Një shqiptar nga Rahoveci i Kosovës ka gjetur një çantë, tip kulete me një shumë të madhe parash në stacionin e autobusëve në Gjakovë. Çanta i është dukur e pavlerë, por nuk u ka besuar syve kur e ka hapur, teksa ka parë një shumë të madhe eurosh. Gjesti i tij vlen për t’u duartrokitur, pasi ai ia ka kthyer qytetares që i kishte humbur.
Për kallxo.com, Avni Thaçi ka rrëfyer ngjarjen: “Rreth orës 11 :00 duke u kthyer prej Gjakovës në Stacion të Autobusëve kam hasur në një kuletë, ngjyrë e kaltër. Aty zakonisht ka lëvizje shumë të mëdha të njerëzve por fati ka dashtë që unë me e gjetë. Në momentin e parë që e hapa xhepin e parë, kam hasë me një shumë të madhe të parave : katër 500- she menjëherë, pesë 100-she, një 50-she, dhjetëshe, gjithsej 2576 euro e 70 centë. Shikova rrotull mos është ndonjë kamerë e fshehur se nuk më ka rastisur asnjëherë me gjetë asnjë cent. E pashë që njerëzit lëviznin normalisht si çdo ditë. Mendova çka me bo me këto pare ?
Nga pamundësia që ta takoj personin personalisht edhe që t’ia jap vetë kuletën u desht me thirrë Policinë. Fillova e dhashë deklaratën. Aty kam fillu të ndihem krenar sepse gjithë stafi i Policisë ka ardhë dhe më ka përshëndetë edhe përgëzu për gjestin që e kam ba. Në momentin që jemi taku e kam pyetur se a është gjithçka në kuletë si para se me ju humbë e ajo ma konfirmoi që është gjithçka në rregull e nuk mungon asnjë cent. Zonja vetëm sa kishte ardhur nga Austria. Ajo më tha : Po më vjen mirë që paska hala njerëz si ti në Kosovë”