Një i ri shqiptar ka habitur me zgjedhjen e tij. Ai ka kërkuar azil në shtetin aziatik të Koresë së Jugut, pasi ka një arsye të fortë sepse në Shqipëri i rrezikohet jeta nga fenomeni i gjakmarrjes.
Historia e tij është trajtuar edhe nga mediat e Koresë, të cilat tregojnë edhe rrëfimet e të riut shqiptar, Orion Delaj, me origjinë nga M.Madhe.
Ndryshe nga bashkatdhetarët e tjerë, 26-vjeçari nuk ka kërkuar strehim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Europë, por Korenë e sheh si një vend që do t’i përmbush kërkesat e tij.
Shqiptari sot jeton në Seul dhe në të njëtën kohë vijon të marrë mësime në gjuhën koreane si një mundësi për t’u integruar sa më shpejt në shoqërinë aziatike. Banesa e tij është shumë e vogël pasi për post krevatit dhe tavolinës nuk mund të shtojë asgjë tjetër, përcjell “Korea Times”.
“Nuk mund të bëj asgjë këto ditë. I kaloj i vetëm, duke bërë xhiro dhe përpiqem të njoh njerëz të rinj”, tha ai.
Shqiptari qëndron me shpresë se do të marrë një përgjigje pozitive nga autoritete koreane, pasi deri në këto momente i ka munguar një gjë e tillë. Ai ka shtuar se ka njohur shumë njerëz, të cilët e kanë mashtruar dhe i kanë kërkuar para për t’i nxjerrë një vizë.
“Deri tani kam takuar njerëz të këqij me premtime false dhe mashtrime, të cilët më kërkojnë para për të më nxjerrë vizë. Nuk i jap askujt para”, shtoi ai.
Personalisht i riu nuk ka bërë asnjë veprim, por familja e tij prej 10 vitesh ndodhet në hasmëri dhe në konflikt. Për këtë, i riu ka kërkuar strehim sepse në vendin e origjinës i rrezikohet jeta nga familjarët e shtëpisë me të cilët është në konflikt.