A keni dëshirë ta bëni gjyshen “shkencëtare”, duke i bërë një dhuratë të pazakontë në fund të jetës? Ne iu tregojmë rrugën se si mund ta bëni, duke paguar vetëm 750 euro! Skandali është denoncuar mbrëmë në emisionin Top Show nga mjeku epidemiolog Taulant Muka. Doktor Taulant Muka, dërgoi një studim të rremë për obezitetin dhe diabetin me kërkime dhe të dhëna që nuk mbështeten në asnjë studim, në këto revista. Autore të studimit ishin dy gjyshet e dr. Mukës, përkatësisht 81 dhe 86 vjeçare, me nga tre klasë shkollë secila.
Rezultatet ishin vërtetë befasuese. Tre revista kthyen përgjigje pozitive brenda javës së parë të aplikimit, e pranuan menjëherë punimin e rremë dhe kërkuan bërjen e pagesës që ai të mund të dilte on-line. Vëtëm njëra prej tyre, u përgjigj se do të kalonte materialin tek editori, ndersa revista prestigjoze e publikuar nga organizata Europiane e Diabetit e refuzoi artikullin brenda 24 oreve.
Dr. Muka dergoi nje email ne “Mediterranean Journal of Social Science” per te pyetur nese artikulli ishte brenda fushes se operimit te revistes dhe nese mund ta dergonte tek kjo reviste. “Mediterranean…” ka një histori skandali në vitin 2015 për shkak të mungesës së seriozitetit shkencor. Pasi u bllokua për një periudhë kohe, ndryshoi mënyrën e saj të punimit duke aplikuar standartet normale te operimit te nje reviste shkencore. Kjo nuk ka kthyer ende përgjigje.
Profesorët shqiptarë janë të përfshirë në një histori tjetër skandali me “Mediterranean”. profesorët shqiptarë kanë botuar masivisht në këtë revistë përgjatë viteve 2012-2015, e cila pas hetimeve të nisura në Angli, u mbyll pasi u vërtetua se funksiononte vetëm si revistë “fake” dhe jepte tituj akademik kundrejt pagesave. Por ndërkohë në këtë revistë kanë botuar rreth 156 profesorë me 140 punime të tyre, të cilat vihen në dyshim. Madje ka nga ata që të gjitha publikimet e tyre shkencore i kanë vetëm në këtë revistë.
Doktor Muka ngre akuza të forta dhe kërkon nga Ministria e Arsimit që të nisë një hetim se si i kanë fituar titujt profesorët në vendin tonë. Pasi, sipas tij, nëse një profesor i njohur shqiptar boton në të njëjtën revistë, ku mund të botojnë edhe dy gjyshet me tre klasë shkollë të tij, këtu ka hije dyshimi nëse bëhet fjalë për shkencë, apo vetëm për pazar?