60 vite pasi 3 burra realizuan një prej arratisjeve më spektakolare nga burgu famëkeq i “Alcatraz” në Shtetet e Bashkuara, Mareshalët amerikanë kanë publikuar fotot e tyre, duke hamendësuar edhe sesi mund të duken tashmë që janë në të 90-tat.
Clarence Anglin, John Anglin dhe Frank Morris mbeten persona në kërkim që prej 11 qershorit 1962, kur arritën të dilnin nga qelitë e burgut në ishull, në zonën e San Franciskos. Ata ishin dënuar për grabitje të armatosur të një banke.
Të tre burrat e planifikuan arratisjen për më shumë se një vit, duke hapur një tunel në vrimën e ajrosjes së qelive të tyre, deri sa arritën të kalonin. Pasi arritën të kalonin rojet, plani i tyre ishte që të largoheshin nga ishulli me një varkë.
Hetimet e FBI-së dolën në përfundimin se tre të arratisurit – historia e të cilëve tregohet në filmin e vitit 1979 me Clint Eastëood, “Escape From Alcatraz” – duhet të jenë mbytur në gjirin e San Pablos aty pranë. Por për vite me radhë është spekuluar se ata mund të kenë mbijetuar dhe kanë vijuar jetën në fshehtësi. Fakti që trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë dhe denoncimi për grabitjen e një makine në San Francisko po atë natë, ka ndihmuar në mbështetjen e këtyre teorive.
Në vitin 2013, autoritetet morën një letër, të cilën pretendonte se e kishte shkruar një prej të arratisurve, John Anglin. Ai shkruante se ishte ende gjallë, me kancer dhe se kishte nevojë për ndihmë. Zyrtarisht, çështja u rihap në vitin 2018. Së fundmi, Mareshalët kanë postuar edhe fotot e tre të arratisurve, me shpresën se publiku do të ndihmojë në gjetjen e tyre, gjithmonë nëse janë ende gjallë.
Sipas përllogaritjeve, Clarence Anglin, i cili ishte dënuar me 15 vite burg për grabitjen e një banke në Alabama, duhet të jetë sot 91 vjeç. Vëllai i tij John duhet të jetë 92 vjeç. Ndërsa Morris, i cili ishte dënuar me 14 vite burg për një grabitje në Luiziana, duhet të jetë 96 vjeç.
Autoritetet besojnë se Morris ishte organizatori i arratisjes, pasi gardianët gjithmonë e kanë vlerësuar si më të zgjuarin nga të tre. Ai u njoh me vëllezërit Anglin në një burg në Atlanta dhe më pas të tre u transferuan në “Alcatraz”, i cili besohej se ishte një fortesë e pakalueshme. Nëse tre burrat ia dolën apo jo, mbetet ende një mister. /GazetaExpress/