Një nga kolosët e letrave shqipe, përkujtohet sot në ditën e tij të lindjes. Martin Camaj është autori më i shquar postmodernist i letërsisë shqipe, studiues dhe gjuhëtar i njohur që gjithë jetën e kaloi në emigrim. Ai ka drejtuar katedrën e Albanologjisë në Mynih.
Martin Camaj lindi më 21.7.1925 në Temal të Mbishkodrës. Në Shkodër ka kenë nxënës i shkollës së jezuitëve italianë, Collegium Xaverianum. Pas shkollimit punoi mësues në fshatrat malësorë. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë dhe pas një kohe ishte i detyruar të jetonte në ilegalitet derisa ia arriti me arratisej në Jugosllavinë fqinje.
Prej 1949 deri më 1955 studioi për sllavistikë, romanistikë dhe albanologji në Beograd. Filloi të punonte disertacionin mbi Buzukun. Me ndihmën e ish mësuesve italianë u shpërngul në vitin 1956 në Romë ku e mbaroi, në vitin 1960, disertacionin. Prej vitit 1961 punoi pedagog albanologjie në universitetin e Mynihut; prej vitit 1971 deri në vitin 1990 si titullar i profesurës së albanologjisë të cilën ai e kishte themeluar.
Martin Camaj ka shkruar poezi, prozë dhe punime shkencore mbi shqipen dhe dialektologjinë shqiptare.
Dy vëllimet e para poetike e kanë parë dritën e botimit qysh në Beograd. Vepra letrare e Martin Camajt përfshin gjithsej nëntë vëllime poetike, tre romane dhe një vëllim me novela. Poezia e Martin Camajt u përkthye në gjuhët italiane, angleze dhe gjermane.
Martin Camaj ndërroi jetë në Mynih më 12.3.1992. Ai mban titullin më të lartë të shtetit shqiptar, “Nderi i Kombit”, akorduar në vitin 2010 nga Presidenti Topi.
Vepra letrare e Martin Camajt
1953 Në Prishtinë boton vëllimin e parë me poezi me titull “Nji fyell ndër male”
1954 Del vëllimi i dytë me poezi, “Kanga e vërrinit”. Më vonë, autori distancohet prej dy vëllimeve fillestare dhe konvencionale
1958 Në Romë botohet “Djella”, roman me intonim poetik dhe i përshkuar me vjersha
1964 Në Romë del vëllimi poetik “Legjenda”
1967 Në Munih dalin, si botim i autorit: “Lirika mes dy moteve”, kryesisht vjersha të përpunuara nga faza e mëparshme
1978 “Rrathë”, roman
1978 “Njeriu më vete e me tjerë”, poezi
1981 Gjatë këtij viti dalin botime të autorit në Munih:
“Shkundullima”, novela dhe një dramë
Poezi 1953-67, vjersha të zgjedhura
Dranja. Madrigale. Prozë poetike
1985 Me titull Poesie në Palermo botohet përkthimi italisht i librit “Njeriu më vete e me tjerë” prej Francesco Solanos.
1987 Në Munih, Camaj boton librin “Karpa”, në të cilin eksperimenton me elemente të romanit fantastik
1990 Në edicionin shqip-anglisht botohet “Selected Poetry” (përkthyesi: Leonard Fox) për herë të parë dy ciklet poetike Nema dhe Buelli
1991 New York-Munih: Palimpsest, poezitë e fundit të botuara prej Martin Camajt, prapë si botim dygjuhësh shqip-anglisht me përkthimin e Leonard Fox
1991 Në Munih del vëllimthi Gedichte, botimi i parë në gjermanisht, përkthye prej Hans-Joachim Lanksch
1993 Në Cosenza (Kozencë) të Italisë botohet drama Kandili Argjandit, në të cilën Martin Camaj punonte akoma në shtratin e vdekjes
1994 Në Prishtinë del “Djella”, version i përpunuar prej Camajt i romanit të vitit 1958
1996 Në Tiranë botohen pesë vëllime me një pjesë të veprave të Martin Camajt. Edicioni parashikonte botimin e nëntë vëllimeve. Botimin e mbështeti Ministria e Kulturës. Kështu merr fund anatemizimi i disa dekadave i Martin Camajt.
1998 Në Munih del përkthimi gjermanisht i Palimpsestit, përkthyer prej albanologut prof. Wilfried Fiedler
1998 Në Tiranë, Martin Camajt i jepet post mortem nderimi më i lartë letrar i Republikës së Shqipërisë, Penda e Artë. Çmimi Penda e Artë jepet prej Ministrisë së Kulturës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
1999 Del përkthimi gjermanisht i vëllimit Njeriu më vete e me tjerë, përkthyer prej Hans- Joachim Lanksch
2000 Në Pejë, redaktuar prej Rexhep Ismajlit, del vëllimi Lirika, botimi gjer më tani më i plotë i poezive të Martin Camajt, përfshirë edhe poezi prej trashëgimisë letrare të Martin Camajt.
2002 Në Tiranë, Çmimi letrar Penda e Artë i akordohet Martin Camajt