Detaje të reja janë bërë të njohura lidhur me vrasjen e 43-vjeçarit shqiptar në Itali Fatmir Ara ose sikurse njihej në zonë si “Miri”.
Mediat italiane raportojnë se autorët e krimit kanë qenë disa persona. 43-vjeçari shqiptar është lidhur në një pemë, është rrahur dhe plagosur disa herë me thikë e më pas është qëlluar me armë zjarri më shumë se një herë. Hetimet paraprake thonë se ai mund të jetë qëlluar me pistoletë e pushkë. Autorët e krimit kanë përdorur një makinë, e cila është gjetur më pas e djegur nga hetuesit.
Ara ishte sipërmarrës i firmës “Nuova Edile” e regjistruar rregullisht prej vitit 2012, banues në komunën Mathi në provincën e Torinos, Fatmir Ara kishte precedent penalë për trafik droge, i akuzuar në të shkuarën si drejtues i një bande trafikantësh që fitonin mbi 700 mijë euro në vit, por që prej një viti e kishte shlyer dënimin me drejtësinë italiane.
Hetuesit kanë përjashtuar pistën e grabitjes pasi 43-vjeçarit shqiptar iu gjetën më vete të gjitha sendet personale.
Fatmir Ara në zonë njihej nga të gjithë si “Miri” , ai u gjet i vdekur më 4 gusht në fshatin San Carlo Canavese pranë Torinos, pasi prej 2 ditësh ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët të tij. Përveç përfshirjes së tij në trafikun e droge , Ara, disa vite më parë (2018) ishte arrestuar dhe i dënuar me tri vite burg. Në atë kohë, ndaj shqiptarit ishin bërë disa denoncime nga bashkëshortja e tij për dhunë, po ashtu dyshohej se mbante armë pa leje. Ara ishte babai i 4 fëmijëve, 2 prej të cilëve nga martesa e tij e parë. /Shqiptarja.com/