Grabitet transformatori i energjisë elektrike në stacionin e ujësjellësit në Berdicë të Shkodrës. Ngjarja e paprecedent është njoftuar nga Ujësjellës- Kanalizime Shkodër, përmes një njoftimi në rrjetet e saj sociale.
NJOFTIM I RËNDËSISHËM
Një ngjarje e paprecedent ka ndodhur orët e fundit! Persona të papërgjegjshëm kanë vjedhur transformatorin e rrjetit elektrik në stacionin e ujësjellësit në Berdicë. Bëhet fjalë për transformatorin e rrjetit 6000W që e konverton në 230W. Për pasojë, stacioni do të jetë jashtë pune deri në një moment të dytë.
Zonat që furnizohen me ujë janë:
-Berdicë e Mesme
-Berdicë e Madhe
-Masmalaj
Ujësjellës- Kanalizime Shkodër po bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit për të identifikuar dhe vënë para forcës së ligjit keqbërësit!
Grabitësit kanë krijuar dy probleme të mëdha për këtë zonë. Është dëmtuar edhe financiarisht Ujësjellës- Kanalizime Shkodër, e cila duhet të sigurojë një transformator tjetër por çfarë është më e rëndësishmja, një numër i madh qytetarësh janë aktualisht pa ujë të pijshëm. Policia e Shtetit dhe agjensitë ligjzbatuese, jo vetëm duhet të identifikojnë grabitësit por edhe ti japin një ndëshkim ligjor ekzemplar për ti bërë shembull ata.
NJOFTIMI I POLICISË
Gjatë natës, në fshatin Berdicë e Mesme, është vjedhur një pajisje (transformator) që furnizonte me energji elektrike pompat e ujit të pijshëm të zonës.
Shërbimet e Policisë vijojnë punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale autorët e këtyre vjedhjeve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.