Nëse do kërkohet të gjendet një arsye se përse BE refuzon t’i hapë negociatat me Shqipërinë, nuk duhet shkuar më larg se gazeta Liberation e kësaj të mërkure. Në një shkrim të gjatë e përditshmja e referencës të së majtës së moderuar franceze ka ngritur dyshimet për sinqeritetin në luftën ndaj trafikantëve që zhvillon qeveria e Edi Ramës. Lapsi.al e ka lexuar gazetën që gjendet në të gjitha kioskat e Francës mëngjesin e kësaj të mërkure.
“Në kohën kur Shqipëria ka dyfishuar përpjekjet për të hapur negociatat me Bashkimin Europian – që do të diskutohet këtë të enjte – të shumtë janë ata që kanë ngritur pyetjen: “A mos është një farsë lufta kundër trafikantëve që Edi Rama zhvillon prej pesë vitesh?” – pyetet në artikullin e nënshkruar nga gazetarët Giovanni Vale dhe Jérôme André.
Pasi i bëhet një përmbledhje e detajuar rasteve të Saimir Tahirit, Klement Balilit dhe vëllait të ministrit aktual të rendit Fatmir Xhafaj gazeta citon këtë të fundit që thotë se dy reporterët po përsërisin të përkthyera akuzat e opozitës. Por Liberation që uk nguron të nënvizojë se në Shqipëri edhe “e djathta është e diskredituar nga aferat korruptive”, e vë gishtin me forcë në plagët reale të vendit. Ajo thotë se në Holandë, Angli dhe Francë të gjitha policitë janë të shqetësuara për diversifikimin e formave të aksionit të trafikantëve shqiptarë.
Artikulli që Lapsi.al e ka qëmtuar nga fillimi në fund hedh poshtë edhe një mit të ngritur së fundi. Atë që ka pohuar për Liberation ministri Xhafaj se faqja e kultivimit të kanabisit në vend quhet kapitull i mbyllur. Për kundërpeshë ajo ka intervistuar Nicola Altiero, një gjeneral brigade ne jug të Italisë.
“Është e vërtetë që nga ana tjetër e kufirit pretendojnë se hashashi që kapet në Itali është i vjetër, prodhim i viteve të kaluara, por ne i kemi bërë analizat këtu në Itali dhe prodhimi i tij nuk daton më shumë se gjashtë muaj” – i ka thënë ai Liberation. Sipas Altieros në Itali këtë sipas viteve janë kapur: “860 kg në 2015, 13,9 ton në 2016, 34,9 ton në 2017 dhe afërsisht et 10 ton gjatë muajve të parë të 2018”.
Pasi jep këto shifra gazeta hedh dyshimin edhe se paratë e drogës po depërtojnë në ekonomi e cila megjithëse rritet me mbi 3% nuk lejon që gjithë qytetarët të përfitojnë nga kjo rritje. Artikulli i lexuar nga Lapsi.al vëren se paratë e trafikut po shkojnë në ndërtimin e pallateve dhe hoteleve luksoze. Dhe duke vënë që në titullin e vet konstatimin se
“Paratë e drogës janë bërë paratë e politikës” shkrimi ngre pikëpyetjen nëse përparimi drejt BE, i prezantuar si një terapi shëruese nga Edi Rama, mund të bëhet barrikadë për mundur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjithsesi konkluzioni jepet në frazën e tij të fundit: Shqipëria është larg pritshmërive të Brukselit. /Liberation/