Kush e dinte se pas dy llojeve të njohura, të parashikuara dhe të paparashikuara, ‘shtatzanitë politike’ do të ishin një lloj i tretë, i rrallë, por domethënës, i jetës sociale. Sidomos tani, kur secili mundet ta publikojë në çast atë që ndër gra tundet në prehrin rozë të klishesë ‘pritja e ëmbël’.
Është skizofrenia e publikes që e bën të debatueshme ‘shtatzaninë politike’, duke qenë se ajo në fakt, ajo është përdorur rëndom në mbretëritë europiane si instrument i lidhjes dhe kyçjes së aleancave gjeopolitike me anë të gjakut. Ky ‘gjak i lidhur’ shërbente, jo pak herë, si digë kundër ‘gjakut të derdhur’ (apo dhe të flligësht në rastin kur ‘gjakblutë’ martoheshin mes veti).
‘Pula’ e kësaj dijenie ka qenë aty, para se të mbërrinte në fund të kësaj jave ‘veza’ e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Partnerja e tij, AX, është, shkruan me thuajse ngashënjim, mediat e shumta pranë Veliajt, shtatzënë.
Ato pak që nuk janë pranë tij, por sidomos rrjetet sociale ku banojnë miliona ‘luçiferë’ gjetën rastin e pagjasë që të shfryjnë edhe mbi një lajm të tillë, beninj, pavarësisht antipatisë politike apo personale për kryebashkiakun, Erion Veliaj.
Është nga ato rastet kur njerëzit nuk gjejnë te vetja durim dhe kthjelltësi për të heshtur dhe për të dëgjuar tingullin e heshtjes.
Epshi për ta futur edhe fëmijën e sapongjizur në ligatinën e të mëdhenjve është një teprim njerëzor i papërligjur.
Kryebashkiaku i Tiranës, m’anë tjetër, është i tërhequr prej teprimeve dhe nuk ndalet para tyre, edhe kur ato janë çnjerëzore. Kur shtatzania e partneres ende nuk ishte ulur, përmes smogut të Tiranës në bisedat e kafeneve dhe gijotinës së Facebook-ut, ai foli, politikisht në pamje të parë, ‘për një opozitë tradhtare që del kundër integrimit’.
Pse është i tepruar ky koment në dukje pafajësisht politik?
Për tri arsye.
a-Nuk ka një provë të angazhimit opozitar kundër integrimit;
b-E vërteta është provë, por në vetvete, jo si diçka që duhet mbajtur e fshehur për hir të një të vërtete tjetër;
c-një mami shtatzanie të dështuar nuk mund të akuzojë një tjetër për abort jo etik.
Nëse ia nisim nga fundi, nga pika b, Erion Veliaj është mamia e shtazanisë së dështuar të Griseldës (partneres së ish-kryebashkiakut të Kavajës) për të cilën lëshoi alarmin në institucionet europiane duke mbështetur versionin çnjerëzor të rrëmbimit të saj nga njerëz të pushtetit.
Gjë që rezultoi qesharakësisht e rrejshme. Gjë që foli edhe për epshin e panginjur të Veliajt, i tillë sa mund të fabrikonte edhe ‘shtatzani politike’.
Pika a është më e thjeshtë: nuk ka as edhe një dëshmi të angazhimit të opozitës zyrtare në procesin e ashtuquajtur të pengimit të çeljes së negociatave të vendit me BE. Përkundër kësaj, disa deputetë gjermanë të Bundestagut e kanë shpallur në shtyp faktin se, kryetari i PD, Basha, në takimet që ka zhvilluar në Berlin ka kërkuar Po-në në favor të Shqipërisë.
Veliaj dhe socialistë të tjerë, me anë të përsëritjes së mesazhit për opozitën si pengesë, duan të krijojnë një tjetër ‘shtatzani politike’, e cila pas 28 qershorit të mund të lindë një kërriç betejash elektorale, nëse Europa thotë ‘Jo’.
Në pikën b na duhet të jemi paksa filozofikë kur themi se është e pavend që të mbulosh premisat e një fakti me prospektin e një të vërtete. Pra, të mbyllësh gojën para fakteve të shumta, dëmtuese të europianizimit të Shqipërisë, sjellë në jetë nga mbarsja e politikës me krimin, për një lindje që do të ndodhë më 28 qershor nën aureolën e Europës.
Pa e bërë asfare pyetjen: a shkojmë me këtë bark në dyert e BE më 28 qershor, apo Europa, me ndihmën e Zeusit (kujtoni mitin e rrëmbimit të Europës), i jep Shqipërisë një mitër fringo të re?
Erion Veliaj duhet ta dijë se, ‘shtatzanitë politike’ janë ‘a son of a bitch’. /Nga Alfred Lela/