Thomas Bradric, trajner i Vllaznisë, përgëzoi futbollistët e tij për përkushtimin në ndeshjen e fituar 2-0 me Skënderbeun. Ai theksoi rëndësinë që ka ekuilibri në të dyja fazat e lojës për të arritur objektivin përfundimtar.
“Mendoj se tri pikët ishin shumë të rëndësishme. Duhet të punojmë shumë, mbi limitet tona, edhe kur nuk kemi topin në kontroll. Me përkushtimin e futbollistëve mendoj se e merituam fitoren sot.”
Impakti i zëvendësimeve: “E dimë qe jemi konkurrues dhe u kemi thënë futbollistëve që duhet të jenë gati kur t’u jepet mundësia. Ata duhet të tregojnë dëshirë dhe të thonë: “po, jemi gati në çdo moment”. Është një punë e madhe nga ana psikologjike, që futbollistët, që nuk kanë luajtur shumë, të jenë të gatshëm edhe në anën fizike.
Lodhja: “Ndeshjet e fundit ishin shumë të vështira, sepse luajtëm edhe më një lojtar më pak. Kemi sakrifikuar në ndeshjet me Teutën dhe Partizanit. U pa qartë, edhe sot, kur kishim topin, në disa momente çalonim. U munduam të ishim mirë në fazën mbrojtëse dhe në kundërsulm, derisa shënuam golin e dytë.”
Vllaznia, si pretendente: “Duhet t’i analizojmë ndeshjet shumë mirë, që të zbulojmë se ku jemi, dhe mendoj se në të kaluarën shumë persona kanë menduar se pësuam shumë gola. Njerëzit kanë dëshirë të shohin futboll sulmues, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm edhe në tranzicionin difensiv, edhe në kundërsulm. Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë.