Projekti i parkut Buna pritet të transformojë tërësisht hyrjen e Shkodrës. Kryeqendrës së veriut pritet t’i shtohet një port i ri, fusha multisportive, një muze lundrimi, shëtitore buzë lumit, hapësira rekreative dhe më e rëndësishmja do të mundësojë zgjerimin e urës mbi lumin Drin që shfryn trafikun.
Benet Beci kandidati i PS për Shkodrën konsideron se investimi i jep qytetit një mushkëri të gjelbër, shumë të dëshiruar, ndërsa qytetarët do të kenë një marrëdhënie të re me liqenin dhe Bunën
“Shkodra e gjithë ajo zonë është porta hyrëse e Shqipërisë në Europë. Në atë zonë hyhet dhe dilet në europë dhe përfaqësimi i asaj hyrje nuk është vetëm për shkodrën por është edhe një simbolikë e qytetërimit dhe e historisë. Qëllimi parësor i projektit është që kur të hymë në Shkodër të kemi mundësi të perceptojmë Bunën, të perceptojmë liqenin dhe të gjithë bukuritë natyrore që ka pjesa e kalasë dhe më tej.”
Projekti është hartuar nga i njëjti arkitekt që kreu transformimin e sheshit të Shirokës, vlerësuar me çmim ndërkombëtar. Me pikënisje nga hyrja e re e Shkodrës, të gjitha bukuritë e qytetit do të ndërlidhen
“Dhe prandaj kjo pikë si hyrje e qytetit të Shkodrës është dhe pika lidhëse me Shirokën, me anën tjetër të Bunës dhe liqenin. Vetë Shiroka është pika e parë të konceptit të rivitalizimit të anës liqenore. Oferta më e jashtëzakonshme turistike që ka Shkodra është pjesa e liqenit të Shirokës dhe ajo anës Bunës.”
Sipas Becit, Shkodra do të kthehet në një magnet turistik, ndërsa Velipoja do të ketë një rol kryesor në planet transformuese
“Dy investime që janë statregjikisht të mirëmenduara është ura e Bunës që kalon në Pulaj dhe që lidhet me Ulqinin në mënyrë të shpejtë dhe rruga që shkon nga Shëngjini në Velipojë mbi Rërën e hedhur. Në dy investime oferta jote turistike është një plazh ranor i pandërprerë 50 kilometra. Këto lidhen edhe me hyrjen e Shkodrës dhe me të gjithë trekëndëshin që vjen në Shkodër nga alpet, në Shkodër brenda, në Velipojë dhe zgjerohet me Ulqinin dhe Shëngjinin”. /Top Channel/