“Me hidhërim të thellë lajmërojmë ndarjen nga jeta të dashtunit tonë Agron Gjovalin Luka, bashkëshorti i Greta Luka (Baba), babai i Aristonit dhe Merit, vjehrri i Michele Guidetti, vëllai i Gencit, Lekës, Adrianit! Pritja bëhet tek ambjentet e “Kolping” nga ora 06 am, data 14 qershor pranë Katedrales, vorrimi bëhet tek vorrezat shtetërore në Stom/Golem ora 14 data 14 qershor.”.
Ky ishte njoftimi trishtë që Aristoni, djali i studiuesit, hulumtuesit e historianit Agron Luka përcolli përmes rrjeteve sociale. Në fakt, e dija prej disa kohësh që Agroni kishte probleme shendetësore por gjithmonë, në çdo rast, shpresa është e fundit që na lë në këtë jetë.
Agron Lukën e njoh prej shumë vitesh, nuk e kujtoj saktë sa shumë vite, që në kohën kur në pedonalen e Shkodrës ishte ndër të parë që nisi tregtimin e elektroshtëpiakeve. Por në vijim, pata fatin e kënaqësinë ta kem të ftuar në shumë emisione, kryesisht të karakterit historik, të cilat ishin dhe mbetën deri në fund, pasioni i Agronit.
E konsideroj ndër të rrallët studiues, hulumtues e historian që kishte “dalë nga rreshti” i përsëritjes së historiografisë së trashëguar gjenetikisht nga komunizmi. Për çdo emision, përgatitje e tij ishte shumë e vëmendshme, serioze dhe e mbushur me dokumente e artefakte. Gjithmonë korrekt në respektimin e hapësirave në dispozicion.
Ndoshta është shumë shpejt që kontributi i Agron Lukës të vlerësohet si duhet. Tashmë është detyra e familjes, djalit të tij Aristonit, ti japë dimensionin e duhur publik të modestisë së tij përmes publikimit të materialeve të pafundme që ai ka prodhuar dhe ruajtur në kompjutetin e tij. Po ashtu, besoj se ka materiale të shumta me të cilat mund të hapet edhe një muzeum, me artefakte që janë edhe unikale në të gjithë hapësirën shqiptare.
Personalisht, i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Luka, mikut tim Aristonit, të afërmëve dhe miqve të shumtë të Agron Lukës dhe kontributit e veprës së tij, të cilat tashmë duhet të jenë në akses të publikut shkodrane e shqiptar. Pushofsh në paqe Agron Luka! /Nga Blerti DELIJA/