Në ditën e djeshme është hapur një diskutim i ri për klubin e Vllaznisë që ndodhet në një moment të rëndësishëm teksa po shkon drejt privatizimit. Klubi shkodran është ngritur menjëherë në nivelet më të larta të futbollit shqiptar pas afrimit të Xhaferit&CO dhe marrëveshjes me Bashkinë Shkodër, duke luftuar për titullin kampion deri në javën e fundit dhe njëkohësisht duke triumfuar në Kupën e Shqipërisë.
Por kjo kohë verore nuk është edhe aq e qetë për drejtuesit e klubit dhe njerëzve që kanë poste të rëndësishme te Vllaznia nga sulmet direkte. Së fundmi u publikua në media se kontratat e firmosura nga lojtarët janë të paligjshme e për këtë arsye janë larguar një pjesë e rëndësishme e futbollistëve nga grupi i shkuar. Por sa e vërtetë është kjo? Për këtë arsye “Sport Ekspres” ka zgjedhur që të marrë shpjegimin e Alban Xhaferit, sponsorit të klubit, i cili nuk ngurron të japi përgjigje çdo pike akuzuese që është ngritur ndaj tyre.
“Për hir të transparencës dhe sqarimit të tifozerisë së zjarrtë në lidhje me çështjen e formatit të kontratave me disa lojtarë që qarkullon në rrjete sociale ndërmjet KF Vllaznisë, grupit partner (sponsorit) dhe lojtarëve (ku si rregull kjo e fundit duhet të jetë konfidenciale ndërmjet palëve) duhet të sqaroj si më poshtë:
Marrëveshja që është lidhur një vit përpara me KF Vllazninë është një marrëveshje sponsorizimi, partneriteti dhe bashkëpunimi që konsiston në disa nivele duke filluar që nga sponsorizimi deri tek asistenca teknike, financiare etj. E përsëris edhe njëherë është dhe partneritet ku ne mund të asistojmë KF Vllazninë dhe në rolin e agjentit për të sjell lojtarë sa më cilësorë.
Në këtë kuadër, pika 1.1 lidhet direkt me komisionet e agjentëve që shumica e lojtarëve kanë të kontraktuar kur negociojmë me klubet. Sa për dijeni me rregull te FIFA çdo person i moshës madhore mund të jetë agjenti i një lojtari dhe të kërkojë % te caktuar mbi kontratën e lojtarit që negocion me klubin për interesin e lojtarit apo të tij dhe zakonisht këto komisione janë 10% e vlerës së kontratës. Dhe për të formalizuar këtë marrëdhënie (madje një pjesë e agjentave janë dhe jashtë Shqiperisë pa numër niptit), ne vendosemi në rolin e agjentit për ti paguar në emër të KF Vllaznisë për të mundësuar ardhjen e lojtarit dhe kjo shumë pastaj përkthehet në donacion që i bëhet klubit nga ana e jonë).
Pra kjo është e sqaruar si e bardha në të zezë në kontratë (Palët kanë rënë dakort që me nënshkrimin e kësaj kontrate „”Sponsori“ të mos kërkojë shumën e komisionit, por të njihet si kontribut i sponsorit në këtë marrëdhënie) Pra për klubin apo për lojtarin nuk ka asnjë detyrim shtesë apo pagese “ekstra” në emër të tyre që kryhen për sponsorin apo për kënd tjetër, përkundrazi KF Vllaznia përfiton nga një shërbim shtese falas (komisionet e agjenteve te lojtareve), gjë që për shumë vite ka munguar si zë, duke i mohuar ardhjen e lojtarëve cilësor dhe këtë vit u mundësua falë kësaj marrëveshje që pasqyrohet dhe në rezultatet që arritëm.
Për sa i takon pikës 1.4 e ndarë komplet nga pika më lart, kjo është në kuadër të marrëveshjes të partneritit ku secila palë respekton si detyrimet për pagesën e rrogave, dietave, bonuseve apo shpenzimeve operative(ku ne kemi mbuluar mbi 30% deri tani me një vlere që shkon mbi 250 mijë euro për sezonin e kaluar), të ketë gjithashtu dhe benefitet në rast të realizimit të suksesshëm të transfertave të mundshme të lojtarëve (rasti i Dungës), ku përfitojnë klubi gjithashtu dhe shumë palë të tjera që janë të përfshira si pjesë e këtij transferimi.
Për të transferuar një lojtar ka shumë faktor apo lobime të ndryshme në pagesa apo diskutime me klubet e tjera që kane kostot e tyre (gjë që përkthehet në % pagesës sipas marrëveshjeve paraprake. Kjo është dhe një arsye kryesore që mbas shume vitesh KF Vllaznia arrin të transferojë një lojtarë te huaj në kampionat japonez dhe të perfitojë një shumë të konsiderueshme nga kjo transfertë)
Për sa më sipër, kontratat në vetvete janë të miratuara në FSHF që është pjesë e organizmave ndërkombetare siç është FIFA dhe të firmosura nga ato dhe të bëra sipas çdo standarti të mundshëm dhe nuk besoj se ka mbetur si pjesë e disa personave në rrjete sociale apo me tej që të bëhet ky vlerësim.
Është i habitshëm fakti që gjithë kjo amulli është krijuar ditët e fundit në disa portale apo media lokale, siçe duket të sponsorizuara për të dëmtuar Vllazninë, pasi formati i kësaj kontrate është bërë 1 vit përpara dhe ka qarkulluar disa herë nëpër media gjatë këtij viti apo ndër panele të ndryshme diskutimi kohë më përpara.
I bëj thirrje gjithë tifozerisë së zjarrtë shkodrane, gjithë dashamirësve që të mbështesin fuqishëm Vllazninë dhe të lënë mënjanë disa diskutime dashakeqëse që vijnë nga informacioni jo i saktë apo nga dikush apo grupe interesi që duan të dëmtojnë KF Vllazninë në këtë fazë shumë të rëndësishme të saj që shkon drejt rrugës pa kthim të privatizimit. I siguroj ato që po punojmë çdo ditë me shumë përkushtim dhe dedikim për të bërë një merkato të fuqishme për të bërë sa më kompetitiv ekipin në të gjitha aspektet për sezonin që po vjen dhe sa më konkurrente në kupat e Europës.
Sigurisht që ka vend për përmirësime në çdo aspekt dhe finalizimi i procesit të privatizimit do të thjeshtonte të gjitha përgjegjësit për detyrimet e klubit, të tashme dhe te ardhshme, që do të merren nga sponsori në cilësinë e pronarit.
Po krijojmë një format të ri të rindërtimit të akademisë me qëllimin e vetëm për rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në sport, nxjerrjes së talentave dhe promovimit të tyre në ekipin e parë dhe me tej. Vllaznia e madhe është rikthyer tashmë dhe me ndihmë të Zotit do të ecim përpara”, tha Xhaferi. /Sport Ekspres/