Një tërmet me magnitudë 5 ballë goditi Gjirin e Korinthit në Greqinë qendrore pak pas mesnatës së kaluar por nuk ka raporte të menjëhershme për dëme apo lëndime.
Tërmeti i fuqishëm ka rënë rreth orës 01:00 sipas orës shqiptare dhe lëkundjet janë ndier në Fokida, por edhe në Atika. Sipas Institutit Gjeodinamik grek, tërmeti me magnitudë 5.1 ballë ishte me qendër 26.1 km në juglindje të Amfissa -s dhe kishte një thellësi fokale prej 5 km.
Tërmeti kryesor është paraprirë nga një goditje me magnitudë më të vogël, ndërsa pas lëkundjes kryesore me magnitudë 5 janë regjistruar gjithsej 11 pasgoditje.
Në zonat pranë tërmetit banorët shprehen në panik pasi lëkundja ka qenë e fortë dhe ka pasur edhe një zhurmë të fortë. Banorët e Xylokastros thanë se tërmeti ishte shumë i fortë në qytetin e tyre dhe se u zgjuan kujtimet e vitit 1999, kur ka pasur një tjetër tërmet që ka sjellë pasoja të mëdha. Banorët nga Galaksidi dhe Eratini e cilësojnë tërmetin si intensiv, por me kohëzgjatje të shkurtër dhe me zhurmë të fortë.