Në vitin 2017 nuk kishte as kampionat botëror dhe as europian, por kjo nuk e ka penguar industrinë e basteve dhe lojërave të fatit që të vijojë rritjen me ritme të shpejta, teksa numri i pikave sa vjen e po shtohet.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro. Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e shqiptarëve për lloto e kazino janë rritur me 9.3%, apo rreth 11 milionë euro më shumë.
Ironikisht, që prej vitit 2013, kur qeveria nisi me bujë aksionin për të luftuar këtë fenomen, të ashtuquajtur “Fundi i Marrëzisë”, apo ndryshimeve legjislative për t’i nxjerrë kazinotë jashtë qytetit (që nuk është zbatuar akoma dhe shtyhet vazhimisht) , marrëzia vetëm është shtuar dhe industria ka shënuar rritje dy shifrore vit pas viti. Në 2016-n, zgjerimi ishte 15%, ndërsa edhe në 2018 vlerësohet që ajo do të rritet ndjeshëm për shkak të Kampionatit Botëror dhe shtimit të pikave të lotove e basteve, që po shtrihen në kryeqytet e qytete të tjera të vendit, duke zëvendësuar baret e lokalet tradicionale.
Këto janë vetëm shpenzimet zyrtare, teksa nuk llogaritet informaliteti që vlerësohet i lartë në këtë sektor.
Biznesi më i madh është tek kazinotë. Nga deklarimet zyrtare, kazinotë elektronike rezultojnë kategoria ku shqiptarët tentojnë të provojnë fatin, në zgjedhjen e bardhë apo e zezë, lojërat me fruta, slot machines etj. Në subjektet e licencuara nga Autoriteti si kazino elektronike, rezultojnë të jenë shpenzuar 10 miliardë lekë, ose rreth 78 milionë euro. Kazinoja elektronike më e madhe në vend APEX – AL, e ndjekur nga ADRIATIK GAME, ASTRA ALBANIA Sh.a. Rritja e qarkullimit vjetor përr kazinotë ka qenë minimale në 2017-n (shih tabelën).
Në të kundërt, kompanitë e basteve sportive kanë parë një rritje të ndjeshme të të ardhurave në 2017-n, ndonëse një vit i zakonshëm pa kampionate botërore apo europiane, i ndikuar nga shtipi i pikave nëpër qendrat e qyteteve. Për Top Start, Lotto Sport, ITSGA, rritja vjetore ka qenë afër 20%. Në total, shpenzimet për loto ishin 5.8 miliardë lekë, ose rreth 48 milionë euro në vitin 2017.
Për lotaritë dhe bingot, shpenzimet janë më të ulëtat, në rreth 5 milionë euro.
Por, më shumë sesa individëve, që kërkojnë të bëjnë goditjen e jetës, fati u buzëqesh kompanive, që marrin 30-50% të të ardhurave si fitime dhe rezultojnë si sektori më fitimprurës në vend.
Shpenzimet për frymë të shqiptarëve për kazino, loto, bingo etj kanë arritur në 46 euro në vitin 2017. Kjo shumë është e barabartë me atë që shpenzohet për t’u siguruar (tregu i sigurimeve në total ishte rreth 16.2 miliardë lekë në 2017-n, sipas AMF-së), ku pjesën më të madhe, rreth 60% e zë sigurimi i detyrueshëm, teksa kultura e sigurimit në vend është shumë e ulët. Por, ndërsa shqiptarët ngurrojnë të sigurojnë jetën, shëndetin, apo shtëpinë, ata nuk hezitojnë që të lënë miliona në kërkim të fatit të shpejtë. /monitor/