Sot është heshtje zgjedhore, pas mbylljes një ditë më parë të fushatës elektorale nga Partia Socialiste, drejtuese e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane. Opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet vendore, ndërsa Presidenti i Republikës ka anuluar 30 qershorin si ditë zgjedhjesh dhe ka nxjerrë dekretin e ri për zgjedhjet më 13 tetor. Sipas Kodit Zgjedhor (neni 77), 24 orë para datës së zgjedhjeve përfundon fushata e partive politike, duke ia lënë vendin heshtjes zgjedhore. “Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”, thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor. Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar në fund të majit listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ku nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3.536.015 shtetas shqiptarë, nga të cilët 132.788 persona votojnë për herë të parë. Sipas MB lista e votuesve është e ndarë në 51% votues meshkuj dhe 49 votuese femra. Nga 61 bashki, në 35 bashki prej tyre ka vetëm një kandidat në garë pa rival përballë.