Tek Vllaznia ka shumë besim për një paraqitje të mirë në ndeshjen e së enjtes ndaj AEL Limasol. Një gjë e tillë është shfaqur edhe në fjalët e trajnerit Thomas Brdariç në konferencën e shtypit të dhënë në këtë pragndeshje. Trajneri i kuqebluve e ka të qartë rëndësinë e kësaj ndeshje, megjithatë shpresoj që skuadra e tij të zbatojë detyrat që ai do t’i japë dhe të marrë rezultatin e duhur.
“Skuadra është gati për ndeshjen me AEL. Gjatë këtyre ditëve jemi munduar ta studiojmë këtë kundërshtar dhe mënyrën si ai luan. Kemi të bëjmë me një skuadër të mirë, në rradhët e të cilës ka lojtarë me shumë cilësi, por kanë edhe ato pikat e dobëta dhe ne do të mundohemi t’i godasim pikërisht aty.
Çdo kundërshtar është i vështirë. Në këtë fazë që kemi mbërritur duhet të tregohemi më të kujdesshëm. Me Shiroki Brijeg ndoshta kemi treguar pak naivitet. Fatmirësisht edhe orari i ndeshjes tashmë është ndryshuar nga UEFA dhe kushtet do të jenë më të mirë për të dy ekipet për të zhvilluar një takim të mirë.
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj AE, kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë agresiv dhe sulmues dhe kuptohet edhe atmosfera në stadium do të jetë në favorin e tyre. Ne duhet të jemi të përgatitur për të gjitha këto dhe të japim më të mirën tonë, për të tentuar një rezultat sa më të mirë të mundshëm. Vetëm Da Silva nuk do të jetë i gatshëm se është i dëmtuar, ndërsa të tjerët janë të gjithë në dispozicion dhe shpresoj që secili prej tyre të japë më të mirën e tij në këtë sfidë shumë të rëndësishme”- ka thene ai.
Vllaznia pritet të ketë ndonjë ndryshim në formacion për këtë ndeshje dhe shpresat janë të mëdha për një rezultat pozitiv në ndeshjen që do të luhet të enjten në orën 19.00 në Qipro.