Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Torino të Italisë, ku një ndërtesë është shembur duke i marrë jetën një fëmije shqiptar. Mediat italiane raportojnë se viktima është i moshës 4-vjeçare dhe quhet Aron.
E plagosur ka mbetur edhe nëna e fëmijës, shqiptarja e paidentifikuar ende, 34-vjeçe, e cila u nxorr nga rrënojat dhe është transportuar në spital.
Babai, me shtetësi shqiptare, i moshës 40-vjeçare, i cili mbërriti pak më vonë në skenën ku ka ndodhur shembja e godinës, u transportua në spital pasi ishte në gjendje të shokuar kur mësoi lajmin.
Mësohet se tre persona kanë mbetur të plagosur, ku dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Shembja e godinës ndodhi para orës 9 të mëngjesit të sotëm në Strada del Bramafame në Torino, jo shumë larg rrugës së aeroportit dhe Stadiumit “Allianz”.
Sipas mediave italiane, zhurma ishte aq e fortë sa u dëgjua deri në rrethin Madonna di Campagna.
“Repubblica.it” raporton se një godinë banimi dykatëshe me gjashtë apartamente ku jetojnë kryesisht familje me origjinë shqiptare dhe rumune, u shemb, e prej saj vetëm një pjesë ka mbetur “në këmbë”.
Një rrjedhje gazi dyshohet të ketë shkaktuar ngjarjen, megjithatë hetimet po vijojnë.