Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë është pezulluar nga detyra me vendim gjykate. Sipas News24 bëhet fjalë për Ismet Sulën, i cili dyshohet se ka favorizuar në një aksident djalin e Tom Doshit.
Po ashtu, raportohet se edhe struktura drejtuese e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë është vënë në hetim nga Prokuroria. Vendimi është marrë pas nisjes së hetimeve në lidhje me një aksident të ndodhur para pak ditësh në rrugën nacionale Lezhë-Laç.
Në këtë aksident është përfshirë djali i ish-deputetit Tom Doshi i cili ka përplasur një tjetër mjet ku po udhëtonin një çift bashkëshortësh.
Sipas hetimeve djali i Tom Doshit ka qenë fajtor, por është ndihmuar dhe favorizuar nga policia për t’u larguar nga vendngjarja. Hetimet do vijojnë për te zbuluar nëse policia ka kryer veprimet sipas ligjit.
Efektivët akuzohen për “shpërdorim detyre”. Ndërkohë prokuroria po heton edhe shefat dhe drejtuesit e tjerë të policisë së Lezhës për të zbuluar se kush ka urdhëruar favorizimin e djalit të Tom Doshit.