Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka treguar pse nuk i është bashkuar lëvizjes së liderit historik të PD, Sali Berisha për rithemelimin e Partisë Demokratike. Në Çim Peka Live, Topalli tha se ajo po kontribuon, edhe pse nuk është e pranishme fizikisht, për koalicionin opozitar në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
Pjesë nga intervista
Çim Peka: Pse nuk i është bashkuar ‘Foltores’, Jozefina Topalli? Mendoni se lëvizja politike e 2021 nuk është pritur mirë? Keni frikë nga një reaksion i militantëve?
Jozefina Topalli: Unë nuk kam frikë. Koha më ka dhënë të drejtë. Lëvizja që bëra ishte tharmi dhe kjo është e vërteta. Tani ka marrë përmasa për arsye të tjera. Të thuash të vërtetën në një kohë gënjeshtrash, sic thotë Oscar Wilde, është një akt revolucionar. Unë jam krenar. Nuk kam gënjyer kurrë, asnjërin. Zhvillimet e fundit kanë treguar një gjë të tillë. Mund të isha unë e lënduar nga disa reagime të disave. Unë jam politikane, nuk e ul veten për t’u marrë me reagime të tjera. Aq më tepër, gjatë kësaj periudhe ka patur njerëz të mençur, demokratë që më kanë kërkuar falje.
Çim Peka: Në retorikën politike Foltorja erdhi tek ju, është një meritë që nuk ua mohojmë dot. Pse nuk i bashkoheni fizikisht?
Jozefina Topalli: Sepse nuk dua të dëmtoj. Ndoshta unë do të kisha qenë më e ashpër ndaj dikujt. Është më mirë të flasim pas 6 marsit. Unë aty jam, shpirtërisht, me mendje, me telefonata, me takime etj.
Çim Peka: Zonja Topalli, çfarë ndjetë kur lexuat Twitterin e Sekretarit të Shtetit për Sali Berishën që e shpalli non grata dhe deklaratën e Yuri Kim se do ta luftojë korrupsionin me Lulzim Bashën?
Jozefina Topalli: E kujtoj mirë atë moment. Isha ulur, po ndiqja Tv, pashë që gazetari po hezitonte kur po e lexonte. Mu duk shumë e ccuditshme që pas 8 vitesh të shpoallet non grata një person për korrupsion. Po të shohësh raportin e TIA, niveli më i ulët i korrupsionit është në atë periudhë. Është ironike, është e padrejtë, shumë e padrejtë, kjo ka qenë ndjesia. Duke parë zhvillimet e fundit mes Ukrainës dhe Rusisë, një ishg-kolegia ime më çoi një pjesë të një libri që kishte shkruar Kissinger, një analizë e një njeriu shumë të madh për zhvillimet mes perëndimit dhe lindjes. Ishte shkruar disa vite më parë, por e vendosur në këtë kontekst, Putini është ai që është. Dhe ajo që ndodh është e tmerrshme. Por edhe perëndimi duhet të bëjë analizën e vet. Kissinger duhet t’i jepni mundësi Ukrainës që të mos trembin Rusinë dhe ju nuk duhet të sulmoni kaq ashpër që ta çoni në një reagim kaq të fortë. Por amerikanët dinë të korrigjohen. Një ish-ministër italian thoshte se edhe në mbledhjen e G7, ju nuk e vlerësuat siç duhej vlerësuar Ukraina se ju merreshit gjithë kohës me çështje ‘Gender’. Sigurisht, gjithkush bën gabime. Edhe non grata-n e konsideroj si diçka që nuk shkon, është disproporcionale, nuk është realiteti. Nuk e di nëse i ka ndodhur kujt pas 8 viteve. Dhe mua më duket e padrejtë dhe e gabuar. Dhe unë besoj se kjo do të korrigjohet ashtu siç perëndimi di të korrigjojë veten e vet.
Topalli theksoi se marrëveshja e 2017 ishte mafioze e jo politike. Ajo shtoi se listën e PD-së e bëri Edi Rama.
“Listën e PD më 2017 e bëri Edi Rama. Marrëveshja Rama – Basha ishte që Edi Ramës t’i jepej mandati i dytë, ne e kemi kuptuar këtë, kam reaguar unë edhe Arben Imami. Kanë reaguar edhe të tjerët, sepse e kanë kuptuar. Mandatin e dytë Ramës ia ka dhënë Basha, në këmbim të disa “dhuratave”. Ajo ishte marrëveshje mafioze e jo politike.
Basha vitet e fundit u pasurua në mënyrë marramendëse, ndërsa shqiptarët vetëm varfëroheshin e largoheshin. Basha shiti opozitarizmin, po shiste mandate, po kërkonte destabilizimin e vendit e një demokrat nuk i pranon kurrë këto gjëra. Lulzim Basha nuk ishte vetvetja, vetëm gënjente në mënyrë të vazhdueshme”, deklaroi Topalli.
Topalli thekson se Basha nuk ka lidhje me vlerat e PD-së, duke shtuar se ai punon për rritjen e pasurisë personale.
“Basha më dukej enverist, nuk kishte lidhje me vlerat e PD-së. Historia e mëvontë tregoi se kisha pasur të drejtë. Instikti im ka treguar se ai ka ardhur me një axhendë personale në funksion të rrijtes së pasurisë së tij dhe betejat që ka bërë në jetën e vet, nëse ka bërë, e ka bërë për pasurim personal. Basha gënjente që në fushata elektorale. Nuk kam shkuar në PD që të bëhem kryetare partie, por për idealet e së djathtës.
Nuk e mendoja se do bëja kryetaren e PD, por nuk mendoja se do ishte kryetar Basha, që shiti edhe misionin opozitar. Ne kemi bërë shkollën e Sali Berishës, por Basha ishte eksperiment i dështuar. Basha s’ka bërë kurrë betejë reale për dekriminalizimin, por ka folur vetëm pasi ka folur ambasadorja amerikane, deri në atë kohë ka reaguar Grupi Parlamentar dhe e ka drejtuar Berisha, Basha nuk kishte lidhje me realitetin, me opozitë e beteja politike nuk merrej”, deklaroi Topalli.
Topalli theksoi se Basha dukej si trup i huaj në PD, duke shtuar se ardhja e tij në Partinë Demokratike ngjan artificiale.
“Ne ishim mësuar ndryshe të drejtohemi. Ne besonim se ishim aty për interesin publik, unë thellësisht besoja këtë dhe mendonim se ishim shërbëtorë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Te Basha nuk gjej asnjërën prej këtyre, dukej si trup i huaj në PD, ishte artificiale ardhja e tij, nuk kishte kontribute në Partinë Demokratike, sidoqoftë të rinjtë duhet të afrohen në PD për të dhënë shembullin e tyre, që mund të jetë më i mirë.
Nuk është e vërtetë që nuk kam dashur të rinjtë, por kjo ishte propagandë e zotërisë, ai për një muaj u bë anëtar i partisë, u bë anëtar i Këshillit Kombëtar, u bë ministër, mori të gjitha. Më bënte shumë përshtypje kjo gjë. Bashës iu la një korsi e veçantë. Lulzim Basha ka të panjohura, shqiptarët nuk e dinë se çfarë ka qenë përpara 2005. Pas buzëqeshjes së tij, kishte diçka që nuk shkonte”, deklaroi Topalli.