Një lajm i trishtë ka mbërritur ditën e sotme nga Italia në Shkodër. Është ndarë nga jeta Luigjina Perdoda Pogu, fotografja që konsiderohet si nxënësja e parë e Marubit.
Këtë verë, Luigjina ishte në Shkodër, ku fatkeqësisht dha intervistën e parë dhe të fundit për një media vizive, RTSH Shkodra, gazetarit Mario Gjini, pikërisht në mjediset e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Edhe gjatë kësaj interviste, u vu re por edhe vetë e pranoi se nuk ishte në gjendje të mirë shendetësore. Fatkeqësisht, sot erdhi lajmi se fotografja e mirënjohur shkodrane, u nda nga jeta.
Përveç familjarëve, lajmin e trishtë e ka ndarë edhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, ku në rrjetet e veta sociale, shkruan:
“Është ndarë nga jeta fotografja Luigjina Perdoda – Pogu (1933-2023). Ajo filloi të punonte në repartin e fotografisë në vitin 1952, pa mbushur moshën 17 vjeç dhe punoi aty për rreth 40 vite, deri me daljen në pension. Mësimet e fotografisë i mori nga mjeshtrat Gegë Marubi e Shan Pici.
U bashkohemi në ngushëllime familjarëve e miqve.”.