Një lajm i trishtë është shpërndarë mes rrjeteve sociale. Është ndarë nga jeta krejt papritur Fatmir Lishi, një qytetar shkodran, kontributor i gjithanshëm për Shkodrën dhe përtej. Kanë qenë miqtë e tij që kanë shpërndarë lajmin, duke shprehur edhe ndjesitë e tyre për këtë humbje. Ai ishte nën kujdesin e mjekëve pas goditjes së papritur nga ishemia.
Fatmir Lishi u lind me 13 janar 1956 në Shkodër, në një familje me tradita dhe kontribute për Shkodrën. Ka qenë një personazh mjaft aktiv në fushën sociale por edhe të biznesit. Që nga krijimi i kompanisë së sigurimeve Sigal, ai ka qenë drejtor i degës së Shkodrës, duke e ngjitur në nivelet më të larta rë preferencave për klientët.
Po ashtu, Fatmir Lishi ka qenë edhe ndër nismëtarët dhe antarët më aktivë të Rotary Club Shkodra, president nderi, organizator dhe pjesëmarrës i dhjetra aktiviteteve të organizuara.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet e veta familje Lishi, miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe të njohurve të Fatmir Lishit për këtë humbje të madhe dhe të papritur. Ata që e njohën do ta mbajnë mend për optimizmin, gjallërinë, sensin e humorit dhe përkushtimit në çdo gjë që bënte.