Ka ndërruar Antonio Belushi, prifti arbëresh i cili me jetën e veprën e tij është identifikuar më së shumti me qenien e arbëreshëve të Italisë në gjysmë shekullin e kaluar. Belushi, prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindi në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës në Itali.
I quajtur edhe “Ati shpirtëror i arbëreshëve të Italisë”, Belushi ka dhënë dëshmi të panumërta për mbrojtjen e kauzës shqiptare, sidomos asaj të Kosovës, si klerik, veprimtar e humanist.
Antonio Belushi ishte adresa e pashmangshme e mikpritjes e pothuaj të gjithë shqiptarëve që i vizitonin arbëreshët në Itali. Biblioteka e tij personale atje është model për ruajtjen e librave dhe revistave nga e gjithë bota shqiptare.
Ai ka diplomuar për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”.
Antonio Belushi ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”.
Qysh nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi.
Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”.