Partizani është penalizuar për afrimin e Erald Çinarit në verën e 2018-ës. Mashtrimi që ka ndodhur me sulmuesin shkodran duket i denjë për një skenar filmi me disa seri. Vetë dinamika e lëvizjes verore zbardh skemën e mashtrimit. Fillimisht shitet në Spanjë dhe shuma për transferimin derdhet në një llogari false në Itali, më pas kalon në Kroaci te klubi satelit i Alaveshit. Vllaznia e denoncon skemën e mashtrimit dhe në fund ndëshkohet Partizani.
“Demat e kuq” e kanë pësuar nga firma që lojtari ka hedhur pa kriter gjatë verës së 2018-ës, ku në fillim të korrikut u tha se firmosi për 3 vite me Deportivo Alaveshin, kalim të cilin e bllokoi Vllaznia pas ristrukturimit të klubit, ku pas dorëheqjes së Astrit Gjyrezit administrator u emërua Suad Lici. Spanjollët pretenduan se transferimi është kryer, duke pohuar se ka pasur akord me klubin dhe madje ishin paguar edhe 20 mijë euro në një llogari bankare në Itali, që mendohej se ishte e Vllaznisë.
Klubi shkodran, jo vetëm që e hodhi poshtë, por kërcënoi se çështjen do ta kalonte në prokurori, pasi kishte elemente mashtrimi dhe falsifikimi, si dhe do t’i dërgonte spanjollët në FIFA, ku do të kërkonte dëmshpërblim. Më pas Alavesh e huazoi Çinarin te klubi i tij satelit në Kroaci, Istra, ku lojtari ka hedhur sërish firmë në kontratë. Më 14 gusht 2018, me një deklaratë për shtyp, klubi shkodran sqaron gjithë ngjarjen dhe hapat që ka ndjekur me dy klubet e huaja, duke mos e lënë të lirë sulmuesin.
U fol se skema e mashtrimit të transferimit të Çinarit do të shkonte për hetim, por edhe pas dy vitesh nuk ka asnjë zhvillim. Në mes të gushtit lojtari u kthye nga Kroacia në Shkodër, pasi Vllaznia nuk ia dha dokumentacionin. Partizani hyri në bisedime me klubin kuqeblu ku edhe pagoi rreth 50 mijë euro për kartonin e Çinarit.
12 KORRIK 2018
Çinari firmos kontratë 3- vjeçare me Deportivo Alavesh, ku spanjollët pretendonin se kishin akord me Vllazninë dhe kishin paguar 20 mijë euro në një numër llogarie në Itali.
23 KORRIK 2018
Pas dorëheqjes së Astrit Gjyrezit, Suad Lici emërohet administratori i ri i Vllaznisë, i cili si detyrë të parë ka pasur sqarimin e çështje “Çinari” që kishte nisur që në maj.
1 GUSHT 2018
Alavesh i përgjigjet kërkesës së Licit se nuk kanë çfarë të diskutojnë, pasi akordi më Vllazninë është arritur me kohë. Më 2 gusht Vllaznia u konfirmon spanjollëve bllokimin e lojtarit.
13 GUSHT 2018
NK Istra, pas huazimit të Çinarit nga Alavesh, ka kërkuar që KF Vllaznia të ndërhynte në sistemin TMS të FIFA-s për të mbyllur transferimin e këtij futbollisti sipas rregullave.
14 GUSHT 2018
Vllaznia përmes një deklarate sqaron gjithë rrjedhën e telenovelës “Çinari”, duke radhitur edhe shkeljet. Shkodranët paralajmëruan se rastin do ta dërgonin në Prokurori dhe në FIFA.
30 GUSHT 2018
Partizani gjen akordin me Vllazninë dhe pasi merr konfirmimin nga FSHF-ja dhe nga pala shkodrane se nuk ka asnjë pengesë, paguan 50 mijë euro për kartonin e sulmuesit dhe e federon. /Nga Ilir CARA/
LAJMIN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”