Shefja e Shërbimit Infektiv Najada Çomo ka hequr dorë nga mandati i deputetes që mori në zgjedhjet e 25 prillit. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama i cili zbuloi se Çomo, ka paraqitur dorëheqjen e saj nga mandati si deputete për të qëndruar pranë ekipit të saj të bluzave të bardha në Spitalin Infektiv, për shkak të situatës së krijuar nga varianti ‘Delta’ i Covid-19.
“Jam i prekur nga komunikimi me Najada Çomon, ajo më kërkori para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deptutes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj kur varianti Delta i virusit arriti të rimbushë shtretërit e pavionit të terapisë intensive.
E falenderoj edhe publikisht siç e falënderova personalisht për këtë shemnbull kuptimoplotë për detyrën ndaj atyre në nevojë, e i them sot faleminderit, e gjithë atyre që deri këtu na kanë nxjerë me kokën lart përballë armikut të padukshëm.
Lufta me armikun e padukshëm s’ka mbaruar, vjeshta e dimri mund të jenë të vështirë sërish”, tha Rama në fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës.