Patjetër që nuk jemi “shoqëri e durueshme” dhe nuk presim gjatë! Nga ana tjetër jemi pikërisht shoqëri e durueshme për të mbajtur gjatë kohën jo të mirë të një diktature, tranzicioni që në fakt durohen nga ajo shoqëri dhe popull, që është i paduruar për momente që kanë kohën e tyre reale të pjekjes apo përfundimit! Kjo na tregon mos njohës së filozofisë dhe padyshim dhe mosrespektues standartesh, kohësh, ritmi dhe grafiku si përfundim!
Por unë e kam fjalën te batuta. Kryeministri ynë Rama ka që nga fillimet e qeverisjes së tij që kur takohet me njerëzit dhe fillon e ndjehet padurimi i tyre për kërkesat, që pa as më të voglin dyshim janë të vërteta dhe të drejta shpesh herë – ai (KM-ja) ka gati një batutë të tijën e cila në të vërtetë ka shumë kohë që është përdorur gjerësisht në biseda! Zoti Rama i thotë një fshatari apo qytetari që kërkon dy apo tre gjëra “sa fëmijë ke”! dhe qytetari i përgjigjet se ka “tre ose dy fëmijë” dhe KM-ja ja kthen me batutë që në shumë raste vlen dhe thotë kështu: i ke bërë përnjëherë tre fëmijët apo një nga një?! E ka ndodhur që realisht të jenë bërë një nga një fëmijët. Tani nuk do merrem me batutën, sepse mund edhe të ndodhë që qytetari ti kishte bërë binjakë dhe nuk e di se cilën batutë tjetër do të kishte shpikur kryeministri ynë Rama. Po pra që qytetari ti thoshte – po mor zotni, të tre përnjëherë mi ka bërë gruaje, mos është gjë gabim kjo?! Cilën batutë do t’i thoshte zoti Rama? Po të kisha qenë unë do t’i thoja se “më vjen keq, por qeveria nuk është kaq e zonja sa gruaja jote”?! Pra mund të bëhet dhe dy apo tre fëmijë përnjëherë sepse aftësitë e njeriut janë të tilla, t’i bëjë dhe tre fëmijë përnjëherë. Aftësitë e qeverisë nuk janë kaq të mëdha sa edhe të të shtrojë rrugën dhe të sjellë ujin në filan vend, ku nuk ka. Ka disa vende që qeveria i ka bërë dhe të dyja menjëherë dhe që kjo gjë e hedh batutën e madhe të KM-së “pothuaj në tokë”. Bie fjala në Tamarë të Shkodrës ose Malësisë së Madhe ka shkuar rruga, është bërë qendra urbane shumë e rëndësishme që e ka zhvilluar shumë zonën. Po pra “binjakë të mirë”. Përnjëherë! Ka dhe shumë vende të tjera po kështu!
Batuta e përsëritur shumë nëpër Shqipëri nuk është më e bukur dhe e “hajdhshme”?! Ajo tashmë bëhet një retorikë që shpesh herë i bën keq atij që e thotë?! Jam i qartë se ai që e thotë këtë batutë, nuk dëgjon askënd për batuta sepse nuk e ka këtë “çip” të vendosur dhe se mbase kujton se është i vetmi që di batuta të bukura!? Por në fakt, është thjesht nip Shkodre dhe jo realisht një shkodran që të merret akoma më shumë me batuta?! Unë jam shumë i gëzuar që është vetëm nip dhe “jo shkodran 100% i sotëm”, sepse do ta kishte konsumuar jetën dhe politikën vetëm me batuta dhe kaq. Po pra si në Shkodrën e batutaxhinjve “antikomunistë”, të cilëve ka kohë që kjo batutë i ka bërë bajat! Qartësisht batuta e tij është ku e ku më e mirë se sa paraardhësit i cili batutën e ka “folkoufologjike” me karakter gudulisës kur duhet të jetë pjesa për të qeshur. Për këtë kemi një avancim tepër të madh nga kryeministri në kryeministër.
Dakord, por nuk është vetëm çështje batutash. Një nga batutaxhinjtë politikë më të fortë ishte Winston Churchill. Ai bie fjala, ka një të bukur shumë që thotë: fanatik është ai që nuk mund të ndërrojë ide dhe nuk ka ndërmend të ndryshojë argument! Po e ka përdorur disa herë dhe pastaj kjo ka marrë median dhe masat poshtë e ai nuk e ka përdorur më, sepse ishte bërë një koncept modern për kohën! Mos ndryshimi argumentit është kryevepër dhe për batutaxhinjtë në Shqipëri! Churchill ka dhe një tjetër të bukur! Ai e ka fjalën te lufta në të vërtetë. Por edhe ne në Shqipëri në “luftë me njëri tjetrin për pushtet jemi”. Ata lart, sepse unë që po shkruaj dhe shumë si unë dhe të na e falësh nuk e duam, sepse “nuk bën për ne, ose është shfaqe e huaj për ne”. Por Churchill thotë: Në luftë nuk duhet të jesh simpatik, duhet vetëm të kesh arsye të drejtë! E po po, simpatik kur të kanë shpallur luftë pra! Sigurisht që ka dhe një tjetër të bukur kryeministri fitues i Luftës së dytë Botërore. Ai thotë: Është gjynah, mëkat, të mos bësh asgjë me pretekstin që thotë “nuk mund t’i bëjmë të gjitha”!
Them se është e bukur më shumë se të tjerat! Ju takon gjithë politikës dhe politikanëve shqiptarë, rrenacakëve dhe mashtruesve të shumtë në të! Por unë do ta mbyll me batutën e tij që i përket shumë vendit tonë dhe mënyrës së tij të ecjes në liri dhe pothuaj demokraci! Mënyrës e të gjitha qeverive të tij (Shqipërisë) që me mbarimin e diktaturës. Winston Churchill thotë: Koha e shtyrjeve, të masave të marra përgjysëm, i rekordeve mashtruese dhe ngushëlluese, koha e vonesave duhet të mbyllet! Tani duhet të nisi periudha e aksioneve që prodhojnë pasojat e pritura. Unë besoj si optimist që jam, se kjo batutë (ato kthehen në aforizma) ja vlen të përsëritet dy a tre herë dhe pastaj të veprohet. Unë besoj se janë disa individë që duan të jetë kështu dhe besoj se vlen më shumë se sa batuta “si i ke bërë fëmijët tek e tek, apo përnjëherë”?! Por kam sërish një besim të madh se “nuk dëgjon askush” ngaqë në Shqipëri pothuaj të gjithë “shesin mend” dhe askush nuk blen, aq më pak nga “Winston Churchill”. Pse? Sepse kujtojnë se dikush nuk mërzitet nga batutat e përsëritura dendur! Sepse dhe sikur të jenë falas nuk shkojnë te ai vend ku shiten! Pastaj sepse kur ngjiten lart shumë lart kthehen në mitoman! Gjithsesi jeta me batuta është më e bukur, më e çiltër dhe më e afërt me popullin! Kështu që pse mos të përdoret?! Nganjëherë (shpesh herë) atij i pëlqen shumë batutaxhiu!/Nga Besi BEKTESHI/