Nevila Pjetri, shqiptarja e cila u gjet e masakruar dhe e vrarë me armë zjarri në një zonë midis Toscanës dhe Ligurias dhe që sipas hetuesve italianë punonte si prostitutë, ishte e martuar.
35-vjeçarja jetonte me bashkëshortin e saj, Leonardo Marku. Ata u martuan vitin e kaluar, shkruajnë mediat italiane.
Burri tha se tragjedinë e ka mësuar nga policia kur i kanë trokitur në derë mëngjesin e të dielsës.
Siç shkruajnë mediat, ajo punonte në një kamping përgjatë bregdetit, në Marina di Massa, ndërsa ai me profesion është kopshtar.
“Vështirë të gjesh një dallim më të madh mes rikonstruksionit të fakteve të karabinierëve që ajo ishte një prostitutë, dhe asaj që përshkruan burri i saj”, raportojnë mediat italiane.
Ditën e djeshme Leonardo Marku ka qenë i rrethuar nga miq dhe të afërm dhe nuk i ka mbajtur dot lotët, shkruajnë mediat.
“Ajo doli nga shtëpia në orën 20.00. E prita gjithë mbrëmjen, nuk e kuptova pse nuk po kthehej. Më pas mbërritën karabinierët …”, mësohet të ketë deklaruar Leonardo dhe ka vijuar: “E kam dashur shumë”.
Mediat italiane shkruajnë se ajo që dihet deri tani është se vrasja e shqiptares nuk ka ndodhur në vendin ku më pas është gjetur trupi.
Sipas hetuesve, gruaja është parë për herë të fundit mbrëmjen e së shtunës shumë vonë teksa hipi në një makinë të bardhë të drejtuar nga një burrë.
Kanë qenë miqtë dhe koleget e saj që kanë raportuar pëf makinën në të cilën ka hipur viktima dhe është larguar.
Dikush ka trguar se kishte parë gjithashtu një burrë që tërhiqte një trup drejt përroit. Dyshimet janë se mund të ketë qenë një klient i gruas që e ka vrarë, ndoshta pas një sherri.