Klodian Çalamani e ka mohuar që të ketë pasur bashkëpunëtorë në vrasjen e 8-vjeçarit Mateo, krimi i rëndë që ndodhi pak ditë më parë dhe tronditi opinionin publik. Ky pohim i tij për hetuesit vjen pasi familjarët e 8-vjeçarit, kanë ngritur dyshime për përfshirjen e një personi të dytë në ekzekutimin e të birit.
Sipas “News 24”, një gjë e tillë është mohuar nga vetë Çalamani, i cili ka pranuar me gjakftohtësi se e ka kryer ai krimin dhe se mban përgjegjësi të plotë mbi këtë gjë.
Nëna e djalit dhe dy të afërme të familjes kanë denoncuar në polici dhe kanë deklaruar dyshimet e tyre për përfshirjen e një gruaje në krimin e rëndë.
DËSHMITARJA
Një dëshmitare e ngjarjes së rëndë ka treguar se në vrasjen e 8-vjeçarit është përfshirë edhe një femër. Ajo kërkoi të merren shenjat e gishtave të të gjithë familjarëve, pasi sipas saj, një person tjetër shumë i ngushtë është i përfshirë.
Më tej theksoi se Mateo është dëshmitar i një ngjarjeje dhe kjo, sipas saj, duket se i ka marrë jetën vogëlushit.
“Nuk është vetëm Klodiani në këtë mes, por edhe një femër. Tezja e Mateos ka telefonuar vetë një person para dy ditësh dhe ajo e di këtë.
Pra, të merren shenjat e gishtave, qoftë te nusja e xhaxhait, qoftë edhe një person tjetërshumë i ngushtë. Për atë që ka bërë Klodiani ai duhet të varet.
Por nëse do të ishte vrasës, ai do të kishte vrarë fëmijë me kohë. Ku e dinte nëna që vëllai ishte sëmurë, ku i dinte nëna këto biseda…
Unë mendoj që Mateo ka parë diçka, ai donte të thoshte një sekret te xhaxhi dhe tezja. Mateo është dëshmitar i një ngjarjeje”, ka thënë ajo.