Kryeministri Edi Rama ka folur mbrëmjen e sotme për skandalin “McGonigal”. Ai u shpreh në TCH se çështja ka marrë bujë të madhe, por sipas tij jo në aspekt të hetimit që lidhet me Shqipërinë por për lidhet e ish zyrtarit të FBI me oligarkun rus.
“Unë nuk kam heshtur. Kam thënë atë që mund të them unë në kushtet kur nuk ka asgjë që lidhet drejtpërdrejtë me mua, qeverinë apo këdo qoftë tjetër zyrtar shqiptar. Çështja ka marrë shumë bujë por jo për aspekt të hetimit që lidhet me Shqipërinë por për shkak të hetimit që lidhet me një implikim sipas akuzës për ish zyrtarin e lartë të FBI me një oligark rus shumë të njohur, Deripaska.
Unë dua të përsëris sepse nuk kam shumë çfarë të them mbi këtë bisedë. Por duke qenë se sot refuzova të jem dhe do vazhdoj të jem në një sallë të kuvendit dhe të përfshihem në debat me një opozitë e cila është në një nivel etik të frikshëm dhe më ka tërhequr dhe mua në atë nivel ndonjëherë. Nga ana tjetër ia vlen që në qetësi, të shpjegohen ato gjëra që mund të shpjegohem”, tha Rama.
Ai tregoi disa episode të takimeve që ka pasur me Charles McGonigal. “Ish zyrtarin e lartë të FBI e kam takuar me kërkesë të tij. E kam pritur në zyrë. Kemi pasur një bashkëbisedim miqësor në terma të përgjithshëm. Më ka treguar që puna e tij ka në fokus influencën ruse. Kemi folur për rajonin dhe pastaj takimet e tjera kanë qenë takime që kanë ardhur si rezultat ose i pranisë së tij këtu ose i pranisë time në SHBA ku kam qenë në asamblenë e përgjithshme të SHBA. Nuk shoh asgjë të jashtëzakonshme në këtë marrëdhënie që është normale. Nuk është e vetmja që kam me përfaqësues agjencish të ndryshme. Dhe nuk kam pasur detyrim të lajmëroj askënd sepse është pjesë normale detyrës sime”, deklaroi ai.
Rama mohoi të ketë takuar McGonigal në prani të një biznesmeni dhe hodhi poshtë lidhjet e oligarkut rus me qeverinë shqiptare.
“Nuk ka ndodhur që të kem takuar atë me biznesmenë. Ai ka ardhur së bashku me një qytetar shqiptaro amerikan që ma ka prezantuar si mikun e tij. Me mua nuk është folur kurrë për asnjë lloj përfitimi apo biznesi nga ana e zyrtarit të lartë të FBI. Këshilltari im pa pagesë, i përket shumë viteve të shkuara. E kam njohur në kushtet e detyrës si zv ministër i Energjisë dhe duke e shfrytëzuar si një njeri që ka njohje dhe kontakte. Me oligarkun rus Shqipëria nuk ka asnjë lidhje, qeveria shqiptare nuk ka asnjë lidhje. Asnjëherë nuk është folur për të përveçse tani së fundmi kur opozitat kanë hedhur akuzat. Mësova që paska pasur aksione dhe është larguar menjëherë pasi është vënë nën sanksione. Është njësoj si të them unë tani që një kompani austriake që ka punuar prej vitesh në Shqipëri, që kanë qenë të lidhur me oligarkun në fjalë”, deklaroi Rama.