke kërkuar një reagim nga ai për ecurinë e Vllaznisë, pasi që prej largimit të tij, ekipi nuk po arrin të fitojë. Përgjigjja e gjermanit ishte e shkurtër, por jo pak thumbuese ndaj presidentit të Vllaznisë. “Duhet të pyesni Alban Xhaferin, jo mua. Më vjen keq, nuk mund të them asgjë më tepër për ecurinë e ekipit”, deklaroi shkurtimisht Brdariç. /Nga Admir URUÇI/