Gjigandi kroat, plot 1.90 metra i gjatë do të jetë sulmuesi i ri i Vllaznisë. Ky është informacioni që po qarkullon në rrjete sociale, përmes grupeve të tifozëve kuqeblu, të cilët për hir të realitetit, në jo pak raste kanë paraprirë me informacione të sakta.
Mësohet se Ante Aralica është 25 vjeç, më parë ka luajtur me ekipe si NK Lokomotiva dhe NK Rudes në Kroaci, për 3 sezone (2018-20) ishte pjesë e ekipit Bullgar, Lokomotiv Plovdiv, ekip i kategorisë së parë me të cilin arriti të fitojë edhe 3 trofe, 2 herë kupën e Bullgarisë dhe 1 herë superkupën.
Sezonin e fundit ai ishte pjesë e Hermannstadt, ekip i kategorisë së parë në Rumani. Aralica shquhet për fizikun e tij dhe goditjen potente. Megjithëse është një lojtar me gjatësi prej 1.90 metra, ai është i shpejtë dhe ka një teknikë të mirë. Me këtë afrim, qendra jonë e sulmit pasurohet me një lojtar me peshë duke u kompletuar si repart.
Pa u ndalur në aftësitë ose jo të lojtarit, sipas informacioneve nga Hermannstadt, Ante Aralica ka kaluar me 26 qershor tek ekipi Lokomotiv Sofia në Bullgari. Kalimi në Shqipëri tek Vllaznia, mund të bëhet vetëm në formën e huazimit nga Lokomotiv Sofia ose të prish kontratën me këtë të fundit.