Shumëkujt emri Luigj Shyti, mund të mos i thotë asgjë. Për një arsye të thjeshtë, ai është një nga mijëra qytetarët e Shkodrës, të Veriut dhe të Shqipërisë, të cilët kanë vendosur që kontributin e tyre ta japin pa e marketuar apo reklamuar. Ata që e njohën nga afër, nxënës dhe prindër të tyre, e vlerësuan për vlerat e larta profesionale dhe morale si mësimdhënës. Miqtë, shokët e të njohurit e tij, e çmuan për cilësitë e larta, një gërshëtim i veçantë mes traditës e tradicionale me përparimtaren.
Ka shumë aspekte që e veçojnë, tashmë të ndjerin Luigj Shyti. Si një katolik e mirë, ai zbatoi me devocion detyrën parësosore: Ndërtoi dhe çoi përpara një familje ekzemplare, me trashëgimtarë të denjë për të mbajtur me krenari emrin e mirë që po u lë me largimin e parakohshëm nga kjo jetë. Veç kësaj, Luigji ishte një veprimtar mëse i dalluar, sidomos brenda komunitetit të banorëve të zonës së Dukagjinit, për tu shtrirë me ndikim edhe në të gjithë hapësirën që e njohu atë.
Shoqata Atdhetare “Dukagjini”, e pati një nga aktivistët më të zjarrtë, këmbëngulës në realizimin e objektivave por edhe ideator e mbështetës i aktiviteteve të panumërta të saj. Kontributi i Luigjit la gjurmë edhe në faqet e gazetës “Dukagjini”, ku bashkë me një grup shokësh e miqsh, ndërtuan redaksinë, e cila po vijon të mbajë në këmbë një gazetë të shtypur, në një kohë kur edhe gazeta që kanë nga pas parendaroi financiare, po mbyllen duke kaluar vetëm online.
Luigj Shyti do të kujtohet edhe si një aktivist social, në tryeza të ndryshme të organizuara por edhe përmes rrjeteve sociale. Nuk ngurroi asnjëherë të japë opinionin e tij, mendimin e tij, sigurisht bazuar në logjikë dhe argumente. Ndoshta kjo ishte edhe pika e tij më e fortë, e cila e dallonte në mjaft takime që zhvilloheshin. Njëkohësisht, ishte edhe një dëgjues i durueshëm, me çdo kategroi dhe çdo moshë, shenjë e një pjekurie dhe maturie të rrallë.
Për të gjithë ata që ikin nga kjo botë, është bërë “modë” të flitet mirë. Për Luigj Shytin, është krejt ndryshe. Ndërsa nuk u fol aq sa duhet sa ishte gjallë, sado të flitet tashmë në mungesë të tij, nuk do të jetë kurrë mjaftueshëm. Luigj Shyti i përket asaj kategorie të njerëzve të thjeshtë, me shumë kontribute të gjithanshme por që zgjedh të kontribuojë si një milingonë, si një bletë me bindjen se, sado i vogël dhe i padukshëm së sytë e të tjerëve të jetë kontributi, ai të thotë me gojën plot: E përmbusha detyrën time ndaj familjes, miqve, shokëve, komunitetit ku jetoi, Shkodrës, Veriut e Shqipërisë!
Pushofsh në paqe fisniku Luigj Shyti! Burrat si ti, janë të rrallë në këtë jetë dhe duhet të kalojnë shumë dekada të vijnë sërish! /Nga Blerti DELIJA/
KUSH ISHTE LUIGJ SHTYTI
Shkollimin bazë e bëri në vendlindjen e tij në Theth, vazhdon për mësuesi shkollën pedagogjike “Shenjaze Juka” dhe Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” e përfundon për Biologji – Kimi.
Për 32 vjet nga 45 punë, i ka bërë si drejtor shkolle, këtu ishte kufiri i tij maksimal për shkaqe biografie. Intelektuali model, shkrimtari i apasionuar, fotografi, organizatori i mijëra eventeve për Dukagjinin, botues i shumë veprave voluminoze si:
“Dukagjini rrugëtim në gjenezë”, me 540 faqe,
“Historiku i Arsimit dhe i Kulturës në Dukagjin”
dhe shumë botimeve të tjera tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një intelektual të një klasi të lartë të Shkodrës.
Burri i pashëm e prezentabël profesor Luigj Shyti ishte për më shumë se dy dekada sekretar i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” dhe si autor i mijëra shkrimeve dhe organizator i shumë eventeve që ka organizuar kjo shoqatë.
Ai është nderuar prej dekadash me shumë tituj dhe medalje pune e nderi por duke qënë shumë modest kurrë nuk i publikoi në media apo rrjetet sociale. Babai i pesë fëmijëve dhe bashkëshorti model i mësueses Gjyste Shyti, janë në plejadën e nderit të Dukagjinit. /Përgatitur nga Lulash VATNIKAJ, publikuar në Facebook/