Nga sot, RTSH Shkodrës do t’i mungojë një nga specialistët e sektorit teknik. Ndarja nga jeta në moshën 61-vjeçare e specialistit të teknikës Rauf Bushati ka tronditur stafin e Radio Shkodrës, institucionit ku ai dha kontributin e tij për më shumë se 30 vite.
Rauf Bushati ishte pjesë e rëndësishme e realizimeve të emisioneve, të transmetimeve radiofonike si teknik trasmetimi, duke u bërë kështu bashkautor i shumë programeve.
Përgjatë viteve të punës në radio, ai u bë pjesë e pandashme e historisë 77-vjeçare të saj. Kontributi i z. Rauf Bushati si specialist elektrik ka gjurmët e veta të pashlyeshme në realizimin, montimin dhe riparimin e rrjetit elektrik në radio. Kontributi i shumanshëm i tij u shtri edhe në punën rigoroze në furnizimin dhe vijueshmërinë e punës në magazinën e radios.
Kolegët e bashkëpunëtorët kanë gjetur tek Rauf Bushati mikun, shokun e bashkëpunëtorin e afërt e të pakusyer në çdo kohë. Ata do të kujtojnë dashamirësinë, humorin e komunikimin e ngrohtë të tij. /RTSH Shkodra/