Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Belgjikë, ku një 43-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë kushëriri i tij.
Sipas mediave vendase ngjarja ka ndodhur të dielën e 25 gushtit në Machelen dhe shkak ka qenë një mosmarrëveshje për një vend parkimi. Viktima është identifikuar si Shpëtim A.
“Pas një mosmarrëveshjeje të gjatë për një vend parkimi, një burrë 61-vjeçar qëlloi mbi fqinjin e tij 43-vjeçar dhe fqinjin e tij 19-vjeçar të dielën, 43-vjeçari vdiq dhe kushëriri ka pësuar lëndime dhe ndodhet në rrezik për jetën. Pas të shtënave autori është arratisur, por u kap më pas nga policia”, shkruajnë mediat.
Ndërkohë një dëshmitar ka deklaruar se ka parë gruan e viktimës, e cila qante me të madhe duke bërtitur “a po merr frymë”.
Sipas fqinjëve prej disa kohësh gjërat nuk shkonin mirë mes autorit, një italian dhe viktimës, një shqiptar. Në momentin e ngjarjes u tha se në shtëpinë e viktimës kishte një festë ditëlindjeje.
Mbrëmjen e së dielës, dyshohet se vendi i parkimit ishte bllokuar nga viktima, duke çuar në të shtënat fatale.