Publikohet historia e panjohur e ndodhur në qytetin e Shkodrës më 23 janar të vitit 1983, kur dy të rinj, Fatmir Gusha dhe Sali Breshni, pasi kishin rrëmbyer tre “Kallashnikov”, dhe disa karikatorë, në një nga repartet që ndodhej në fshatin Shtoj, u nisën drejt qytetit tek Dega Ushtarake, ku pasi u diktuan dhe u konfliktuan me një oficer, filluan të shtinin në ajër në shenjë presioni. Memorie.al shkruan se largimi i tyre, për të shkuar tek Dega e Brendshme, u pikas nga forcat e policisë dhe u detyruan të qëndronin tek një rrugicë pas Instituti Pedagogjik, “Luigj Gurakuqi”, ku hynë dhe u ngujuan tek shtëpia e familjes Hysej, ku u rrethuan nga forca të shumta të Policisë së Shkodrës dhe Divizonit Ushtarak, si dhe Forcave Speciale (Reparti 326) të ardhura nga Tirana.
E gjitha ngjarja, sipas dëshmisë së rrallë të ish-Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të qytetit të Shkodrës, Përparim Xhoxhaj, publikohet për herë të parë nga Memorie.al, pasi që nga mbrëmja e 23 janarit 1983 e deri më sot, gjithçka ka mbetur në heshtje duke e mbuluar me mister atë ngjarje që tronditi jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe udhëheqjen e lartë në Tiranë, pasi Ramiz Alia dërgoi urgjent në Shkodër ministrin e Punëve të Brendëshme, Hekuran Isai, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi dhe gjithë natën që u mbajtën të rrethuar dhe deri në mëngjes, kur dhe u eli.m.inuan fizikisht, duke i shembur shtëpinë me një tank dhe duke i hedhur granata, Ramizi ishte në kontakte me ta, duke dhënë urdhra, mendime dhe sugjerime.
Kush ishte Fatmir Gusha që në qytetin e Shkodrës njihej edhe me nofkën, “Caf Susta”, dhe Sali Breshni, çfarë problemesh kishin ata dhe familjet e tyre me regjimin komunist në fuqi dhe cili ishte qëllimi i tyre pas marrjes së armëve në repart dhe përse ata nuk pranuan të dorëzohehsin edhe pasi forcat e policisë dhe personalisht, Drejtori i Përgjithshëm Kasem Kaçi, dërgoi djalin 13 vjeçar të Fatmirit, që e mësonin oficerët e Dëgës, i bënte thirrje të jatit, që të dozohej…?!
Dëshmitë e Përparim Xhoxhaj, dhe familjes Gusha, Mit’hati, (vëllai i Fatmirit), Bardhit djalit të Fatmirit, që u morr peng nga policia për “negociata”, me të atin, si dhe disa shokëve të “Caf Sustës”, me rrëfimet e tyre për herë të parë hedhin dritë mbi këtë ngjarje, për 37 vite eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende edhe pse familjarët s’kanë reshtur së kërkuari?!
Ishte mbrëmja e 23 janarit e vitit 1983, kur qetësinë në qytetin e Shkodrës, e prishën disa krisma ar.m.ësh dhe sirenat e automjeteve të policisë të cilat drejtoheshin për nga qendra e qytetit, në zonën afër Institutit Pedagogjik “Luigj Gurakuqi”. Këto, shkaktuan një panik dhe frikë në të gjithë qytetin, ku thuhej se: “Një bandë e ar.m.atosur kishte ardhur nga Jugosllavia, duke vajtur deri në qendër të qytetit pa u kuptuar nga njeri, aty ishin rrethuar nga forcat e policisë, ushtrisë dhe Forcat Speciale nga Tirana, që po luftonin kundra tyre dhe ata nuk dorëzoheshin”?!
Të gjitha këto, si dhe versione nga më të ndryshmet lidhur me atë që po ndodhte atë mbrëmje të 23 janarit të vitit 1983 në qytetin e Shkodrës, do të vazhdonin të “bluheshin” paralel me atë që po ndodhte realisht aty pas Institutit Pedagogjik te shtëpia e Hysej-ve, e vërteta do të merrej vesh vetëm në mëngjesin e datës 24 janar, pak pasi armët kishin pushuar dhe sirenat e policisë nuk po dëgjoheshin më.
Atë mëngjes në të gjithë Shkodrën u hap lajmi se dy personat që ishin ngujura në shtëpinë e Hysejve kishin luftuar gjithë natën kundra forcave të policisë dhe atyre të ushtrisë që i mbanin të rrethuar, kishin qenë Fatmir Gusha, (i njohur ndryshe me nofkën Caf Susta) dhe Sali Breshni, një shok i tij. Pasi nuk pranuan të dorëzoheshin, u eli.m.inuan fizikisht duke u hedhur granata dhe një tank i vogël i Divizionit të Shkodrës, ua prishi shtëpinë duke i zënë brenda ata. Lidhur me këtë ngjarje të ndodhur 37 vite më parë në qytetin e Shkodrës, e cila u mbajt e fshehtë nga regjimi komunist dhe nuk është bërë kurrë publike Memoria.al publikon pjesën e parë të intervistës me ish-Kryetrarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, z. Përparim Xhoxhaj, të cilën ai na e ka dhënë para pak vitesh.
Zoti Xhoxhaj, si e kujtoni ngjarjen e 23 janarit të vitit 1983 dhe a i kishit njohur më parë dy të rinjtë shkodranë, Fatmir Gusha (i njohur ndryshe se Caf Susta) dhe Sali Breshnin?
Të ndjerin Fatmir Gusha apo siç është njohur ndryshe si Caf Susta, e kam njohur për herë të parë tre – katër ditë para asaj ngjarje ku ai mbeti i vrarë. Kurse atë tjetrin, shokun e tij, Sali Breshnin, nuk e njihja fare.
Konkretisht në ç’rrethana e njihnit, Fatmirin…?
Unë si Kryetar Dege, bëja pritje populli çdo të hënë, kur kishte persona që kishin ndonjë hall apo problem të ngutshëm, i takoja dhe i prisja në zyrë në çdo kohë. Një nga këto pritje jashtë ditës së zakonshme, ishte dhe ajo që i bëra Fatmirit dhe bashkëshortes së tij në zyrën time. Ata kërkuan takim dhe unë i prita. Në fakt, Cafi siç e thërrisnin për shkurt, ishte divorcuar nga bashkëshortja, gjë e cila ishte bërë false, me qëllim që ajo me fëmijët të mos vuante masën e dënimit me internim, që i ishte dhënë Cafit me vendim gjykate për problemet që ai kishte, dënim të cilin ai e vuante në fshatin Hajmel të Shkodrës.
Konkretisht për çfarë ishte dënuar Cafi me internim?
Nuk e mbaj mënd mirë, pasi ai ishte dënuar disa herë për krime të hapura siç i quanim ne në terma profesionale, kurse në zhargonin popullor, quheshin si “krime ordinere”. Në mos gaboj, Fatmiri kishte kundërshtuar organet e policisë apo ishte konfrontuar fizikisht me ta duke mbrojtur një person tjetër, shok të tij ndoshta, të cilin donin ta arrestonin forcat e policisë pas një prishje rendi në një nga lokalet më të njohura të qytetit të Shkodrës. Nuk e kujtoj mire me detaje, por në thelb kjo ishte një nga ngjarjet që ishte bërë shkas për dënimin dhe internimin Fatmirit.
Si vijoi takimi juaj me Cafin dhe gruan e tij?
Cafi rrinte pak më prapa gruas së tij dhe e shikoja që dridhej i tëri, ishte jashtë mase i ngarkuar nga ana psikologjike dhe mllefi tij dallohej qartë, por nuk fliste fare. Unë mendova se ai; ishte i dehur, me një fjalë dukej i papërqendruar dhe pak si depresiv. Gruaja e tij, e cila ka qenë një grua shumë e mirë, më tha: “Shoku kryetar, nëse ka mundësi, burrit tim i ka mbetur edhe një vit për të vuajtur internimin, prandaj po mundët t’ja falni pjesën e mbetur dhe ai të kthehet në shtëpi, pasi kemi halle dhe tre fëmijë për të rritur”.
Si iu përgjigjët ju kërkesës së saj?
Unë i thashë se: sipas ligjeve në fuqi, nuk ishte në kompetencën time falja e dënimit, dhe menjëherë në prani të tyre u lidha direkt në telefon, me personin që mbulonte zbatimin e ligjishmërisë (Adil quhej, mbiemri nuk më kujtohet), i cili më tha se ajo mund të bëhej vetëm me vendim gjykate. Pas kësaj unë mora në telefon Kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Mërgim Dragushën dhe i thashë po të njëjtat fjalë. Mergimi më tha se do ta shikonte atë problem. Pas kësaj, gruaja e Cafit me tha që t’ja shtyja ca ditë lejen që i ishte dhënë (Cafit) për t’u larguar nga vendi i internimit, për arsye se ai kishte qënë në spital ku dhuronte gjak (merrte 3 mijë lekë të vjetra) dhe të rrinte pak ditë me fëmijët.
Po atë kërkesë të tyre, a ua plotësuat?
Unë u lidha përsëri në tel me personin që mbulonte ligjshmërinë (Adilin) dhe i thashë t’ja shtynte lejen. Ai më tha se kishte folur në telefon me mjekun S. A., dhe ai i kishte thënë që: Cafit i kishte dhënë letër shtrimi për në spitalin e Tiranës, dhe ai të lejohej të shkonte në Tiranë për t’u shtruar. Unë i thashë që t’i shtyhej leja nga vendi i internimit duke dalë unë garant me firmën time dhe pasi të kthehej nga spitali, Cafi të paraqitej tek ne në Degë. Pas kësaj, Cafi me gruan mbetën shumë të kënaqur dhe më falënderuan shumë të dy. Kështu u ndava me ta, në mos gaboj ka qenë ditë e enjte dhe pas tre ditësh, ndoshta e shtunë duke u gdhirë e diel, ndodhi ngjarja ku ai me shokun e tij, Sali Breshni mbetën të vrarë.
Si e kujton atë ngjarje?
Atë pasdite, nga ora 18 e 30 në mos gaboj, unë isha duke shkuar në zyrën time në Degën e Brëndëshme bashkë me Qemal Lamën, shefin e Hetuesisë së Republikës, i cili kishte ardhur nga Tirana të ndiqte një problem pune të linjës së tij. Sapo u futa në zyrë ra telefoni dhe e kapa unë menjëherë. Një zë burri shumë i tronditur (të cilin se mësova kurrë se kush ishte) më tha: “Ç’farë bëni ju të Degës, këtu po vriten njerëz”?! Ku, e pyeta unë?! “Këtu, pas Institutit”, më shpjegoi ai. Menjëherë unë dola në dritare dhe dëgjova të shtëna armësh automatike me breshëri të zgjatura.
Çfarë bëtë pas asaj që dëgjuat?
E lashë Qemalin në zyrë dhe zbrita poshtë, duke u nisur menjëherë tek vëndi i ngjarjes, ku para meje kishin mbërritur 6 a 7 policë, të cilët kishin vajtur aty me vetëiniciativë, pasi kishin dëgjuar të shtënat. Personat që qëllonin, ishin futur forcërisht në një shtëpi pas godinës së Fakultetit (Universitetit të sotëm) ku banonte familja Hysaj (i zoti i shtëpisë quhej Agim Hysaj) dhe nga dritaret e asaj shtëpie, qëllonin papushim.
Çfarë po ndodhte konkretisht aty dhe si komentohej ajo ngjarje në popullin e Shkodrës?
Përveç krismave dhe breshërive të armëve që dëgjoheshin dhe shikoheshin qartë, fillimisht asgjë nuk dihej më shumë dhe nisur nga kjo, ngjarja që po ndodhte komentohej dhe interpretohej nga mënyrat më të ndryshme. Por ajo që dominonte nga të gjitha versionet apo më saktë hamëndjet që qarkullonin në të gjithë qytetin, ishte ajo që: “Disa persona të armatosur të ardhur nga Jugosllavia, janë futur në një shtëpi dhe po luftojnë me forcat e policisë, të ushtrisë dhe ato vullnetare rezerviste, që i kanë rrethuar nga të katër anët”. Veç këtyre fjalëve dhe hamendjeve që qarkullonin, ngjarja bëhej më tragjike dhe paniku rritej, kur u mësua lajmi se kishin mbetur të vrarë dhe dy persona.
Kush ishin ata dhe në ç’rrethana kishin mbetur të vrarë?!
Njëri ishte një i moshuar, Sul Dashi quhej, për të cilin u tha se u vra nga të shtënat qorre para derës së shtëpisë së tij dhe një djalë i vogël, 13 vjeç, i cili vdiq pak kohë më pas në spital nga plaga e plumbit.
Kur e mësuat ju se ata që ishin të rrethuar aty dhe qëllonin, ishin Fatmir Gusha dhe Sali Breshni?
Aty e mësuam në vendngjarje, pasi Cafi me Saliun, përpara se të hynin aty, kishin hyrë në një shtëpi tjetër më përpara, më saktë të shtëpia e Kolec Thanit, (vëllait të aktores së njohur, Tinka Kurtit), ku kishte pasur një darkë familjare dhe kishte edhe persona të tjerë të ftuar. Pasi kishin qëndruar pak tek shtëpia e Kolec Thanit, ata ishin larguar andej dhe kishin dalë në rrugë, nga frika e përballjes me policinë, ishin detyruar të futeshin tek shtëpia e Hysajve.
Dihej nga ana juaj se sa persona ishin?
Fillimisht ne e dinim se janë tre persona në atë shtëpi, pasi nga reparti ushtarak ku ata kishin marrë armët, na u raportua se mungonin tre armë “kallashnikov” dhe 37 karikatorë me fishekë.
Ku i kishin marrë armët Cafi me Saliun në cilin repart ushtarak dhe si u mësua nga policia?
Armët ata i kishin marrë në një repart të Zbulimit, që ndodhej në fshatin Shtoj të Shkodrës, ku kohë më parë kishte kryer disa muaj shërbimin ushtarak, Sali Breshni, i cili nuk e kishte mbaruar ende shërbimin ushtarak, pasi ishte dënuar për ikje pa leje. Ai duke e njohur mirë atë repart, kishte mundur të futej aty bashkë me Cafin, pikërisht atë pasdite kur oficeri roje kishte ikur në shtëpi, nënoficeri ishte larguar dhe pas tyre pothuaj të gjithë ushtarët ishin larguar. Dhe duke përfituar nga kjo situatë Cafi me Saliun kishin marrë tre armë kallashnikov dhe 37 karikatorë me fishekë, të cilat i kishin futur në këllëf jasteku të ushtarëve.
Po pasi arritën të merrnin armët dhe karikatorët me fishekë, nga kanë lëvizur ata?
Pas kësaj, krejt të qetë ata kanë ardhur në drejtim të qytetit të Shkodrës deri tek Dega Ushtarake, ku dhe janë kuptuar se kanë qenë të armatosur dhe filluan të qëllojnë me breshëri në ajër. (Këto gjëra ne i mësuam më vonë, në analizat që bëmë në Degë).
Si u kuptuan ata, pra kush i konstatoi se ishin të armatosur?
I pari që i ka parë ata të dy të armatosur, ka qenë gruaja e një oficeri, të cilët banonin tek pallati përpara Degës Ushtarake.
Konkretisht si…?
Ata të dy, (burrë e grua), ishin nisur të shkonin në një vizitë familjare dhe gruaja ndërsa po priste para pallatit të shoqin të zbriste, ngjiti shkallët e trembur duke i thënë se aty poshtë ishin dy persona të armatosur. Oficeri i tha të shoqes se duhet të ishin të Degës Ushtarake, por ajo i tha se nuk dukeshin të tillë, pasi ishin të çoroditur.
Si kishte vepruar oficeri pas asaj?
Ndërkaq oficeri doli në dritaren e shtëpisë dhe u foli atyre: “Ore,… ça jeni ju, dhe ç’kërkoni aty?!” Ata e ofenduan apo e kërcënuan oficerin, duke i thënë të futej brënda, ndryshe do ta vrisnin dhe aty për aty kanë qëlluar me armë në ajër me breshëri. Pra, këtu janë kuptuar ata fillimisht, apo më saktë këtu kanë nisur ata të qëllonin në ajër, këtë ata e kanë bërë gjatë gjithë rrugës deri tek shtëpia e Hysajve, prapa Institutit, rrugë e cila është diku tek 600-700 metra.
Kthehemi tek ngjarja që po ndodhte, pra tek shtëpia ku ata ishin të rrethuar, a u vu në dijeni Tirana për çfarë po ndodhte aty dhe si vijoi ngjarja?
Patjetër, punë minutash u bë lajmërimi në Tiranën dhe unë si kryetar i Degës që drejtoja operacionin për kapjen e tyre, kam komunikuar disa herë në telefon si me Ramiz Aline, ashtu dhe me Ministrin e Brendshëm, Hekuran Isain, i cili u nis menjëherë nga Tirana dhe erdhi e u vendos të Shtëpia e Pritjes në Velipojë.
Ç’farë ju thoshin ata dhe përse Hekuran Isai qëndroi në Velipojë dhe nuk erdhi aty në vend-ngjarje?
Ramizi që në atë kohë ishte Kryetar i Kuvendit Popullor, pyeste rreth ngjarjes dhe po ashtu edhe Hekurani, por udhëzime nuk mund të jepnin, se gjithçka varej nga situatat që ndodhin aty. Pse qëndroi Hekurani në Velipojë, këtë nuk mund ta them me saktësi, pasi ashtu e ka menduar ai, por aty në vendngjarje erdhi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi, i cili qëndroi bashkë me mua gjatë gjithë natës dhe deri në mëngjes duke drejtuar operacionin. Pra si të thuash, nga detyra që kishte Kasemi, ishte ai që më komandonte edhe mua.
A ishte normale në një ngjarje të tillë, kur ishte alarmuar udhëheqja e lartë, si p.sh. Ramiz Alia siç thatë dhe ju që komunikonit me të, Ministri i Punëve të Brendshme të qëndronte në Velipojë…?! Apo kishte frikë të vinte aty nga që thuhej se kishin ardhur nga Jugosllavia…?!
Të jemi të sinqertë, normale nuk mund ta quajmë atë gjë, por unë po ju tregoj dinamikën e ngjarjes se si ka ndodhur, se po të hymë në analiza, si dhe pse u veprua ashtu, apo kështu, ndodhi, nuk mbarojmë kurrë bisedën…?!
Kthehemi tek ngjarja. Thatë se Drejtori i Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi, ishte ai që drejtonte Operacionin dhe jo ju?! Apo ana ligjore, pra a ishte e përcaktuar kjo se kush duhet të drejtonte operacionin në një ngjarje të tillë?
Nuk mund t’u them me saktësi këta se çfarë parashikonte ligji dhe rregulloret tona, por unë isha vartës i tij, pra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe normalisht duhet të zbatoja urdhrat dhe porositë e tij, aq më shumë kur thashë se ai lidhej e merrte urdhra nga ministri Hekuran Isai dhe Ramiz Alia në Tiranë.
Po forca të tjera përveç atyre të policisë që kishit ju në Degën e Brëndëshme, dhe kuadro të tjerë të lartë, a ju erdhën në ndihmë apo përforcim?
Po, erdhën disa persona nga Tirana që shoqëronin Kasem Kaçin, dhe përveç tyre, aty erdhën edhe forcat special efektivë të Repartit 326, apo siç njiheshin ndryshe si sampistët, pasi ai repart ishte krijuar për të tilla ngjarje, edhe pse ato ishin të rralla, për të mos thënë fare. Para se të vinin ato forca speciale nga Tirana, pas alarmit që u dha për të gjithë rrethin e Shkodrës, aty erdhën dhe disa forca ushtarake dhe vullnetare (rezerviste) të Divizionit të Shkodrës, të cilat ishin nën komandën e Komandantit (Llukan Garo) dhe Komisarit (Dedë Gjergji), të atij Divizioni, të cilët rrinin në zyrën time në Degën e Brëndëshme.
Sa ishte numri i atyre forcave dhe kush i komandonte?
Nuk e di as sot sa ishte numri i atyre forcave pasi ajo gjë përbënte sekret ushtarak dhe as guxonte njeri të pyeste pasi arrestohesh menjëherë, kushdo të ishe. Ndërsa të gjitha ato forca, në çdo veprim që bëhej aty, ishin nën komandën time, pasi unë drejtoja operacionin direkt në vendngjarje dhe nga Dega e Brëndëshme, duke bërë ecejake (Degë – vëndngjarje) me dhjetra herë. Ndërsa unë siç ju thashë, komandohesha dhe veproja nën urdhrat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kasem Kaçit, i cili realisht drejtonte operacionin.
Zoti Xhoxhaj, si vijoi më tej ngjarja ku mbaheshin të rrethuar Fatmir Gusha me Sali Breshnin?
Ndërsa me forcat e Policisë, Sigurimit të Shtetit, të Ushtrisë së Divizionit të Shkodrës ku ishin dhe rezervista dhe e atyre speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë (reparti 326), ne mbanim të rrethuar shtëpinë e Hysajve, Fatmiri me Saliun vazhdonin të qëllonin pa pushim nga dritaret e shtëpisë. Nga pozicioni ku ata ndodheshin, pothuaj ishte e pamundur që forcat tona speciale të hynin në shtëpi, pasi do mbeteshin të vrarë.
A u tentua të negociohej, me ndërmjetësime apo me megafon, siç kemi parë të veprohet më vonë në ngjarje të tjera që kanë ndodhur?
Patjetër, që në fillim ne u munduam të negocionim me ta, duke u bërë thirrje të dorzoheshin, por ata as nuk donin t’ja dinin, përkundrazi qëllonin më shumë. Unë vetë u afrova disa herë afër, në një kënd ku nuk më kapte rrezja e qitjes së tyre, dhe i bëra thirje Cafit, (pa megafon, se nuk kishim, por me gojë duke bërtitur), duke i thënë të dorzohej, se nuk do kishte pasoja.
Si reaguan ata, pas thirrjeve nga ana juaj?
Ata nuk dorzoheshin dhe qëllonin papushim. Në këto kushte, duke mos pasur rrugëzgjidhje tjetër, ne vendosëm që të merrnim bashkëshorten e Fatmirit, bashkë me femijën e tyre të vogël, dhe ta dërgonin brënda shtëpisë, ku ajo t’i lutej atij të dorzohej. Vendosëm kështu, pasi jo vetëm se ai tjetri, Saliu, ishte djal i ri dhe i pamartuar, por pasi e dinim se aty ishte Famiri kryesori.
Dhe e zbatuat atë plan, pra e morrët bashkëshorten dhe djalin e tij, për ta sjellë aty në vënd-ngjarje?
Po, kështu bëmë. Dërguam njerëz, e morëm atë në shtëpinë e saj, e u soll aty. Ne e futëm brënda shtëpisë së bashku me djalin e vogël. Ajo me djalin qëndruan brënda rreth 20 minuta dhe pastaj dolën jashtë. Ajo na tha se Cafi dhe shoku i tij nuk pranojnë të dorzohen.
Për futjen e bashkëshortes së Fatmirit brënda shtëpisë, a u konsultuat me Tiranën, apo ishte thjesht nisjativë e juaja?
Ishte nisjativë e jona, pa e pyetur Tiranën. Pak minuta pasi kishte dalë gruaja e Cafit nga shtëpia, Ramiz Alia më kërkoi në telefon dhe më tha: “Nuk do bëni mirë ta fusni gruan në shtëpi, pasi ata mund ta mbajnë brënda atë dhe ju çfarë do bëni pastaj…, atë do vrisni…, do luftoni me fëmijë…”?!
Pasi dështuat me negociata dhe futjen e gruas së Cafit në shtëpi, çfarë bëtë më tej?
U hodh ideja të hidhnim një bombë kimike afër shtëpisë, në mënyrë që ata të paralizoheshin. Na u ofrua kjo zgjidhje nga ana e ushtarakëve të Divizionit të Shkodrës, specialist të armës së Kimisë, unë e pyeta oficerin kimist, se: çfar pasojash do kishin dy të rrethuarit pas hedhjes së bombës kimike?
Si iu përgjigj ai?
Ai oficer që m’u duk pak i lehtë nga mëndja, më tha shprehimisht: “Atyne të ngujuemve nuk ka ç’ka ju ban, se janë mbrënda, por këtu jashtë ban namin”. Pas kësaj vendosëm të heqim dorë nga hedhja e bombës kimike dhe vendosëm që aty të vinte diagaçi (tank i vogël i blinduar) nga reparti i tankeve.
Dhe e sollët…?!
Po, se nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër dhe kështu u bë. Pas mesnatës, në mos gaboj nga ora 3 e natës, futëm diagaçin, i cili u afrua afër shtëpisë, prishi një mur rrethues dhe një pjesë të shtëpisë dhe aty mbeti se u fik motorri dhe nuk ndizej më.
Ç’ndodhi pas kësaj, si vepruat?
Ndërkohë që diagaçi mbeti aty, Cafi dhe Saliu qëllonin papushim. Pasi dështoi dhe kjo tentativë me diagaç, forcat e ardhura nga Tirana që shoqëronin Kasem Kaçin, me urdhërin e tij, u afruan te dritaret e shtëpisë në një rreze ku nuk i kapte qitja e tyre dhe hodhën brënda shtëpisë dy granata. Pas hedhjes së granatave, nuk po dëgjoheshin më krismat e armëve të Saliut dhe Cafit, gjë e cila linte të kuptohej se ata, ose ishin vrarë ose ishin plagosur. Pasi u saktësua kjo nga vrojtimet që u bë nga dritaret, forcat e policisë hynë brënda dhe panë se ata ishin plagosur dhe gjakosur nga ciflat e granatave.
Si u veprua pas kësaj?
Menjëherë, forcat e policisë i kanë marrë ata të dy, ashtu të plagosur dhe i kanë nisur në drejtim të spitalit të qytetit, ku që në momentin e fillimit të ngjarjes, (në ora 19 e 30 e mbrëmjes) qëndronin në gatishmëri një grup mjekësh, me në krye mjekun e talentuar dhe tepër human, Ali Spahia. Por, fatkeqësisht, Sali Breshni ka dhënë shpirt rrugës pa mbërritur në spital, kurse Caf Susta ka vdekur sa ka mbërritur në sallën e operacionit. Kështu u mbyll kjo ngjarje tragjike nga ora 5 e mëngjezit e 24 janari i vitit 1983 dhe ata, pra Cafi me Saliun, nuk kanë thënë asnjë fjalë, se pse e bënë atë gjë.
A ekzistonte mundësia që ata të kapeshin të gjallë dhe të mos vriteshin?
Të jemi të sinqertë deri në fund, ata nuk kishin pse të vriteshin, pasi ne e dinim se sa municion kishin, duke llogaritur numrin e fishekëve dhe pasi t’ju mbaroheshin ato, ata nuk kishin se çfarë të bënin dhe kapja e tyre nuk do ishte e vështirë. Dhe unë nuk isha për hedhjen e granatave, pasi mundësia e vrasjes së Cafit dhe Saliut ishte 100 % e sigurtë.
Po të nesërmen, a më pas, u bë ndonjë mbledhje për të analizuar atë që kishte ndodhur?
Patjetër, të nesërmen u bë një mbledhje në Degën e Brëndëshme ku u analizua ngjarja dhe nga aty doli se forcat e policisë kishin qënë në gadishmëri të plotë dhe se kishin shkuar në vëndngjarje me nisiativën e tyre pa i komanduar kush. Dhe në bazë të ligjeve të asaj kohe, u konsiderua pozitive, të qëllojë me armë në qytet quhej terrorizëm. Ngjarja u konsiderua dhe në të vërtetë ishte shumë e rëndë dhe e padëgjuar deri në atë kohë, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë.
Po në Tiranë, a ju thirrën për këtë ngjarje?
Pas disa ditësh na thirrën edhe në sekretariatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, mua si Kryetar i Degës së Brëndëshme, Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë së Shkodrës, Sulejman Bushatin, Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Komandantin e Komisarin e Divizionit të Shkodrës.
Kush ju priti për këtë ngjarje?
Na priti Ramiz Alia, i cili në fillim ju drejtua me fjalë të përgjithëshme Sekretarit të Parë, Sul Bushatit dhe pas ndërhyrjes së Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, ia nderpreu fjalën, duke i thënë: Ti mos fol, por shiko ekonominë në qytet, pasi nuk janë ato shifra që na servirni”.
Po juve si kryetar i Degës së Brendëshme, çfarë ju tha?
Pas atyre m’u drejtua mua, duke më thënë: “A mund të mos vriteshin ata njerëz?!”. Dhe unë iu përgjigja: “Po, mund të mos vriteshin. Por përgjegjësia fillon që tek rrëmbimi i armëve në repartin e Zbulimit dhe në atë repart jo vetëm unë që nuk kam pas të drejtë të futem, por as komandanti dhe as komisari i Divizionit të Shkodrës. Në atë repart Zbulimi mund të futesh vetëm me leje të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe kjo është e sanksionuar nga Këshilli i Lartë i Mbrojtjes. Por mirë që u mbyll me kaq kjo ngjarje, pasi për të marrë armë nuk është shumë e vështirë.
Të kthehemi edhe njëherë tek ngjarja, çfarë u bë me trupat e tyre, pasi familjarët na kanë thënë se edhe sot nuk i dinë se ku i kanë varrosur trupat e tyre?
Për ne si Degë e Brëndëshme, me vrasjen e tyre, pra Cafit dhe Saliut, mbaronte puna, dhe më tej me atë ngjarje merrej Hetuesia, Prokuroria dhe organe të tjera të specializuara, të cilat ishin të shkëputura dhe nuk varreshin nga ne.
Po ju personalisht, jo zyrtarisht nuk keni mësuar dhe nuk keni dijenie se ku janë varrosur trupat e tyre?
Unë e di se trupat e Cafit dhe Saliut jane varrosur brënda varrezave të qytetit, natyrisht pa pllakë identifikimi, pasi në bazë të ligjeve të asaj kohe, trupat e të vrarëve nga policia apo ushtria, që sipas hetimit të mëvonshëm dhe ekspertizave përkatëse, rezultonin si krime kundër shtetit, nuk u jepeshin familjarëve.
Nisur dhe nga fakti se ju vazhduat të qëndronit si Kryetar i Degës së Brëndëshme edhe pas asaj ngjarje, a mund të na thoni se cili ishte qëllimi i vërtetë i Caf Sustës dhe Sali Breshnit, në atë ngjarje, pra çfarë donin të bënin ata?
Siç thashë më lart, ata mbërritën të vdekur në spital pa thënë asnjë fjalë dhe zyrtarisht qëllimi i tyre nuk u mësua kurrë. Por në Shkodër u fol shumë gjatë për atë ngjarje, duke dhënë lloj lloj versionesh dhe njerzit e interpretonin sipas asaj që mendonin ose dhe iu interesonte, duke nxjerrë; jo problem katolik, myslyman, kosovar etj., etj.
A mund të na thoni ndonjë gjë konkretisht?
Nga ato që kam dëgjuar unë dhe për këtë besohej më shumë, është ajo se: Familja e Caf Sustës, ka banuar në një shtëpi (apartament shtetëror me dy dhoma e guzhinë), nga qëndra e Shkodrës, e cila ishte shumë e mirë jo vetëm si pozicion, por edhe nga ana e kubaturës së bollëshme dhe cilësisë së ndërtimit të atij pallati. Pas internimit të familjes së Caf Sustës, shteti këtë shtëpi ia dha Sulejman Bushatit, që në ate kohë, erdhi në Shkodër me detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë dhe jetoi aty me familjen e tij. Dhe thuhet se inati i Caf Sustës, ishte me Sul Bushatin, të cilin e shihte jo vetëm si njeriun që i kishte marrë shtëpinë, por edhe si shkaktar të gjithë të këqijave që i erdhën atij dhe familjes dhe donte të hakmerrej ndaj tij.
A kishit dijeni rreth problemeve biografike që kishin dy personat që mbetën të vrarë, pra Cafi me Saliun. Apo më saktë cilat ishin raportet e atyre familjeve me pushtetin e asaj kohe?
Po patjetër që kishim. Dega e Brendëshme nëpërmjet Sigurimit të Shtetit dinte çdo gjë. Por ato ne i mësuam mbasi hapëm dosjet e tyre kur na u desh të bënim analizat rreth ngjarjes.
Dhe çfarë ju doli…?
Nuk e kujtoj me saktësi se kanë kaluar kaq vite dhe ne dosje kemi pasur me qindra, unë nuk merresha me to, por vartësit e mi që më raportonin kur na e kërkonte puna. Por me që po insistoni dhe ta mbyllim këtu, me sa kujtoj, familja Gusha ka pasur disa probleme, që nga i jati, Fatmirit, (emrin s’ja kujtoj), i cili punonte me një karrocë në Ndërrmarjen Komunale, se kishte qenë xhandar i Zogut. Nuk ishte vetëm kjo, pasi në atë kohë na rezultoi se disa vite para se të ndodhte ajo ngjarje, për babanë e Fatmirit ishin bërë disa mbledhje demaskuese, në ndërramraje apo organizatën e Frontit në lagje, për punën e një fotoje që kishte ngjitur tek karroca e tij, foto të një udhëheqësi…! Nuk jam i saktë edhe për këtë, pasi duhen parë dokumentat dhe nuk mund të flasim me hamëndje për gjëra kaq delikate.
Dhe kjo u bë shkas që ata u internuan apo u burgosën më pas, pothuaj të gjithë si familje, Fatmiri me të gjithë vëllezërit…?
Gjërat duhet parë dhe gjykuar me kohën kur kanë ndodhur. Nuk ishte vetëm ana biografike, më kanë thënë se ata si vëllezër, ishin gjakënxehtë dhe nuk e kishin për gjë të konfrontoheshin me policinë. Edhe kjo mendoj se ka ndikuar në dënimet e tyre në burgje dhe internime.
A është e vërtetë se babai i Fatmirit, ishte dhe kushëriri i parë i bashkëshortes së njërit prej figurave më të mëdha politike nga Shkodra, që në atë kohë kishte ardhur me punë në Tiranë…?!
E di për kë e keni fjalën, pasi edhe ne kishim dijeni rreth kësaj, por nuk kemi diskutuar kurrë këtë gjë, pra lidhjen farefisnore që kishin ata.
Po pas asaj ngjarje…?
Sigurisht që ajo u përfol, por jo zyrtarisht dhe ne si Degë e Punëve të Brendëshme nuk mund të merreshim me atë fakt, pra lidhjen farefisnore të familjes Gusha me atë funksionarin e lartë. Pasi ne vareshim nga Komiteti i Partisë dhe jepnim llogari aty, dhe jo Komiteti Partisë te ne. Pra thënë shkurt e qartë, ne nuk mund të merrnim në analizë, Partinë, por Partia na merrte ne.
Duke ju falenderuar edhe njëherë për të gjitha dëshmitë tuaja rreth kësaj ngjarje, në mbyllje të kësaj interviste, a mund të na thoni dy fjalë shumë shkurt, rreth vetes suaj, pra si vijoi karriera juaj profesionale pas asaj ngjarje?
Unë kam lindur në qytetin e Beratit në vitin 1938, kam mbaruar shkollën e Ministrisë së Brëndëshme në Sauk në vitin 1960 dhe më pas Fakultetin Juridik. Nga viti 1980 deri në vitin 1987 kam shërbyer në detyrën e Kryetarit të Degës së Brëndëshme të Shkodrës dhe më pas në Ministrinë e Brëndëshme si oficer i lartë dhe këshilltar i disa ministrave të Brëndshëm. Në vitin 1991, në datën 2 prill, pas ngjarjes ku mbetën të vrarë 4 persona (që tashmë janë Dëshmorë të Atdheut), në orën 4 pasdite jam komanduar dhe kam marrë përsëri detyrën e Kryetarit të Degës së Shkodrës, ku kam qëndruar vetëm për tre javë. Unë nuk doja të vija përsëri në atë detyrë, por ma kërkuan si lutje, duke më thënë se populli i Shkodrës ka pasur dhe ka respekt për mua, prandaj e pranova të vija duke u vënë kusht që të rikthehesha në Tiranë porsa të stabilizohej situata. Ndërsa pas viteve ’90-të, kam punuar si këshilltar i disa ministrave të Punëve të Brendëshme dhe i kryeministrit Ilir Meta deri në vitin 2000.
Zoti Xhoxhaj ju falenderoj shumë. /Memorie.al/